Përfundoi takimi i forumeve rinore shqiptare

Në organizim të Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, sot në Prishtinë, u mbajt takimi i forumeve rinore të partive politike shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare, që kishte për qëllim përgatitjet për kremten e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në takim u konfirmua se “Lidhja e Forumeve Rinore Mbarëshqiptare” është emri dhe ombrella me të cilën do të shënohen aktivitetet e forumeve rinore shqiptare për shënimin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në takimin e sotëm, ku morën pjesë 12 forume rinore, u biseduan dhe u listuan një numër i aktiviteteve që të rinjtë e partive politike shqiptare do të organizojnë për të shënuar 100 - vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ky takim.
Në emër të FR të LDK -së si nikoqir i takimit, kryetari i i këtij forumi, Xhafer Tahiri lexoi një deklaratë në të cilën thuhet se “Në këtë përvjetor të rëndësishëm të rinjtë shqiptar, sot, kanë nevojë të kenë universitete e arsim cilësor të nivelit evropian. Do të jemi ne të rinjtë, që do të zgjedhim se si do të jetojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit. Shënimi i 100- vjetorit të shtetit shqiptar është shkas i këtij takimi, i cili do të vazhdojë përtej shënimit të kësaj date”, thuhet në deklaratë.
“Liria, është e arritura më e madhe e jona në këto 100 vite. Pavarësia e Kosovës, padyshim paraqet arritjen e një qëllimi të lartë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë në Kosovë, që sublimohen në figurat e ndritura të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Sot, sfida jonë është të bashkëmoshatarët tanë në Luginë të Preshevës të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre të lirë, dhe të ndihmojmë të rinjtë në Malin e Zi që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kombëtar”.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike u pritën nga Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ata i bënë vizitë dhe homazhe te varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe u pritën nga Familja Rugova.
Ndërsa takimi i të rinjve të partive politike shqiptare përfundoi me vizitë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz te varri Komandanti Legjendar të UÇK-së Adem Jashari.

Gjysma e parë i takon Realit

Real Madridi avancon me rezultat 1-0 ndaj Barcelonës në derbin më të madh botëror, ‘el Clasico’, që po zhvillohet në Camp Nou.

Bahrejn, një i vrarë para garave të Formula 1

Raportohet se një person është gjetur i vrarë me plagë nga arma e zjarrit në Bahrejn, pas përleshjeve gjatë natës me policinë.
Një grup opozitar tha se kufoma e personit Salah Abas Habib, është gjetur në fshatin shiit Shakhira, afër kryeqytetit Manama.
Autoritetet e kanë filluar hetimin me qëllim që të zbuten tensionet, një ditë pasi dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protestat e dhunshme, në të cilat kërkohej përfundimi i goditjes ndaj kundërshtarëve politikë.
E gjithë kjo po ndodhë para garës automobilistike Fromula 1, që mbahet tw dielën në Bahrejn. Protestuesit e kanë kundërshtuar edhe mbajtjen e kësaj gare.
Raportohet se në rrugët e kryeqytetit Manama po patrullojnë makina të blinduara.
Vitin e kaluar kjo garë automobilistike ishte anuluar, meqë afro 30 vetë ishin vrarë gjatë goditjes së trupave qeveritare kundër protestuesve, të udhëhequr nga shumica shiite në Bahrejn, që kërkonin që familja mbretërore sunite në këtë vend, t’i përmirësoj të drejtat e njeriut dhe të kryejë reforma politike.

Kuçi shfajëson veten për Kodin Penal

Ministria e Drejtësisë, si sponsoruese e Projekt Kodit Penal të Kosovës, njofton opinionin publik se miratimi i këtij Kodi, ku është përfshirë neni 37, në të cilin parashihet përgjegjësia penale e kryeredaktorëve, botuesve, shtypëseve dhe prodhuesve, si dhe nenin 38, ku parashihet mbrojtja e burimit të informatës, është vendim i Kuvendit të Kosovës, përkundër punës se vazhdueshme të Ministrisë së Drejtësisë, respektivisht Ministrit Hajredin Kuçi, që këto dy nene të largohen nga ky Projekt Kod Penal.
Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë (MD) thuhet së në një takim të zhvilluar me 3 shkurt, në mes të Ministrit Kuçi dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, palët u pajtuan që këto dy nene të largohen nga Projekt Kodi Penal.
Po më 3 shkurt, ministri Kuçi më anë të një letër drejtuar Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar nga ta që nenet 37 dhe 38, të hiqen nga Projekt Kodit Penal.
Ndërsa, me 7 shkurt, në dëgjimin publikë të ftuar nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, lidhur me Projekt Kodin Penal, ministri Kuçi ka bërë publik qëndrimin e tij për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga ky projekt-kod.
Miratimi i Kodit Penal në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës, është kompetencë e këtij institucioni, ngase në këtë fazë Qeveria apo MD, si sponsoruese e këtij projekt-kodit, nuk ka asnjë kompetencë.
Andaj, çdo interpretim që hedh fajin në Qeveri apo Ministrinë e Drejtësisë, për mbetjen e neneve 37 dhe 38 në Kodon Penal, pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, është interpretim joprofesional, thuhet në njoftimin e MD.

Opozita nuk dërgon Ligjit për bankat në Kushtetuese

Partitë opozitare, të cilat kishin bërë zhurmë rreth Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, të cilin e kishin quajtur jokushtetues, nuk kanë pasur gatishmëri të kërkonin interpretimin e tij nga Gjykata Kushtetuese.
Deputetët ishin përkrahur për inicimin e kësaj çështjeje edhe nga shoqëria civile, mirëpo ishin tërhequr me arsyetimin se ka kaluar afati kohor për ta proceduar Ligjin përkatës në Gjykatën Kushtetuese.
“Me gjithë gatishmërinë fillestare që partitë opozitare e shprehën në takimet me ne, me arsyetimin e afatit të shkurtër kohor për ta përgatitur lëndën, duket që Ligji për bankat..., përfundimisht nuk do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Taulant Hoxha nga organizata joqeveritare, KCSF, transmeton Koha.net.
Megjithatë, ky mosveprim i deputetëve ka aktivizuar shoqërinë civile, e cila ka vendosur që nëpërmjet institucionit të Avokatit të Popullit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

ORA e Gjakovës kalon në AAK

Dega e partisë Reformiste ORA është shkrirë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në një ceremoni që është bërë të shtunën në drekë, Pal Lekaj (AAK) e Gazmend Hoxha (ORA) i kanë shtrënguar duart duke finalizuar bashkimin e dy subjekteve.
Kryetari i komunës që është edhe kryetari I degës së AAK-së në Gjakovë Pal Lekaj, duke shprehur gëzim për aderimet e reja në partinë e tij, tha se ky bashkim i sotëm është një mbështetje e fuqishme jo vetëm për Aleancën, por për qytetarët e Gjakovës.
“Bashkëpunimi jonë ka nisur më herët e që ka rezultuar më sukseset tona në komunën e Gjakovës. Së bashku kemi pasur një qeverisje të ndërgjegjshme”, tha Lekaj, transmeton Koha.net.
Dy partitë që prej më shumë se dy viteve janë pjesë e koalicionit në qeverinë lokale të Gjakovës. ORA është prezantuar me udhëheqjen e dy drejtorive, ndërsa ka pasur edhe dy ulëse në Asamblenë Komunale. 

Krasniqi takoi të rinjtë e partive politike shqiptare

Organizimi i aktiviteteve të përbashkëta në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë, për të shënuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë temë kryesore në takimin që sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka zhvilluar me përfaqësues të forumeve rinore të partive politike shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Krasniqi e vlerësoi si një iniciativë të mirë bashkimin e forumeve rinore, për të dhënë kontribut në shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo tha ministri, do të pasurojë edhe më shumë gjithë atë agjendën zyrtare të aktiviteteve për të shënuar këtë përvjetor, dhe shtoi se kështu merr edhe një jehonë edhe më të madhe festa gjithëkombëtare shqiptare, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ai i ka njoftuar përfaqësuesit në lidhje me agjendën që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përgatitur për këtë përvjetor, por tha se ekziston një vullnet nga të dyja palët, që kjo agjendë të plotësohet, por edhe të përkrahen edhe aktivitete tjera, jashtë kësaj agjende, por që e madhështojnë festën. Ministri Krasniqi, që njëherësh është edhe kryetar Rinisë Demokratike të Kosovës, i njoftoi mysafiret me përgatitjet dhe aktivitetet që pritet të organizohen dhe ofroi përkrahjen e plotë të tij për idetë që do të dalin nga forumet.
Ai vlerësoi se është mjaftë e rëndësishme që të rinjtë nga partitë politike, të lënë dallimet mes vete dhe të punojnë bashkërisht për të shënuar sa më në mënyrë dinjitoze përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të qenë si një trup i përhershëm që do të japë kontributin e vet në zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit.
Përfaqësues të këtyre forumeve, falënderuan ministrin Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë që të japë përkrahje të plotë në iniciativat e ndërmarra.
Krasniqi theksoi nevojën që të ketë takime edhe në ditët dhe javët në vazhdim, në mënyrë që të ketë një plan konkret për aktivitete që do të organizohen me iniciativën e forumeve. 

Hoxhaj ngushëlloi homologen pakistaneze

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministres së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar, pas humbjes tragjike të jetëve të 127 udhëtarëve në fatkeqësinë ajrore që ka ndodhur të premten në afërsi të Islamabadit në Pakistan.
Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Hoxhaj i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta ministres pakistaneze, duke theksuar dhimbjen dhe pikëllimin e qytetarëve të Kosovës për këtë fatkeqësi.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu, ka shprehur solidaritetin e plotë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës me familjarët e viktimave, Qeverinë dhe popullin pakistanez, në këto ditë të vështira, thuhet në telegram.

Në NATO u fol për Kosovën e Maqedoninë

Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, i cili merr po pjesë në ministerialin e NATO-s në Bruksel, ka takuar homologët e tij të Bashkimit Evropian me të cilët ka biseduar për situatën politike në Shqipëri. Haxhinasto ka folur për plotësimin e kritereve për integrimin evropian, si dhe për mundësinë e marrjes këtë vit të statusit të vendit kandidat në BE.
Edhe pse problemet e sigurisë në rajonin e Ballkanit nuk kanë qenë në rendin e kësaj mbledhjeje, shefi i diplomacisë shqiptare thotë se është folur edhe për ngjarjet e fundit dhe tensionet etnike në veriun e Kosovës si dhe në Maqedoni.
Tirana zyrtare ka shprehur qëndrimin e saj dhe ka kërkuar kapërcimin e kësaj situate shqetësuese në rajon, shkruan Express.
Haxhinasto rikonfirmoi edhe njëherë vizitën zyrtare të Sekretares së Shtetit amerikan, Hillary Clinton në Tiranë, në përgjigje të ftesës së tij të bërë gjatë një takimi me të, në ministerialin e NATO-s në Bruksel.

Pesë lista për zgjedhjet lokale në Zveçan

Këshilli Nacional Serb i veriut të Kosovës, ka dorëzuar listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në komunën e Zveçanit. Këtë e kanë bërë të premten, në orët e vona, pak para se të përfundonte afati për pranimin e listave..
“Me këto zgjedhje do të tregojmë që jemi në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë. Moto e jonë në këto zgjedhje do të jetë ‘në shtetin tonë’, për të ruajtur tërësinë territoriale të Serbisë, të drejtat themelore të njeriut në kudër të institucioneve tona”, ka thënë Milan Ivanovic pas dorëzimit të listës së Kandidatëve në KKZ të Zvecanit, shkruan koha.net.
Lisat e KNS për veriut e Kosovës është lista e pestë që është dorëzuar për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 6 maj. 

Dell për ndërtimin e Kosovës shumetnike

Megjithqë përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë do të jetë një ngjarje tepër e rëndësishme, kjo nuk do të thotë që Kosova do ta kryejë punën në integrimin e plotë dhe në mbrojtjen e pakicave të saj.
Kështu tha sot ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christofer Dell, në konferencën vjetore të Rrjetit Strategjik Aksional Kosova, që u mbajt në komunën e Graçanicës.
Dell tha se “ne çdo ditë shohim se ende ka shumë punë për të bërë në ndërtimin e një Kosove tolerante shumë-etnike dhe demokratike”.
“Të gjitha institucionet në Kosovë duhet të shprehin qartë përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj bashkësive pakicë dhe të tregojnë se Kosova është me të vërtetë e të gjithëve, njerëzve të ndryshëm që jetojnë këtu”, tha Dell, transmeton REL.
Dell ka kritikuar institucionet e Kosovë, duke thënë se nuk kanë bërë mjaft për respektimin dhe promovimin e plotë të të drejtave dhe interesave të bashkësive pakicë.
“Ligji për gjuhë i Kosovës është njëri nga më përparimtarët në Evropë, por ai nuk zbatohet në masë të mjaftueshme”, deklaroi Dell.
Ambasadori amerikan ka folur edhe për miratimin e ligjeve për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Hoqën e Madhe. Ai për këto ligje tha se “janë ligje të mira për terë Kosovën”.
“Për fat të keq, debati për këto ligje, që u zhvillua në Kuvend, tregon që Kosova ende duhet të punojë në forcimin e themeleve të një shoqërie tolerante dhe shumë-etnike”, u shpreh Dell. 

Sneijder në planet e Stramaccionit

Trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni, ka thënë se nuk ka probleme me mesfushorin Wesley Sneijder duke qartësuar se holandezi është pjesë e planeve të tij.
“Nuk dua të bëj krahasime me ata që ishin para meje, por një lojtar si Sneijderi, për mua nuk do të jetë kurrë problem”.
“Ai është lojtar i rëndësishëm dhe përfshirja e tij në planet e mia nuk është telashe”, ka thënë Stramaccioni në një konferencë për media.
27-vjeçari nuk ka luajtur nën trajnerin e ri për shkak të lëndimit, ndërsa trajnerët e mëparshëm, Gian Piero Gasperini dhe Claudio Ranieri, nuk kanë arritur ta inkorporojnë atë në sistemet e tyre taktike.

Barca nuk do ta shesë Messin!

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka deklaruar se ndonjë klub privat do të përfitonte para duke e shitur Lionel Messin, mirëpo Blaugranët nuk janë një klub që bëjnë gjëra të tilla.
Barca është pronë dhe kontrollohet nga anëtarët e saj, që do të thotë se Rosell dhe anëtarët e bordit u përgjigjen mbështetësve.
“Messi nuk është në shitje, për kurrfarë çmimi. Ku do ta blinim një tjetër Messi?”.
“Një korporatë do ta shiste atë, sepse është një kompani që kërkon përfitime. Mirëpo, ne nuk jemi të tillë”, ka thënë Rossell për L'Equipe, duke shtuar se Blaugranët janë të zotuar për sukses e jo për çështje financiare.

Cahill: Barazimi, rezultat i mirë

Mbrojtësi i Chelseat, Gary Cahill, beson se barazimi pa gola kundër Arsenalit në Emirates është rezultat i mirë për Blutë.
“Ishte një rezultat i mirë. Nëse ndodh që të vish këtu dhe të marrësh pikë, atëherë duhet ta konsiderosh si pozitive. Ishte një pikë e mirë për ne”, ka deklaruar Cahill.
Trajneri Roberto Di Matteo bëri ndryshime të shumta në formacionin bazë, në mënyrë që t’i ketë lojtarët të përgatitur për sfidën kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. 

“Reali duhet të luajë për fitore”

Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Real Madridit, Alfonso, ka deklaruar se Los Blancos duhet të luajnë për fitore në Camp Nou në mënyrë që të nxjerrin një rezultat pozitiv.
“Është shumë e vështirë të zgjedhësh favoritin, por ato janë dy ekipe të mëdha, nuk dihet fituesi. Ndoshta Barcelona ka përparësi, por Reali e ka avantazhin tabelar. Unë nuk mund të mos e them – dua që Reali ta fitojë El Clasicon”.
“Mendoj se nëse dëshironi të fitoni në Camp Nou, ju duhet që të bëni presion sepse përndryshe do të prisni një kohë të gjatë për të parë topin. Reali ka fizikun dhe cilësinë, ata mund ta bëjnë këtë. Reali ka ecurinë më të dobët, por e ka avantazhin tabelar, e ka titullin në dorë edhe në rast të humbjes. Ata janë në gjendje të fitojnë në çdo impiant”, u shpreh Alfonso.

Paqe në Londër!

Ka përfunduar me rezultat të barabartë pa gola derbi londinez mes Arsenalit dhe Chelseat, i zhvilluar në Emirates para 65 mijë spektatorëve.
Pjesën e parë e filluan më mirë vendasit. Arsenali dominoi tërësisht periudhën e parë të takimit, por prapa nuk mbeti as Chelsea që herë pas here rrezikoi.
Në pjesën e dytë u ashpërsua loja dhe ndeshja u baraspeshua, me ekipet që kishin raste të volitshme. Futbollisti më i rrezikshëm i Arsenalit, Robin Van Persie, ka mundur t’ia sigurojë fitoren ekipit të tij, por nuk arriti ta bëjë këtë pasi nuk konkretizoi rastet e treguara për të.
Në fund të takimit Arsenali bëri presion të lartë mbi Blutë, por sfida përfundoi me rezultat të barabarëtë 0-0.
Pas këtij barazimi, Arsenali ka 65 pikë në tabelë në vendin e tretë, tre javë pa përfunduar sezoni në Ligën Premier, teksa Chelsea ka 58 pikë në vendin e gjashtë dhe ka gjasa të minimizuara për t’u kualifikuar për Ligën e Kampionëve pasi Tottenhami i cili i shkon QPR-së është një pikë larg.

Ribery dënohet, grushtoi Robbenin

Mesfushori i Bayernit të Munichut, Franck Ribery, është dënuar me 50 mijë euro nga klubi gjerman pasi grushtoi bashkëlojtarin e tij Arjen Robben në zhveshtore gjatë pushimit të pjesës së parë në fitoren prej 2-1 ndaj Real Madridit të martën.
Francezi u nervozua pse bashkëlojtari i tij holandez nuk e lejoi ta godasë gjuajtjen e lirë në minutën e 40-të, ndërsa shenja në fytyrë nga ‘boksi’ i Riberys ishte evidente në fytyrën e Robben, e që pasoi me dënim për francezin.
Përkundër faktit se Jupp Heynckes e mohoi incidentin, Bild shkruan se Ribery tashmë është dënuar nga klubi i tij.
Bayerni do të përballet me Werderin para se të ndeshet me Realin në gjysmëfinalen kthyese të Ligës së Kampionëve në Bernabeu. 

Rikthehen Sneijder dhe Maicon

Interi ka marrë lajme të mira para ndeshjes ndaj Fiorentinës që zhvillohet të dielën në mesditë, pasi Wesley Sneijder dhe Maicon janë deklaruar të gatshëm për të luajtur në Artemio Franchi.
Holandezi ka qenë jashtë fushave të blerta që prej më se një muaji me një lëndim në kofshë, përderisa është për herë të parë në gatishmëri për trajnerin e ri Andrea Stramaccioni.
Nga ana tjetër, Maicon është riaftësuar pas problemit të tij me gjurin dhe pritet të luajë ndaj Fiorentinës, përderisa Samuel do të mungojë ndaj Violas për shkak të lëndimit.
Nerazzurët janë momentalisht në vendin e shtatë, me gjashtë pikë më pak se Lazio që është në vendin e tretë. 

Dalglish: Të respektojmë Hodgsonin

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka kërkuar nga tifozët e The Reds që të presin mirë në Anfield ish-menaxherin Roy Hodgson, nën të cilin Liverpooli nuk ka kaluar formë aq të mirë.
“Ishte kohë e vështirë për Liverpoolin ajo, ashtu sikurse tani që ka qenë kjo ecuria e humbjeve. Por, unë kam respekt të madh për Hodgsonin si person, trajner dhe menaxher. Ai është sjellur në mënyrë të dinjitetshme, ne gjithmonë e kemi respektuar dhe nuk ndryshojomë”.
“Ai ka bërë mirë te WBA. Ai bëri mirë që i mbajti ata në Ligën Premier dhe këtë e bëri pa problem edhe këtë sezon. Do të jetë mirë ta shohim përsëri në Anfield. Jam i sigurtë se njerëzit do ta respektojnë faktin se ai ka qenë në krye të Liverpoolit dhe do ta presin mirë”, është shprehur Dalglish. 

Vdes kitaristi Bert Weedon

Ka ndërruar jetë kitaristi 91 vjeçar, Bert Weedon, i cili ishte krijues i mësimeve për kitarë “Play in a Day”, duke inspiruar disa prej kitaristëve elitarë.
Weedon, i cili u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Beaconsfield të Buckinghamshire, lindi në vitin 1920 dhe solli kitarën e parë nga dyqani Petticoat Lane kur ishte vetëm 12 vjeç. Ai ishte i njohur ndryshe si ‘Zotëri Kitara’ dhe filloi të ekzekutonte me bendin Ted Heath, para se të krijonte sukses në karrierën e tij solo.
“Ai ka qenë kohë që një kohë të gjatë, por përkundër kësaj gjendje të tij, kjo ishte e pa pritur. Ai ishte një prej miqve të mi më të dashur”, ka theksuar miku i Weedon, John Adrian.
Weedon është i njohur për librin e tij “Play in a Day” që ka arritur të mësojë kitaristë të njohur si Cliff Richard, Adam Faith dhe Billy Furry. Ndër ikonat të cilat kanë kaluar nëpër duart e Weedon është edhe Eric Clapton. 

Rita Ora: Dua të punoj me Gwen Stefanin

E ftuar në radion Kiss Fm në Britaninë e Madhe, Rita Ora është shprehur se nëse do të zgjidhte një artiste për të punuar, padyshim ajo do të ishte Gwen Stefani.
“E dini çfarë? Ajo është një mama “cool”. Thjesht, e dua, nuk kam dyshime, kështu që unë mendoj se një duet me të do të ishte fantastik”, ka theksuar Rita.
Rita ka treguar gjithashtu, për kontratën e saj me Roc Nation, ndërsa ka theksuar se takimi i parë i saj me reperin Jay Z ka qenë kur ajo ishte 18 vjeçe.
“E ndjeva se ishte një veprim i drejtë, e dija që ishte ekipi i duhur për mua”, ka thënë ajo.
Në pritshmëritë e Jay Z, ajo do të jetë e suksesshme sa Rihanna, këngëtarja me origjinë shqiptare, u përgjigj: “Unë e dua suksesin e saj”
Rita ka prezantuar edhe një pjesë të këngës së saj më të re me titull “Shine Your Light”, me producent, Frasier T. Smith.

Radeonët mobil së shpejti

AMD javës që vjen zyrtarisht do të paraqes linjën e procesorëve grafik për portativët të bazuar në dizajnin 28-nanometërsh Southern Islands.
Radeon HD 7xxxM paraqet versionet e modifikuara të çipave për kompjuterët e tavolinës, kështu që kreu i ofertës përbëhet nga linja HD 7900M me emër të koduar Thames dhe e përbërë nga çipat Pitcairn (HD 7800) për kompjuterët e tavolinës.
Në mesin e ofertës do të jenë Radeonët HD 7800M me emër të koduar Lombok, të cilët paraqesin versionet Cape Verde të modeleve nga Radeon HD 7770 për kompjuterët desktop. Linjat Radeon HD 7600M dhe 7700M janë të rezervuara për bërthamat grafike të integruara në gjeneratën e re të APU procesorëve Trinity, të cilët gjithashtu pritet që së shpejti të paraqiten në treg.

“Dy vende, dy gjuhë?! Është antihistorike!"

Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti komb, i njëjti popull, kanë të njëjtën gjuhë dhe të gjitha tezat me baza fetare, që propagandojnë të kundërtën, janë antihistorike. Ky është mesazhi që studiuesi i njohur Shaban Sinani, përcjell në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në librin e saj të fundit, bashkëshortja e Kadaresë, shkrimtarja Helena Kadare, tentoi të “të ulte gjakrat”, mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes, për polemikat që ata patën vite më parë rreth identitetit shqiptar.
Sinani thotë se besimi nuk është faktor identiteti për popullin shqiptar, siç është për serbët, grekët, rusët dhe popuj të tjerë.
“Shqiptarët janë heterogjenë në besim dhe mbitheksimi i besimit si faktor identiteti ka qenë dhe është i gabuar”, ka thënë Sinani në një intervistë për Shqip.
“Në shekullin e 15-të, kur u shfaq Islami në Ballkan, identiteti shqiptar ishte kodifikuar. Popujt që përveçohen në kohët moderne janë të vonuar. Për mendimin tim Kadare kishte të drejtë kur propozoi për diskutim tezën e identitetit evropian të shqiptarëve. Kjo tezë u keqkuptua, u interpretua si një thirrje për rikrishterim të shqiptarëve. Në fakt, edhe sikur të kishte qenë kështu, dihet mirë se thirrjen e parë për kthimin në fenë e të parëve shqiptarëve ua ka bërë Faik Konica, i cili edhe vetë u ungjillëzua”.
Sinani mendon se ideja e Kadaresë u demonizua, sikur të kish qenë ai i pari shqiptues i kësaj “blasfemie”.
“Jam shprehur dhe mendoj ende njësoj, se teza e identitetit të dyfishtë apo të trefishtë të shqiptarëve (ose e “pluriidentitetit”, ”multiidentitetit” siç e propozoi dhe R. Qosja), është prodhuar prej shkollës serbe, që, kohët e fundme, është pasuar dhe nga studiues të tjerë (A. Zeljaskova, “Albanian Identities”, Sofia 2000). Antinomitë ‘albanac - shiftar – shiptar’, ‘albanci – arnauti’, tani së fundmi dhe ‘albanac - shiftar - shiptar – kosovar’, janë kurthe të ngritura ndaj dijes shqiptare qysh në shekullin e romantizmit”.
Sinani thotë se Qosja, duke pretenduar se duhet të diskutojmë për realitetin me të cilin identifikonte vetveten, e jo për projektet me të cilët identifikonte Kadarenë, i bëri dëm mendimit shqiptar.
“Shkencat kombëtare e kanë për detyrë të promovojnë konvergjencën - shkenca e tjetrit le të merret me të kundërtën. Aventurat për krijimin e dy vendeve, dy popujve, dy gjuhëve, duke iu referuar kryesisht dallimit, dhe ‘dallimi i rëndësishëm’ është vetëm ai fetar, janë antihistorike”. 

Gjermania i druhet situatës në veri, dërgon trupa shtesë

Gjermania, me kërkesë urgjente të NATO-s, do të dërgojë në Kosovë trupa për intervenim të shpejtë, shkruan javorja gjermane "Spiegel".
Sipas revistës, NATO ka frikë se dy javë para zgjedhjeve në Serbi do të mund të ketë eskalime të situatës në veri të Kosovës. Berlini veç është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesës së Aleancës.
Gjermania në Kosovë do të dërgojë 550 ushtarë nga forca operative rezervë (ORF), ndërsa si përforcim do të vijnë edhe 150 të tjerë nga Ushtria e Austrisë.
Komanda Operative e Bundesverit në Postdam, shkruan "Spiegel", ka njoftuar deputetët federal se ka vendosur të dërgojë trupa shtesë në Kosovë.
Pjesëtarët gjermanë të ORF-it para pak javësh gradualisht kanë nisur të tërhiqen nga Kosova, pas vendosjes së tyre në gusht të vitit të kaluar. Por, prej 1 majit ata sërish do të jenë në përbërje të KFOR-it. Kontingjenti përbëhet nga një njësi mbrojtëse kundër armëve bërthamore, biologjike dhe kimike, si dhe një batalioni artilerie.
Komanda Operative ka vlerësuar se “për shkak të pozicionit të pajtueshëm të Serbisë dhe Kosovës përkitazi me mbajtjen e zgjedhjeve dhe për shkak të situatës në veri të Kosovës, ekziston rreziku nga përshkallëzimi", si dhe ekziston “rreziku i konsiderueshëm për konflikt në tërë Kosovën” .
Në Kosovë momentalisht janë të stacionuar 5.800 ushtarë, 1.300 e të cilëve janë nga Gjermania. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, e ka vlerësuar në shkurt situatën në Kosovë si komplekse, duke e cilësuar të paimagjinueshëm reduktimin e mundshëm të trupave të KFOR-it.

Giuliani nxit polemika në Beograd!

Kryetari legjendar i New Yorkut, Rudolph Giuliani, ka arritur në Beograd për ta këshilluar Aleksandar Vucicin, kandidatin e Partisë Përparimtare të Serbisë për kryetar të Beogradit. Por, ai nuk është i dëshiruar në Serbi, për shkak të mbështetjes së bombardimeve të NATO-s më 1999 e madje edhe invadimin tokësor për ta realizuar çlirimin e Kosovës.
Pas arritjes së tij në Beograd, Giuliani ka thënë se ndjehet mirë, edhe pse qyteti i duket në gjendje të keqe.
“Ndjehem i mirëseardhur nga ana e njerëzve. Disa më njohin, duan të flasin me mua, të fotografohem me mua”, ka thënë ai për Alo.
Por, njëjtë nuk mendojnë politikanët serbë. Ministri i Brendshëm serb, Ivicia Dacic, ka thënë për Blic se “nuk na duhen të huajt për të na treguar se çka i duhet Serbisë”. Ndërsa, kryetari i tashëm i Begradit, Dragan Dilas, dje ka thënë se ai nuk duhet të flas fare për të ardhmen e Beogradit.
“Për shkak të qëndrimeve të tij, njerëzit kanë jetuar 13 vite në qendra kolektive”, ka thënë ai për Tanjug, pasi ka inauguruar banesat për “refugjatët serbë nga Kosova”.
I pyetur nga gazetari i ditores Kurir se cilat janë qëndrimet e tashme të tij politike për Serbinë, Giuliani thotë se ju po flisni për kohë të kaluara.
“Do t’ua jap një perspektivë për Amerikën. Muajin e kaluar kam humbur një kushëri. Ishte polic në New York dhe në marinën amerikane, hero i madh i Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë edhe si polic. Ai luftoi kundër japonezëve si shumë të tjerë që janë të gjeneratës së prindërve të mi dhe për pak sa nuk e ka pësuar. Ka jetuar 86 vjet, ishte një hero i madh, heroi im. Ka shpëtuar tre persona në Urën e Brooklynit”, ka thënë ai.
“Pse po e them këtë? Për shkak se ai një nga miqtë e tij më të mirë ishte një japonez. Edhe unë kisha miq japonezë. Dua të them se kushëriri im vazhdoi tutje. Edhe unë, sikur gjenerata e prindërve të mi. Personalisht, kam më së shumti punë në Japoni. Çfarë ndodhi, ndodhi, dhe ne të gjithë ecëm tutje. Krejt kjo është pas nesh. Kjo vlen edhe për Gjermanin dhe Amerikën. Gjermanët kanë shkaktuar një luftë të tmerrshme në shekullin e njëzetë. Sot unë kam shumë miq gjermanë. Ne jemi përballur me problemet tona dhe i kemi zgjidhur. Ne kemi nevojë për të ecur përpara dhe t’i zgjidhim problemet që janë para nesh. Edhe Serbia e edhe Amerikan duhet të zhvillojnë marrëdhënie miqësore. Unë kam ardhur këtu për të dhënë këshilla se si ta përmirësonië zhvillimin ekonomik të vendit”.
Në pyetjen e ditores serbe Telegraf se si i komenton deklaratat e kryetarit të Beogradit, i cili ka kërkuar që ai të kthehet në shtëpi, Giuliani thotë se nuk e di çfarë ka ndodhur me të.
“Sidomos kur para dy ditësh më kanë thirre nga zyra e tij, më kanë thënë se ai më çmon dhe se do të takohet me mua... Jam i befasuar me reagimin e tij. Më vjen keq pse ai mendon ashtu”.
Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe serbe në Kosovë, më 1999, Giuliani i ka propozuar presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, që për parandalimin e gjenocidit në Kosovë duhet të dërgojë edhe trupat tokësore. Ai edhe në të ardhmen ka thënë se serbët në Kosovë kanë kryer gjenocid.
“Holokausti nuk është një incident i izoluar. Paragjykimet, urrejtja dhe emocionet e çoroditura që shkojnë përtej njerëzisë dhe ligjit, janë duke ndodhur tash në Evropa. Mu për këtë Amerika duhet ta luaj rolin e vet për ta ndalë gjenocidin në Kosovë. Presidenti Clinton duhet ta ketë një plan rezervë dhe në Kosovë të dërgojë trupat tokësore nëse kjo është e nevojshme”, ka thënë ai më 12 prill 1999, për New York Post.
Në një Seminar të NATO-s në Virginia më 11 tetor 2007, ai ka thënë se mbështet ndërhyrjen e NATO-s jashtë kufijve të saj. “Kjo së pari ka ndodhur në Bosnje më 1995, e pastaj katër vite më vonë me bombardimin e Serbisë dhe të Malit të Zi”.
“Për shkak të paaftësisë së OKB-së që vërtetë të reagojë, NATO e ka ndalur gjenocidin në Kosovë. Prandaj angazhohem për veprim më të madh të SHBA-ve, sidomos të NATO-s, në mbrojtjen dhe zgjerimin e rendit ndërkombëtar, si rend i paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, ka thënë tutje ai.
Ardhja e Giulianit në Beograd nuk paraqet mbështetje amerikane për ndonjë parti politike apo kandidat në Serbi, thuhet në një deklaratë të Ambasadës amerikane në Beograd, të cilën e transmeton Beta.
“Giuliani erdhi në Beograd me ftesë të Partisë Përparimtare të Serbisë, me të cilit kandidat për kryetar, Aleksandër Vucic, sot ka dalë për ta shikuar terrenin. Ai viziton Beogradin në cilëson e një figure private. Vizita e tij në asnjë rast nuk paraqet mbështetjen të SHBA-ve”, thuhet në deklaratë.
Në pyetjen e një gazetari serb se “për shkak të bombardimeve të NATO-s ka vuajtur Beogradi”, dhe se a ka mundur “t’i shoh dëmet e shkaktuara nga ajo periudhë”, Giuliani përgjigjet: “Po, por kjo nuk ka arsye që të tërheq vëmendjen e mediave”.
“Ju dhe kryetari i juaj duhet ta harroni dhe të ecni në të ardhmen, sepse nga e kaluara nuk jetohet”, ka thënë ai, transmeton B92. “Të gjitha luftërat janë pas nesh... Nëse doni bashkëpunim me Amerikën, harroni çka ka mbetur pas. Mendoni çka dhe si tutje”. 

Hoxhaj: Do t’i zhbëjmë ilegalët!

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se viti 2012 do të sjellë vendime të rëndësishme për veriun!
Hoxhaj ka thënë se gjatë këtij viti do të ketë vendimet të rëndësishme që do të merren në Prishtinë, të cilat do të sjellin deri te zhbërja e strukturave paralele dhe integrimi i veriut.
“Strukturat paralele në veri duhet të shpërbëhen në çdo formë”, ka thënë Hoxhaj për Epoka e Re, duke u shprehur kategorikishti kundër hapjes së pakos së Ahtisaarit apo dhënies së ndonjë statusi special për veriun.
Sipas ministrit, është punë javësh kur institucionet e Kosovës do ta pranojnë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Ndërsa, shton se në javët e ardhshme disa shtete do ta njohin Kosovën. 

Shefat vendosin për reformën zgjedhore

Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Blerim Shala e Behgjet Pacolli e kanë në dorë zhbllokimin e reformës zgjedhore. Ata duhet të arrijnë një marrëveshje për numrin e zonave zgjedhore dhe mënyrën e hapur apo të mbyllur për listat zgjedhore.
Deri më tash, partitë kryesore kanë dhënë propozime të ndryshme për zonat zgjedhore, duke ia pamundësuar Komisionit për Reformën Zgjedhore të marrë një vendim konsensual për të zhbllokuar përmbylljen e ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhje.
Kështu, PDK ka propozuar prej 6 e më shumë zona; LDK më shumë se dhjetë; AAK njëqind; Vetëvendosje, SLS dhe Gjashtë Plusi kanë propozuar të mbetet edhe më tutje Kosova me një zonë zgjedhore.
Asnjëri propozim nuk ka marrë shumicën e votave në Komisionin nëntë anëtarësh, shkruan Express.
Kryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, ka thënë se pas kësaj situate duhet të mblidhen liderët dhe të arrijnë një marrëveshje për numrin e zonave.
“Sa i përket zonave dhe listave zgjedhore, fjala e liderëve do të jetë vendimtare. Sepse, nëse do të kishim pasur ne anëtarët e Komisionit konsensus, atëherë nuk kishim pasur nevojë për ndihmën e liderëve. Mirëpo, situata ka qenë e tillë që pesë propozime dhe nëntë anëtarë nuk kemi mundur të arrijmë në marrëveshje”, ka thënë Demolli.
Sipas tij, liderët e partive politike kanë nisur takimet dhe diskutimet për të arritur një marrëveshje për zonat dhe listat zgjedhore.
Partitë politike, pas presionit ndërkombëtar, kanë arritur marrëveshje për të ndryshuar Ligjin e Zgjedhjeve dhe për të ndryshuar formën e zgjedhjes së presidentit. Se a do të ketë nevojë të përsëritet ky presion edhe për përmbylljen e procesit, Demolli thotë se për këtë vendosin liderët vendorë.
“Nuk mendoj se ka nevojë për presione. Besoj se do të ketë marrëveshje mes liderëve tanë”, ka thënë ai.
Mandati dymbëdhjetë muajsh i Komisionit për Reformën Zgjedhore përfundon të dielën.

Serbët veriorë sfidojnë edhe Beogradin

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë bërë gati për t’i mbajtur zgjedhjet lokale më 6 maj, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të Qeverisë në Beograd që këto zgjedhjet të mos mbahen, sepse “janë jashtë Rezolutës 1244”.
Udhëheqësit ilegalë të veriut kanë konfirmuar se janë bërë gati që më 6 maj të zhvillohen normalisht dhe pa asnjë pengesë zgjedhjet lokale.
I ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanovic, thotë për “Zëri” se këto zgjedhje Beogradi nuk do t’i pengojë, por as nuk do t’i njohë.
Ai sqaron se Beogradi tashmë do të merret me zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, të cilat sipas ti do të mbahen në Kosovë, ku do të hapen edhe qendra të votimit në çdo pjesë të saj.
“Unë personalisht pres nga Prishtina që të mos bëjë ndonjë veprim të keq”, u shpreh Ivanovic. 

Mesazhe “të montuara” në dosjen e Limajt

Fatmir Limaj ka dalë më optimist të premten nga Prokuroria Speciale se nuk do të ketë aktakuzë kundër tij.
Pesë rresht është marrë në pyetje nga një prokuror i EULEX-it nën dyshimin se është i përfshirë në katër vepra kriminale. Ka mohuar përfshirjen në to. Madje, po beson se një provë që i ka rënë në dorë prokurorit special të EULEX-it, Johannes Picke, do të tregojë se ky rast është i montuar.
Burime nga Prokuroria kanë thënë për Koha Ditore se prokurori ka folur për mesazhet telefonike të montuara në Policinë e Kosovës, duke inkriminuar Limajn në një transaksion në vlerë 500 mijë euro. Por, sipas këtij burimi, në atë mesazh të dërguar në celularin e ish-shefit të kabinetit të tij, Endrit Shala, në kohën kur Lima ishte ministër i Transportit, është përmendur një shifër prej 5 mijë euro si donacion për Degën e PDK-së në Ferizaj.
“SMS-i është montuar nga një hetues i Policisë së Kosovës”, ka thënë burimi.
Tërthorazi, këtë e ka konfirmuar edhe avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.

Ferguson: Kemi marrëveshjen për Pogban

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka pranuar se Djajtë janë duke pritur vetëm nënshkrimin e Paul Pogbas, në mënyrë që ai të vendosë qëndrimin e tij në Old Trafford.
Talenti 19 vjeçar është kërkuar nga disa skuadra të mëdha evropiane, por duke parë potencialin e tij, skocezi ka dashur që ta lidhë atë me një kontratë tjetër.
“Djaloshi ka potencial të madh dhe ai është te klubi i duhur. Ai duhet ta marrë atë vendim. Ne kemi arritur marrëveshjen me agjentin e tij. Tani është në dorën e djaloshit”, ka theksuar Ferguson.

Wenger: Të kënaqur me vendin e tretë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se ai do të ishte i lumtur po që se ekipi i tij përfundon në vendin e tretë në Ligën Premier, edhe pse ky nuk ishte synimi në fillim të sezonit.
“Ne duam më shumë, por për momentin ne do të ishim të kënaqur me vendin e tretë, sepse ka ekipe tjera që dëshirojnë të jenë aty me çdo kusht”.
“Gjithmonë dëshironi më shumë, por shihni se sa i vështirë është kampionati në Angli – Chelsea tani është në Ligën e Kampionëve ndaj Barcelonës, por është në vendin e gjashtë për moment, që do të thotë se nuk është lehtë. Ne duam të fitojmë ndeshjen e radhës dhe të sigurojmë kualifikimin në Ligën e Kampionëve”, ka potencuar Wenger.

Zarate: Stramaccioni ma ktheu besimin

Sulmuesi i Interit, Mauro Zarate, është shprehur se trajneri i Interit, Andrea Stramaccioni ia ka kthyer besimin duke e inkuadruar më shpesh në ndeshjet vendimtare të Interit.
“Duke më dhënë rastin për të luajtur dhe duke më thënë të bëj atë që di më së miri vërtet më ka bërë të rifitoj besimin në vetvete”.
“Stramaccionit i pëlqen të sulmojë. Ai dëshiron që sulmuesit të bëjnë diferencën dhe për lojtarët që kërkojnë të driblojnë sikurse unë, kjo është me rëndësi”, është shprehur Zarate para ndeshjes ndaj Fiorentinës të dielën.

Xavi: Kam qenë kanceri i Barçës

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thumbuar ish-trajnerin Frank Rijkaard, duke thënë se holandezi kishte qasje fizike ndaj lojës dhe s’kishte besim në të.
Rijkaard drejtoi Barcelonën nga viti 2003 deri në vitin 2008, duke fituar dy tituj të La Ligas dhe një Ligë të Kampionëve. Por, Xavi beson se 49 vjeçari më shumë i ka dhënë rëndësi fizikut se sa talentit, gjë që e ka bërë Xavin të ndihet kancer i ekipit.
“Rijkaart nuk më besoi. Ai kërkoi që loja jonë të bazohet në superioritet fizik. Ai besoi se kjo ishte mënyra e vetme për të qenë në nivel me ekipet tjera të mëdha evropiane. Katër vite më parë, unë jam konsideruar i tmerrshëm dhe i pa dobishëm. Isha kanceri i Barcelonës. Një lojtar që është 1.70 cm i gjatë nuk duhej të luante sipas Rijkaard”, ka theksuar Xavi. 

Matri: Duhet të mbesim të fokusuar

Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri, mendon se Bianconerët nuk duhet të humbasin fokusin e tyre në fund të sezonit dhe se është koha që ata të ëndërrojnë për ty tituj.
“Në fillim të sezonit ne vështirë se kemi menduar që do të jemi në vendin e parë gjashtë javë pa përfunduar kampionati dhe në finale të Coppa Italias. Por, teksa muajt kalonin, ne e kemi kuptuar se jemi të fuqishëm dhe mund të fitojmë tituj”.
“Ne aktualisht jemi në një moment vendimtar të sezonit dhe nuk duhet të dorëzohemi, ne duam të arrijmë të gjitha synimet dhe të plotësojmë ëndrrën që të fitojmë dy tituj”, ka thënë Matri.

Rossell: Kurrë nuk do ta shesim Messin

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka pohuar se përderisa një klub privat do të tentonte të përfitonte nga Lionel Messi, Barcelona nuk do ta marrë parasysh këtë në të ardhmen.
Rossell beson se Barcelona gjithmonë do të jetë e motivuar nga sukseset dhe jo nga përfitimet financiare, duke shfrytëzuar futbollistin më të mirë në botë për ta konfirmuar këtë.
“Messi nuk është në shitje. Një korporatë do ta kishte shitur atë sepse kompania përfiton të holla. Por, kjo nuk do të ndodhë kurrë te ne”, ka theksuar Rosell për L’Equipe.

Van Persie: Duhet ta mposhtim Chelsean

Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie, ka këmbëngulur se ekipi i tij duhet ta mposhtë Chelsean nëse dëshiron të mbajë shpresat për një vend të katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
“Ne duhet të fitojmë, është shumë e thjeshtë dhe unë mund të premtoj se do ta kërkojmë këtë në Emirates. Ne kemi dëshmuar se mund të luajmë mirë në ndeshjet e mëdha ndaj top ekipeve”.
“Të gjithë mezi e presin ndeshjen dhe kërkojnë fitoren pas humbjes nga Wigani. Ne kemi gjithçka që na duhet për të shfaqur një performancë tjetër epike ndaj Chelseat në mënyrë që ta sigurojmë vendin në Ligën e Kampionëve”, ka thënë holandezi.

Marchisio: Ecuria nuk vlen pa titull

Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka thënë se për Bianconerët nuk do të vlejë asgjë ecuria e pa mposhtshmërisë në rast se Zonja e Vjetër dështon ta fitojë titullin.
“Është një luftë me Milanin. Ne jemi të pa mposhtur dhe kjo na bën krenarë, por duam ta mbajmë këtë ecuri me kusht që ta fitojmë dhe titullin në fund”.
“Roma është ekip i shkëlqyer dhe ata janë në formë të mirë. Ata kanë treguar rëniet dhe ngritjet e tyre, por kanë kampionë të mëdhenj në ekip dhe ne do të përballemi me ta me respekt të plotë”, është shprehur Marchisio. 

“Reali të frikësohet nëse humb në El Clasico”

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Fernando Morientes, beson se fitorja e Barcelonës sonte mbrëma në El Clasico vetëm sa do të rriste frikën në zemrat e lojtarëve dhe tifozëve të klubit mbretëror.
“Nëse Barcelona fiton, atëherë ata mbushin me frikë Realin dhe kjo për shkak të reduktimit të distancës prej 10 pikësh. Aspekti psikologjik do të jetë faktor vendimtar në këtë ndeshje. Reali nuk mund të luajë për barazim. Ata duhet të shkojnë për të fituar, të sulmojnë dhe të luajnë futbollin që lojtarët e Realit dinë ta luajnë”.
“Nëse ndeshja vështirësohet, atëherë ata mund të mendojnë për barazim. Sidoqoftë, ekziston shumë rrezik i madh kur mendon të mbrohesh ndaj një ekipi si Barcelona”, ka potencuar Morientes para duelit.

Lescott: Nuk lejojmë United ta fitojë titullin

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Joleon Lescott, ka deklaruar se ekipi i tij do të bëjë ç’mos në mënyrë që të mos lejojë që Manchester United ta fitojë titullin këtë sezon.
“Ne e dimë se ata mund ta fitojnë titullin në stadiumin tonë. Nëse ata na mposhtin, atëherë mendoj se për ne do të ishte njëjtë sikurse dhimbja që ata pësuan pas humbjes prej 6-1 në tetor në Old Trafford”.
“Por, s’ka lidhje çfarë ndodh këtë fundjavë, ne do të tentojmë ta fitojmë derbin, pa marrë parasysh nëse luhet për titull apo vetëm për tifozët. Nëse ata mund të ngrisin titullin në shtëpinë tonë, atëherë ne do të bëjmë ç’mos që kjo të mos ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, ka thënë Lescott.

Di Matteo: Drogba duhet të rinovojë

Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo, ka këmbëngulur se sulmuesi Didier Drogba duhet të qëndrojë te Chelsea edhe pas përfundimit të këtij sezoni.
34 vjeçarit do t’i skadojë kontrata në fund të sezonit dhe pas paraqitjeve kruciale për klubin nga Stamford Bridge, është menaxheri i ri ai që ka shprehur dëshirën që Drogba të qëndrojë.
“Didier është i përgatitur fizikisht dhe ai natyrisht se është në gjendje që të luajë në Ligën Premier për Chelsean, ose për ndonjë klub tjetër vitin e ardhshëm. Ai mund të luajë edhe për shumë vite në nivelin më të lartë. Ai nuk dëshiron të pensionohet”, është shprehur Di Matteo.

El Clasico - fakte interesante

Sonte mbrëma me fillim nga ora 20:00, në tempullin mitik të futbollit botëror, folenë e katalanasve, Camp Nou, Barcelona ka një mision të vështirë – o gjithçka, o asgjë, ndaj një ekipi galaktik plot yje, është rivali Real Madrid që pas një kohe të gjatë ka në duar gjërat...i ka në duar Blaugranët.
A e dini se?
Barcelona ka një ecuri prej 11 fitoreve radhazi në La Liga, duke shënuar 33 gola dhe duke pranuar vetëm 8 gola.
Katalanasit kanë shënuar 167 gola në të gjitha garat këtë edicion, 15 më shumë se sa në tërësi sezonin e kaluar.
Ecuria e tanishme prej 54 ndeshjeve pa humbje në shtëpi e Barcelonës në të gjitha garat është ecuria e dytë më e gjatë në histori të klubit. Rekordi është 73 ndeshje pa humbje në Camp Nou në sezonet 1973 deri 1976.
Lionel Messi ka shënuar 29 gola në 16 paraqitjet e fundit për Barcelonën dhe kombëtaren argjentinase.
Real Madridi është po ashtu në një ecuri të jashtëzakonshme prej 18 ndeshjeve pa humbje (15 fitore, 3 barazime). Humbja e fundit e Los Blancos është pikërisht ndaj Barcelonës me rezultat 3-1 më 10 dhjetor.
Los Blancos ende janë në kërkim të fitores së parë në La Liga ndaj rivalëve të përbetuar që prej angazhimit të Pep Guardiolës në vitin 2008 (1 barazim, 6 humbje).
Në 14 ndeshje ndaj ekipit të Pep Guardiolës në të gjitha garat, Real Madridi ka 1 fitore, 4 barazime dhe 9 humbje, teksa fitorja e vetme është pas vazhdimeve në finalen e Copa del Rey.
Nëse Reali shënon të shtunën ndaj Barcelonës, atëherë ekipi do të thyejë rekordin prej 107 golave të shënuar në La Liga për një sezon, të vënë nga vet ekipi madrilen i John Toshack në sezonin 1989/1990.
El Clasico
Gjithsej janë zhvilluar 249 ndeshje El Clasico ku:
Real Madridi ka 90 fitore
Barazime janë 55
Barcelona ka 104 fitore

Në këto 249 ndeshje, në El Clasico janë shënuar 836 gola:
Real Madridi ka shënuar 404 gola
Barcelona ka shënuar 432 gola
Barcelona është klubi më i trofeshëm në Spanjë me 75 tituj zyrtarë të fituar, kurse Real Madridi ka 74 tituj zyrtarë të fituar në histori. 

Selena Gomez e poshtëruar nga puthja e Bieber

Puthja e Selena Gomez në publik gjatë një ndeshje të basketbollit me të dashurin e saj Justin Bieber ishte gjëja më poshtëruese që asaj ka mundur t’i ndodhë ndonjëherë.
Aktorja dhe i dashuri i saj ishin duke shikuar Lakersat në aksion të hënën, kur papritmas janë zënë nga kamera e stadiumit, që regjistron çiftet që janë duke u puthur gjatë ndeshjes.
“Është gjëja më poshtëruese që ka mundur të më ndodhë ndonjëherë”, është shprehur Selena. 

“Ndoshta Tupac nuk ka vdekur...”

Moguli i rapit, Marion ‘Suge’ Knight, vetëm sa ka shtuar teoritë konspirative që sugjerojnë se reperi legjendar 2pac është ende gjallë, duke ua kujtuar fansave të tij se askush nuk e kishte parë ikonën e hip-hopit të vdekur.
Knight i bëri këto komente për Tupac gjatë një paraqitje në një radio të Los Angelesit të premtën, vetëm pesë ditë pasi rivalët e tij Snoop Dogg dhe Dr. Dre sollën në mënyrë holografike legjendën në skenën e festivalit Coachella, një gjë që la të shtangur miliona adhurues të hip-hopit anë e mbanë botës.
Dhe, përderisa bota ka filluar të flasë përsëri për reperin legjendar, është Knight ai që ka shfrytëzuar rastin për të sugjeruar se shoku i tij i vjetër është gjallë, mirë dhe duke u fshehur.
Knight, i cili ishte së bashku me Tupac Shakur në Las Vegas mbrëmjen kur ai është vrarë në vitin 1996, ka folur për arsyen se pse ende vrasja e ‘Makavelit’ mbetet e pa zgjidhur e që sipas tij është vetëm një sajim dhe në fakt nuk është vrarë vërtet.
“Ndoshta pyetja është...Tupac ndoshta nuk ka vdekur...ndoshta Tupac është diku tjetër duke na dëgjuar”, ka theksuar Knight.
Dhe, për të përkrahur teorinë e tij, Knight ka zbuluar se ai nuk e ka parë Tupacun as gjatë incidentit.
“Askush nuk e ka parë Tupacun të vdekur”, përfundoi Knight.

Rap superylli Tupac Amaru Shakur është vrarë në vitin 1996 në Las Vegas. Ai konsiderohet si një prej ikonave të hip-hopit të krahut ‘West Coast’ dhe një prej reperëve më të mirë që ekzistuar në histori.

Rihanna, foto intime në Twitter

Pop ylli, Rihanna nuk ka hezituar që në rrjetin social ku ka hiç më pak se 17.5 milionë ndjekës, Twitter, të publikojë disa foto që e shfaqin atë pothuajse të zhveshur nga lart.
Këto foto Rihanna i bëri publike në rrjetin social pas publikimit të disa fotove tjera më parë që e shfaqnin atë në pushime në Hawaii.
Rihanna shpeshherë ka ditur të jetë kontraverse me postimet e saj në Twitter ashtu si me imazhet e lansuara në publik, teksa jeta e shfrenuar e saj nuk është tashmë as fshehtësi e as diçka e çuditshme.