Kuvendi “mbyll sytë” para financimit të strukturave paralele

Kuvendi i Kosovës ka dhënë pëlqimin për ndarje të mjeteve buxhetore për Komunën e Mitrovicës, pa e ditur se një pjesë e atyre mjeteve do të shfrytëzoheshin nga strukturat paralele serbe të dirigjuara nga Beogradi.
Kështu, të paktën, sigurojnë dy udhëheqësit e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Safete Hadergjonaj e PDK-së dhe Naser Osmani i LDK-së.
Si njëri ashtu edhe tjetri, kanë deklaruar për “Kohën Ditore” se asnjëherë në komision nuk është shtruar çështja e ndarjes në linja të veçanta të buxhetit për veriun apo për Zyrën e UMMIK-ut në veri të Mitrovicës, që ndryshe njihet si UAM, por gjithmonë buxheti për Mitrovicën është trajtuar brenda një tërësie.
Ndryshe nga parlamentarët, zyrtarët komunalë të Mitrovicës, e pranojnë se që nga paslufta kanë qenë të obliguar ta ndajnë 25 për qind të buxhetit të komunës për pjesën veriore të qytetit. 

Serbia të dënohet nëse mban zgjedhje në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që zgjedhjet lokale serbe të mos mbahen në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas tij, në këtë aspekt duhet të ketë edhe presion ndërkombëtar.
“Nëse Serbia kjo nuk i respekton kushtet e parashtruara nga BE-ja, atëherë duhet të ndëshkohet”, ka thënë Rexhepi, për të shtuar se janë spekulime lajmet se në pjesën veriore nuk ka doganierë dhe policë të Kosovës.
“Atje pikat kufitare kontrollohen nga policia dhe doganierët e Kosovës”, deklaron ministri i Brendshëm
Këto komente ai i ka bërë të shtunën pas nënshkrimit të marrëveshjes me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bujar Nishani, ku parashihet të bashkëveprimi i dyanshëm në luftën e kundër krimit të organizuar. 

Kosova kushtëzon negociatat BE-Serbi

Shefja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, ka thënë se për nisjen e negociatave me BE-së, Serbia duhet të ketë qeveri pro-evropiane.
Për arritjen e një qëllimi të tillë, Pack ka thënë se duhet të zbatohen edhe marrëveshjet e arritura në dialogun e autoriteteve serbe me ato kosovare.
“Data varet nga rezultatet e Qeverisë dhe të Parlamentit të Serbisë në zbatimin e reformave dhe atë në të gjitha fushat politike. Po ashtu është e nevojshme që të nisë zbatimi në praktikë i të gjitha marrëveshjeve me Kosovën. Natyrisht, me rëndësi është edhe normalizimi i situatës në veri të Kosovës”, ka thënë Pak për mediat serbe, transmeton REL.
Sipas saj, euro-integrimi i Serbisë është i lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, çfarë, sipas parlamentares evropiane, krijon hapësirë për punë intensive në fushat e ekonomisë, infrastrukturës dhe arsimit.
“Kjo punë do t’iu shërbente të gjithë qytetarëve”, ka thënë Pack.
E pyetur se çfarë mendon për zgjerimin e Bashkimit Evropian në kohën kur blloku po përballet me krizë financiare, ajo ka thënë se procesi i zgjerimit vazhdon për tërë rajonin.
“Shpresoj se kriza do të marrë fund para se vendet, që duan të jenë pjesë e BE-së, të përfundojnë negociatat!
Në fillim të këtij muaji, Serbia ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Kandidatura e shtetit serb ka ndodhur pas arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas kësaj marrëveshjeje të arritur më 24 mars në Bruksel, Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale me fusnotën, e cila përmban Rezolutën 1244 të OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Një milion për një njohje

Secila njohje që ka marrë Kosova gjatë vitit të kaluar, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 1 milion euro. Kjo shumë është nxjerrë nga shpenzimet jashtë shtetit të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, mëditjet e tyre, dhe shpenzimet tjera të udhëtimit. Në këto shpenzime nuk llogaritet kontrata e veçantë e nënshkruar muaj më parë me kompaninë amerikanë “Patton Boggs LLP”, e cila udhëhiqet nga Frank Wisner.
Zyrtarisht nuk raportohen shuma të shpenzuara në këtë drejtim as nga Ministria e Financave, por as nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërkohë, burime të “Zërit” brenda qeverisë kanë bërë me dije se 5 për qind e shumës totale prej 386 milionë eurove sa janë të ndara në linjën buxhetore për paga dhe mëditje për zyrtarët e qeverisë, del që për vitin e kaluar janë shpenzuar 19.3 milionë euro, pjesa më e madhe për vizitat që kanë pasur të bëjnë vetëm me njohjet e shtetësisë së Kosovës.
Kur llogaritet numri i njohjeve dhe paratë e shpenzuara, del se mbi 1 milion euro ka kushtuar një njohje e fituar. 

Ëndrra evropiane e Ballkanit

Ndonëse BE përballet me sfida të ashpra nga ekonomia e dobësuar e përpjekjet për të shmangur katastrofën financiare në Greqi, Portugali e Spanjë, anëtarësimi në konfederatë mbetet një qëllim i rëndësishëm i vendeve në Ballkanin Perëndimor.
Kroacia është caktuar të bëhet anëtari i 28-të i BE-së vitin e ardhshëm dhe Maqedonia po bën fushatë për një ftesë këtë pranverë. Serbia po feston statusin e saj të sapo fituar të kandidatit të BE-së, ndërsa Kosova, e pavarur për vetëm katër vjet, vetëm sa po fillon procesin.
"Nuk ka rrugë më të mirë për vendet tona evropiane dhe rajonin sesa integrimi, ndarja e vlerave e parimeve tona të përbashkëta, lirisë së lëvizjes e mallrave, respektit të të drejtave njerëzore, feve e kulturave", tha për SETimes Tanja Fajon, raportuesja e Parlamentit Evropian mbi liberalizimin e vizave për Ballkanin Perëndimor.
Ministri serb i Mjedisit, Minierave e Planifikimit Hapësinor, Oliver Dulic tha se anëtarësimi në BE do të thotë një certifikatë e vlerësimit të kredisë së vendit e sigurisë për investitorët.
Danica Popovic, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Beogradit dhe një eksperte në teorinë e modelet makroekonomike, beson se pavarësisht nga kriza me euron, BE është zgjidhja më e mirë për Serbinë; duke ditur sistemin e dobësuar monetar të saj.
Megjithatë të tjerë janë në merak nga pranimi.
"Do të përfundojmë si Greqia. Nuk do të jemi kurrë të lirë nga skllavëria që ata detyrojnë me kreditë e tyre", tha shoferi i taksisë nga Beogradi, Prvoslav Tanaskovic.
Në Maqedoninë fqinje, Antonio Milososki, president i komisionit të politikës së jashtme të Parlamentit, tha se BE nënkupton stabilitet.
“Anëtarësimi është i rëndësishëm për shkak të rritjes së mundësive që do të hapen", thotë zëvendësKryeministrja për Integrimin në BE, Teuta Arifi.
Velimir Simonovic, një student i teknologjisë së informacionit e elektronikës është i një mendje.
"Hyrja në BE do të thotë hapje e tregut për investime nga ndërmarrje të huaja e do të hapë vende pune të reja, si një politikë e drejtpërdrejtë e vendit tonë. Gjithashtu, kjo do të thotë hapje e një mundësie për eksportet maqedonase", tha ai.
Ministrja e Kosovës për Integrimin Evropian, Vlora Çitaku, thotë se historia ka treguar se edhe në të kaluarën ka pas kriza ekonomike.
“Evropa është në një krizë tani, por mund të themi në të njëjtën kohë ka një mirëkuptim e solidaritet mes anëtarëve të saj për të kapërcyer këtë krizë", thotë Çitaku.
Fatmir Curri, koordinator i programit të integrimit në Fondacionin e Shoqërisë Civile të Kosovës, thotë se BE ka ende vlerë sepse ofron siguri e stabilitet në kontinentin e vjetër; ofron mundësi e një treg për të bërë biznes.
“Është një mjedis me standarde të nivelit të lartë të sigurisë e sipërmarrjes dhe pavarësisht sesa i zhvilluar një vend mund të jetë, ai ka nevojë të jetë pjesë e një njësie të tillë si BE".
Për banorin e Prishtinës, Egon Musliu, 25 vjeç, hyrja në BE do të thotë respektimi i disa parimeve që janë të domosdoshme, si shteti i së drejtës e lufta ndaj korrupsionit.
“Kur këto parime të zbatohen, atëherë gjendja ekonomike përmirësohet", thotë Musliu. “Megjithatë, politikanëve të Kosovës u mungon vullneti për të bërë këto gjëra. Për aq sa të jetë ashtu, BE është shumë larg".
Fajon mendon se se pranimi i suksesshëm i Kroacisë vitin e ardhshëm është një mesazh i rëndësishëm se BE është ende e vlerësuar, pavarësisht nga kriza me të cilën përballet.
"Suksesi i pranimit në BE të Ballkanit Perëndimor është i nevojshëm si një pjesë e suksesit të përgjithshëm të Evropës për të vendosur veten si një faktor i fuqishëm e i besueshëm botëror në botën e sotme dhe të nesërme. Integrimi evropian është suksesi më i madh politik e ekonomik në historinë e Evropës".

Ischinger: Fusnota, shans për Kosovën

BE duhet të bindë edhe pesë vendet tjera që të njohin Kosovën, thotë Wolfgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Munihut për Siguri dhe ish-ndërmjetësues e BE në dialogun Kosovë-Serbi.
“Dëshiroj që në një të ardhme të shpejtë të mund të bindim ndonjë prej këtyre pesë vendeve që ardhmëria e Kosovës, ashtu sikur edhe Serbisë, është në BE. Anëtarësimi i Kosovës në BE nënkupton që ajo të njihet nga të gjitha vendet anëtare si shtet. Ky hap është i rëndësishëm dhe dikur duhet të bëhet”, ka thënë Ischinger në një intervistë për DW. “Në qoftë se vetëm një prej tyre e bën këtë hap, atëherë me siguri që herët apo vonë do të pasojnë edhe vendet tjera.
Fusnota në mbishkrimin e Kosovës, ku përmendet edhe Rezoluta 1244, ka shkaktuar reagime të shumta si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pala serbe pohon se në këtë mënyrë është pranuar se kjo rezolutë ende është gjallë dhe se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndërkohë që qeveria në Prishtinë thotë se me këtë marrëveshje Serbia e ka bërë hapin e parë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ischinger e sheh fusnotën si një shans për Kosovën.
“Mua ende më kujtohen kohërat kur ne në Republikën Federale Gjermane flisnim për ‘të ashtuquajturin DDR’ (Gjermania Lindore). Nga perspektiva e sotme kjo duket qesharake. Kjo vlen edhe për Kosovën me këtë yll (fusnotë). Pas 20 vitesh njerëzit do të qeshin me këto pohime. Ky është një gjysmëhap, ndoshta i domosdoshëm në këtë moment”.
Në pyetjen se a ekziston rreziku që kjo fusnotë të jetë bazë për nxitjen e kërkesave të reja të Serbisë ndaj Kosovës, Ischinger thotë se ky rrezik nuk ekziston.
“Besoj se është shumë me rëndësi që BE-ja t'ia bëjë Beogradit të qartë se ne e dimë që ndërkohë është shtuar numri i serbëve të mençur, jo vetëm në Beograd, të cilët e kanë kuptuar se kërkesat e Serbisë ndaj Kosovës nuk kanë kurrfarë baze reale”.
Ai thotë se e kaluara nuk mund të harrohet aq shpejt, prandaj është e rëndësishme që Serbia të ketë kohë të mjaftueshme për t'u përballur me këtë realitet.
“Ndërkohë, detyra jonë është që Beogradit t'ia bëjmë të qartë se nuk do të ketë afrim me BE-në, në qoftë se nuk i jepet fund kapitullit dhe kërkesave që Kosova të jetë e Serbisë”.
Kur është fjala te integrimi i Serbisë në BE, Ischinger thotë se kjo varet nga raportet që Beogradi i ka me Prishtinën. Ndërsa, shton se “guxojmë të lejojmë që Kosova të mbetet mbrapa”.
“Treni duhet të shkojë së bashku përpara. Afrimi i Serbisë me BE-në duhet të nënkuptojë edhe afrimin e Kosovës me BE-në”. 

Legale janë vetëm zgjedhjet sipas ligjeve të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë të pesë vendet e BE që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta rishqyrtojnë qëndrimin që kanë, thotë zëvendësndihmës-sekretari amerikan, i angazhuar për Ballkanin, Philip Reeker.
Zgjedhjet lokale në veri, që nuk do të mbahen sipas ligjeve të Prishtinës, nuk do të jenë legjitime, shton Reeker.
“Zgjedhjet e tilla nuk duhet të mbahen ", u tha ai gazetarëve në Washington, duke theksuar se njohja e universale e Kosovës është e rëndësishme për stabilitetin në rajon.
Sipas tij, dhënia e statusit të kandidatit për BE është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Serbisë, por e theksoi po ashtu rëndësinë e vendimit për të filluar punën mbi studimin e fizibilitetin për Kosovën, si një hap i parë praktik në integrimin e evropian të Kosovës, nga i cili përfiton tërë rajoni.
Reeker ka thënë se të dy shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të punojnë në implementimin e marrëveshjeve të arritura, sidomos në menaxhimin e integruar të kufirit.

Vlen aq sa të njohshëm ke!

Pavarësisht a kanë të kryer fakultet apo master, punonjësit e Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë janë të një niveli me punonjësit që kanë të kryer vetëm shkollën e mesme.
Madje, këta të fundit ka raste kur pas trajnimeve që mbajnë, marrin grada përbrenda qendrës korrektuese edhe më të mëdha se ata të cilët për vite të tëra u kanë qëndruar besnikë librave, duke përfunduar kështu fakultete e madje edhe studime master.
Kështu ka ngjarë me punonjësit e kësaj qendre gjatë muajit shkurt, kur është organizuar një konkurs interno për oficerë të Qendrës, me qëllim të avancimit të tyre si instruktorë pas trajnimeve që mbahen në shkollën policore në Vushtrri. Këtij konkursi interno i ishin nënshtruar dhjetë oficerë të kësaj qendre, prej tyre katër me përgatitje superiore në shkollim.
Mirëpo, menaxhmenti i qendrës në fjalë, pa organizuar intervista, por vetëm në bazë të “lëvdatave” kishte përzgjedhur oficerin Bujar Bajrami për të shkuar dhe për të vijuar trajnimin.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, të afërta me Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ky i fundit është i afërm i deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajramit. 

Trajneri i Betis pret shpërthim të Ronaldos

Trajneri i Betisit, Pepe Mel, pret që Cristiano Ronaldo të shpërthejë dhe të shënojë gola, pasi që ka ndodhur në raste të shumta këtë sezon kur portugezi u është përgjigjur performancave hyjnore të Lionel Messit.
“Deri tani këtë vit, sa herë Leo ka shfaqur performancë të shkëlqyer, Cristiano Ronaldo është përgjigjur menjëherë”.
“Cristiano Ronaldo mund të na shkatërrojë me shpejtësinë e tij dhe me urinë për tituj. Por, ai nuk është i vetmuar në skuadër. Kaka, Ozil, Higuain, Khedira, Alonso, ata kanë shumë lojtarë të mëdhenj”, u shpreh Mel. 

Mazzarri: Nuk bëjmë lëshime sikur Milani

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ishte plot vërejtje për ekipin e tij pas fitores prej 6-3 ndaj Cagliarit, duke thënë se gabimet në mbrojtje nuk duhet të përsëriten as se si ndaj Chelseat, pasi nuk duhet të përsëritet ajo që i ndodhi Milanit në Emirates.
“Unë jam i hidhëruar sepse, edhe pse kjo ishte ndeshje e mbyllur për nga rezultati, ne nuk është dashur të pranojmë dy golat e fundit. Ne nuk mund të relaksohemi, jo për momentin, pasi do të pranojmë gola. Ne duhet të reflektojmë ndaj kësaj”.
“Ne do të punojmë në këtë aspekt. Nuk i ka ndodhur vetëm Napolit, e kemi parë se çfarë i ndodhi Milanit. Ne nuk duhet të jemi të relaksuar nga fillimi, nuk duhet të mendojmë për avantazhin që kemi, por të luajmë në mënyrën se si ne dimë më së miri”, u shpreh Mazzarri.

Neymar: Shpresoj të arrij nivelet e Messit

Superylli brazilian, Neymar, ka deklaruar se ai shpreson që një ditë të arrijë nivelet e futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messi, për t’u konsideruar më pas më i miri në glob.
“Ky i ashtuquajtur rivalitet mes Messit dhe meje nuk ekziston. Ai është në një nivel tejtër. Unë tashmë e kam thënë më parë se ai është lojtari më i mirë në botë. Nuk kam dyshime për këtë”.
“Unë e konsideroj veten tifoz të Messit dhe shpresoj që ai të shfaqë edhe më shumë paraqitje të mrekullueshme sikurse ndaj Leverkusenit. Unë po bëj ç’mos që një ditë të arrij nivelet e tij”, tha Neymar. 

Gjyshi i Messit: Kam një nip tjetër si Leo

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, duket se ka një kushëri që është po aq i talentuar sa ai, gjithnjë sipas gjyshit të sulmuesit argjentinas.
Sipas Antonio Cuchitinit, 13 vjeçari Bruno Biancucchi, i cili luan për akademinë e Renato Cesarinit në Rosario, ka të gjitha cilësitë për t’u bërë sikurse kushëriri i tij i madh Lionel Messi.
“Kam një nip tjetër, nga një tjetër vajzë e imja, i cili është vëllai i dy fëmijëve tjerë të saj që luajnë në Paraguay dhe i cili luan sikurse Leo Messi. Bruno ka frikë. Ai nuk dëshiron të largohet sikurse Messi që tani nga Argjentina. Ai ka frikë se e marrin në Evropë dhe ai nuk mund ta shohë më nënën. Ai e do shumë atë”, u shpreh gjyshi i Messit.

Ranieri i qetë pas fitores

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka ripërsëritur se ka përkrahjen e plotë të zyrtarëve të klubit nga Giuseppe Meazza, por shtoi se ai është më i qetë pas fitores ndaj Chievos në transfertë.
“Massimo Moratti ishte i kënaqur dhe na përgëzoi. Presidenti gjithmonë më ka dhënë përkrahjen e plotë dhe unë kam përkrahje të madhe nga ai. Unë jam i qetë dhe mendoj se presidenti është i qetë po ashtu. Unë po e bëj punën time”.
“Unë jam i kënaqur me lojtarët. Luajtëm vërtet mirë dhe merituam këtë fitore pas një muaji shumë të keq. Ky rezultat sigurisht se na jep besim dhe jam i sigurtë se San Siro do të jetë i mbushur plot ndaj Marseille. Synimi jonë janë çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Unë dua të falënderoj lojtarët, ata më në fund luajtën sikur Interi”, u shpreh Ranieri.

Wenger: Nuk mund ta mbylli gojën e Mancinit

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se ai nuk mund të ndalojë njerëzit që të flasin për të ardhmen e sulmuesit Robin Van Persie, por është i bindur se holandezi nuk do të preket nga spekulimet.
Roberto Mancini kishte shprehur hapur dëshirën për të transferuar holandezin te Manchester City dhe megjithëse kjo nuk i pëlqeu francezit të klubit nga Emirates, ai nuk mund të ndalë rivalin të flasë për këtë.
“Unë nuk mund të ndaloj të tjerët të flasin për Van Persien. Në një botë ideale, ndoshta, por kjo nuk më intereson dhe aq. Van Persie është lideri i klubit tonë dhe unë dua të specifikoj se ai nuk është ende jashtë kontratës. Ai ka kontratë deri në vitin 2013. Kështu që, ne punojmë derisa kjo kontratë të jetë në fuqi”, tha Wenger.

Mourinho: Të drejtosh Realin, fantastike

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka shprehur besimin e tij se drejtimi i klubit nga Bernabeu ishte i nevojshëm për të, për të vërtetuar nëse është një prej trajnerëve më të mëdhenj në botë.
“Unë jam ndjerë mirë te Interi, por mendova se nëse drejtoj Realin në një moment gjatë karrierës time, do të isha prej më të mëdhenjve”.
“Ka shumë aspekte pozitive dhe negative gjatë kohës time këtu, sikurse çdo gjë tjetër në jetë, por përvoja është e pa harrueshme dhe fantastike, pasi që më jep hapësirën për t’u përmirësuar”, u shpreh Mourinho. 

Cesc: Barca, grupi më i mirë që kam parë

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, e ka përshkruar ekipin e Barcelonës si grupin më të mirë të futbollistëve që ai ka parë ndonjëherë.
“Në stërvitje është e pa besueshme. Ky është grupi më i mirë i futbollistëve që kam parë ndonjëherë në jetën time. Nëse do të kishit rastin për të parë ndonjë seancë stërvitore, atëherë nuk do ta besonit”.
“Cilësia është e pa besueshme. Unë kurrë nuk kam parë ose përjetuar diçka të tillë. Secili është aq i mirë dhe atmosfera është një atmosferë që kurrë nuk e kam parë në jetën time”, u shpreh Cesc. 

Dalglish i kënaqur me formën

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, shpreson që Liverpooli mund të mbajë formën impresive në udhëtim në sfidën ndaj Sunderlandit që zhvillohet të shtunën.
“Shumë performanca nështpëi kanë qenë të cilësisë së lartë, por ka disa që nuk kanë qenë të mira, ndërsa rezultatet në udhëtim kanë qenë të përkryera”.
“Ne nuk ndryshojmë varësisht nga vendi kur luajmë. Ne gjithmonë duam të fitojmë ndeshjet dhe gjithmonë vëmë një formacion që mendojmë se është fitues. Ne duam të fitojmë edhe në shtëpi edhe në udhëtim, pa përjashtim”, u shpreh Dalglish. 

Rihanna, foto seksi për Armanin (foto)

Rihanna është shfaqur edhe njëherë tejet joshëse, pasi ka pozuar për një reklamë të gjigantit italian të modës, Armani, duke na treguar edhe njëherë se ajo është ëndërr e shumë meshkujve të cilët pëlqejnë femrat në jeans.
Reklama e shfaq Rihannën duke u zgjuar nga shtrati në të brendshme dhe duke u bërë gati shpejt për të shkuar e për të zënë aeroplanin e radhës. Nuk është kjo hera e parë që Rihanna ka pozuar për Armanin, pasi këtë e ka bërë edhe në vitin 2011. 

Marimanga ia ‘merr’ Lamborghinin Ronaldos

Cristiano Ronaldo është zgjuar ditë më parë duke e ditur se vetura e tij super e shpejtë dhe luksoze, Lamborghini, është bartur nga merimanga pas një defekti.
Ronaldo ishte duke shkuar te Pepe për të fetuar ditëlindjen e 29-të të këtij të fundit, teksa vetura e tij Lamborghini pësoi një defekt dhe u desh të ndalej në shiritin për ndalje të detyruar në autostradë. Kështu, për të mos munguar në këtë festë, Ronaldo huazoi një veturë tjetër dhe shkoi te Pepe, ndërsa veturën Lamborghini e mori ‘marimanga’.
Kjo i ndodhi Ronaldos në natën që Messi shënoi pesë gola dhe u konfirmua si lojtari më i mirë në botë.
Ronaldo shpenzoi 350 mijë euro për veturën e tij Lamborghini, të cilin ia bëri dhuratë vetes për ditëlindjen e 27-të. 

Leximi pa përsëritje krijon parafytyrim të rremë

Shumë hulumtime kanë treguar që shumë më lehtë dhe më gjatë i mbajmë mend ato që i flasim apo theksojmë.
Kur vetëm e lexojmë ndonjë tekst do ta mbajmë mend, por do ta riprodhojmë më vështirë dhe do ta mbajmë mend apo kujtojmë më shkurt. Prandaj, në procesin e të mësuarit përsëritja me zë ka rol të rëndësishëm, sepse leximi pa përsëritje krijon parafytyrim të rremë për atë sesa kemi mbajtur mend.
Një nga ‘rregullat e arta’ të mësimit është që materiali apo lënda të lidhet në mënyrë logjike, respektivisht që të mos mësohet përmendsh. Materiali i përvetësuar kështu qëndron më gjatë në kujtesë dhe mund të lidhet logjikisht me atë që do të mësohet në të ardhmen, ndërsa mësimet e mësuara përmendsh nuk kanë kuptim, përveç reproduktimit në orën e ardhshme.

Rrahja e këmbëve apo duarve, e shëndetshme

Lëvizja, rrahja me duar apo këmbë, mund t'ju sigurojë shpenzimin e 350 kalorive shtesë gjatë ditës apo thënë ndryshe - është definitivisht e shëndetshme.
Njeriu shpenzon një pjesë të mirë të kohës së tij për t’u ndjerë i realizuar dhe për t’i dhënë një kuptim jetës së tij. E megjithatë, jo në të gjitha rastet ia del mbanë dhe kënaqësia e tij jetësore dëmtohet.
Megjithatë, lëvizja, rrahja me duar apo këmbë që shpesh konsiderohet shprehi e pashëndetshme, e cila shkaktohet nga stresi dhe ankthi, është e shëndetshme.

Si do të duket iPhone 5? (Foto)

Padurimi për modelin e ri të telefonit të famshëm të kompanisë Apple, iPhone 5, i cili pritet të paraqitet në treg brenda këtij viti ka bërë njerëzit që të pyesin për gjëra të ndryshme, si dhe të paraqesin opsione se si do të duket ky telefon kur i njëjti të paraqitet në treg.
Dizajneri Federico Ciccarese ka ardhur vetëm me disa ide të reja për iPhone 5, për ta  ngacmuar publikun në lidhje me modelin e ri të telefonit të Apple, i cili pritet të jetë diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që Apple ka paraqitur më pare.
Thashethemet thonë se iPhone 5 do të duket si një maus magjik, me formë të lakuar të cilin ju mund ta shihni në fotot e mëposhtme.

Figura të politikanëve amerikanë (Foto)

Nëse ju intereson se kush do ta fitonte në luftën mes Barack Obama dhe Sarah Palin, tash ekziston mënyra për ta ditur këtë. Në SHBA ka filluar shitja e figurave të politikanëve amerikanë.
Përveç politikanes së popullarizuar Sarah Palin, njerëzit për 40 dollarë mund të blejnë figurën e kandidatit për president, Mitt Romney, si dhe presidentit aktual, Barack Obama.
Politikanët amerikanë janë përjetësuar në formë të figurave plastike, të cilat mund të përsërisin disa nga fjalimet e njohura të këtyre politikanëve.
Më e popullarizuara është kukulla që paraqet Sarah Palin, pasi është e veshur me tesha të shkurtra.


Pjesë e koleksionit është edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si edhe nënkryetari aktual, Joe Biden.

Prezantuesi i BBC-së bën një sy gjumë (Video)

Disa miliona shikues në Britani të Madhe e kanë ndezur televizorin për të dëgjuar lajmet e para të BBC-së, ndërsa e kanë gjetur prezantuesin duke fjetur para kamerave.
Kamerat e kanë kapur 50-vjeçarin Simon McCoy duke bërë një sy gjumë, me kokë të vendosur mbi duart e shtrira mbi tavolinë. Kjo ka ndodhur vetëm disa çaste para se të fillojë blloku i lajmeve.
Porsa e ka kuptuar se ka filluar emetimi, McCoy është çuar shpejtë nga gjumi duke tentuar që të vazhdojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Kjo nuk është hera e parë që McCoy i befason shikuesit në transmetim të drejtpërdrejtë. Në vitin 2009 ai e ka goditur tavolinën me dorë teksa ka informuar mbi tregun e aksioneve.