Fizibiliteti nuk siguron Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit

Deputetë dhe analistë politikë në Prishtinë thonë se vendimi i Brukselit për studimin e fizibilitetit për Kosovën nuk duhet të merret me shumë eufori nga lidershipi kosovar, sepse ky proces mund të zgjatë disa vite.
Duke u nisur nga përvoja e vendeve të rajonit, nga faza e studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), disa prej këtyre vendeve kanë pritur edhe nga pesë vjet.
Deputeti i LDK-së dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se Brukseli kishte iniciuar studimin e fizibilitetit për Kosovën edhe në vitin 2009, por atëherë nuk ishin harmonizuar qëndrimet për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së.
"Raportet e progresit tregojnë fare qartë se Kosova ka probleme serioze sa i përket funksionalitetit dhe zbatimit të sundimit të ligjit, si shtylla kryesore të këtij procesi”, tha Haziri për REL.
Sipas tij një element tjetër që pengon Kosovën në agjendën e saj të integrimeve evropiane është edhe veriu i Kosovës. Ai mendon se veriu po fshihet prapa agjendës evropiane dhe në fund do të paraqitet si një prej parakushteve politike që duhet zgjidhur për të ecur përpara drejt BE-së.
Njohësi i proceseve integruese, analisti Shenoll Muharremi mendon se euforia e krijuar në Kosovë me marrjen e studimit të fizibilitetit është e madhe, krahasuar me pritjet reale.
“Ne nuk duhet ta shohim këtë me eufori për shkak se vendet fqinje, si Shqipëria e Bosnja e Hercegovina, është dashur të presin nga pesë vjet, prej përfundimit të studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Acociim. Për shembull Bosnja e Hercegovina i ka pasur 12 kushte që është dashur t’i plotësojë para se të fillojnë negociatat”, tha Muharremi.
Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se vendimi për studimin e fizibilitetit paraqet sukses të madh për Kosovën. Ndërkaq, ishte pajtuar se ky studim është vetëm hapi i parë, ngase rruga deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe integrimi në BE, do të jetë e gjatë dhe përplot sfida.

Kaciin: Serbia t’i normalizojë raportet me Kosovën

Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka thënë se edhe pas marrjes së datës për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të mbyllë disa çështje të hapura.
“Para se gjithash mendoj në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, dhe hapat drastikë shtetërorë në përmirësimin e gabimeve procedurale në rizgjedhjen e gjykatësve dhe të prokurorëve”, ka thënë mes tjerash europarlamentari Kacin, në një intervistë për të përditshmen e Novi Sadit, Dnevnik.
Ndryshe, Kacin sot po qëndron në Kosovë. Ai gjatë ditës pritet ta takojë zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, si dhe zyrtar të tjerë Kosovës. 

Hetohet Onkologjia

EULEX-i po heton sërish objektin e dedikuar për Institut të Onkologjisë. Kësaj radhe do të bëhen matje të reja të cilat do të tregojnë nëse objekti do të jetë në gjendje që të mos e përçojë radio-aktivitetin jashtë tij.
Procesi për funksionalizimin e Institutit të Onkologjisë është ndërprerë sërish. Hetimet e EULEX-it rreth aparaturës përmes së cilës do të zbatohej radio-terapia, treguan se aparatura është e sigurt për fillimin e përdorimit, por nuk është e sigurt nëse objekti do të mund ta përmbajë në vete gjithë radio-aktivitetin që prodhohet aty, pa e nxjerr jashtë atë.
Për këtë çështje ka nisur sërish një hetim, të cilin për RTK e konfirmoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“Tash është ngritur dyshimi që objekti si objekt a është i gatshëm që në situatë të një avarie, aksidenti më serioz a mund të përmbajë tërë radioaktivitetin që do të prodhohej në atë rast. Pra, mos do të ketë rrëshqitje, të themi ashtu, ose dalje të rrezatimit jashtë objektit. Jemi në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, natyrisht në përputhje me prokurorinë e EULEX-it. Nëse nuk ekziston ky dokumentacion, nuk jemi të interesuar të rrezikojmë shëndetin e popullatës”, tha Agani.
Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, theksoi se objekti i plotëson kushtet për fillimin e punës me radio-terapi.
“Raportimi në polici është bërë nga individë të caktuar”, nënvizoi Gashi, sipas të cilit për këtë çështje duhet të ketë një vendim politik.
Për ndërtimin e objektit të Onkologjisë janë investuar mbi 2 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa, ndonëse objekti është përuruar në vitin 2008, askush ende nuk ka punuar aty.
Ish-drejtuesit e QKUK-së kishin vërejtje se objekti është punuar në mënyrë jo profesionale, me materiale jo të duhura për ndërtimin e mureve.
Kryetari i atëhershëm i Komisionit për udhëheqjen e këtij ndërtimi, Xhavit Bicaj, u kritikua nga kolegët e tij sepse raportoi me kohë për ndërtimin jo adekuat, derisa ish- drejtori i QKUK-së, Isuf Ulaj, për këtë çështje pati ftuar edhe policinë për krime ekonomike. 

Dinamika ulet, procesi vazhdon...

Pas nëntë raundesh të takimeve dhe gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, procesi i ardhshëm zgjedhor në Serbi pritet të ngadalësojë dinamikën e mbajtjes së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve.
Megjithatë, në Bruksel thonë se rëndësi kruciale në muajt e ardhshëm do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se do të vazhdojnë kontaktet ndërmjet palëve dhe puna e grupeve punuese për zbatim.
“Bashkimi Evropian do të mbetet ndërmjetësues dhe do të ketë kontakte të ngushta me të dyja palët”, thotë ajo.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet palës kosovare e asaj serbe, ndër të tjera hyn ajo për njohjen e diplomave universitare, regjistrin kadastral, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruar të kufirit dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.
Pa precizuar temat e ardhshme që do të vihen në tryezën e diskutimit, Kocijancic bën të ditur se do të flitet sërish për çështjen e energjisë dhe të telekomunikacionit, meqë për këto dy çështje nuk është arritur pajtim ndërmjet palëve.
Rëndësinë për gjetjen e zgjidhjeve për energjinë dhe telekomunikacionin e përmendi, ditë më parë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic, duke thënë se ato do t’i nevojiten Serbisë për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Stefanovic u tha mediave serbe se ende nuk janë “vendosur kufijtë me Kosovën“ dhe se Serbia “nuk e ka dhënë Kosovën“ në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, thotë se retorika aktuale politike e Beogradit rreth çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën, nuk do të ndalet në prag të fushatës zgjedhore.
“Shumëçka do të varet nga ajo nëse qeveria e ardhshme do ta shfrytëzojë statusin e vendit kandidat si një mundësi; se a do ta bëjë integrimin evropian prioritet”, vlerëson Biserko.
Zgjedhjet serbe, përkatësisht mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, vlerësohet të jenë proces i radhës, përmes të cilit BE-ja dëshiron të testojë “konstruktivitetin” e shtetit serb në raport me Prishtinën.

Qeveria të punojë, qytetarët të kenë durim!

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, nuk është e kënaqur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Kosovën.
Dokumenti nuk garanton se të gjitha vendet e BE-së do ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në rast se edhe studimi i fizibilitetit do të rezultonte pozitiv. Por, sipas saj, nuk mund të pritet më shumë kur njihet qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, raporton “Top-Channel”.
“Nuk u gëzova nga ndryshimet në konkluzionet e këshillit. Por, nuk është se ato ndryshojnë shumë. Po, është një fakt se kemi ende pesë vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Unë jam një nga avokatet e njohjes, e bëj hapur, e bëj prapa dyerve të mbyllura apo kur flas me ta. Është ende një proces që fatkeqësisht nuk ka përfunduar, as tek vendet anëtare të BE-së, as në OKB ku ende nuk kemi një shumicë vendesh që e njohin pavarësinë e Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe në këtë Parlament gjithashtu, por nuk ndodh kështu në këshillin e BE-së. Në fund të fundit është mirë që Komisioni do të nisë studimin e fizibilitetit, por ka qenë gjithnjë e qartë se MSA duhet të kalohet nga Këshilli”, deklaroi Raportuesja për Kosovën.
Lunacek këmbëgul që Kosova të shfrytëzojë në maksimum marrëveshjen e dialogut të fundit me Serbinë, për të kërkuar vendin që i takon në bashkëpunimin rajonal apo për anëtarësim në organizata të ndryshme.
Në lidhje me pritjet për studimin e fizibilitetit, raportuesja fton autoritetet e Kosovës të punojnë për të merituar një raport pozitiv.
“Këtu i takon Kosovës të punojë: qeveria, të gjitha institucionet e tjera dhe qytetarët e Kosovës, Parlamenti, duhet të mbështesin vendin e tyre, Republikën e Kosovës, që t’ia dalin me sukses. Gjërat nuk janë perfekte në Kosovë. Ka kaq shumë gjëra ku edhe unë jam kritike në raportin tim. Pra, për momentin, unë nuk e di a do të kishte dalë mirë vendi, nëse studimi i fizibilitetit do të ishte bërë sot. Por, pas një viti apo një viti e gjysmë – ndoshta! Puna duhet të bëhet në Kosovë, nga Kosova, kjo është detyra e qytetarëve të Kosovës, e qeverisë së Kosovës dhe e të gjitha institucioneve. Pra, unë shpresoj që do të jetë pozitive në fund”, shtoi Lunaçek.
Lunacek vlerëson se procesi do të marrë kohë dhe se qytetarët e Kosovës duhet të kenë durim. Sipas raportueses, vendi duhet të punojë paralelisht për sa më shumë njohje.
Marrëveshjet gjatë dialogut dhe konkluzionet e ministrave do të sjellin ndryshime edhe në rezolutat e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, para votimit në seancën plenare gjatë këtij muaji. 

Pantic: BE do ta kërkoj njohjen e Kosovës

Kryetari ilegal i Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka thënë se Serbia në rrugën drejtë BE-së do të ballafaqohet me sfida të reja.
“Më vjen mirë që Serbia e ka fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, megjithatë kjo kandidaturë nuk do të thotë asgjë”, ka thënë ai për B92.
“Rruga drejtë anëtarësimit të plotë në BE është një proces i gjatë dhe me kushte. Unë jam i sigurt se pas kësaj nga Serbia do të kërkohet që të heq dorë nga interesat tjera në territorin e Kosovës, që të heq dorë nga sektori energjetik, telekomunikacioni, e pastaj shumë shpejtë si kusht do të jetë njohja formale e Kosovës”, shton ai, duke theksuar se qëndrime negative për statusin kanë dhënë edhe liderët tjerë të serbëve në veri të Kosovës.

Vetëdorëhiqet Manaj

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe i Këshillit të Përgjithshëm, Ramë Manaj është vetëdorëhequr nga pozitat partiake me arsyetimin se nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe Kryeshef i Arkivit të Kosovës.
Në një prononcim për “Express”, Manaj ka thënë se para një jave ka deponuar dorëheqjen nga postet partiake.
“Dorëheqje kam dhënë prej Kryesisë dhe prej Këshilli dhe e kam deponuar me shkrim. Arsye e vetme është se Ligji për Shërbyesit Civilë pamundëson që unë të ushtrojë aktivitet politik partiak, përderisa kryej përgjegjësinë e Kryeshefit ekzekutiv të Arkivit”, ka thënë Manaj.
Ai ka thënë se do të mbetet anëtar i LDK’së, por pa funksione ekzekutive në parti.

Ngecin njohjet, rishikohet strategjia

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës është duke e plotësuar me taktika të reja strategjinë e hartuar vitin e kaluar për shtimin e numrit të njohjeve.
Ndonëse zyrtarë të MPJ-së nuk japin arsyet e vërteta për rishikimin e kësaj strategjie, burime të “Zërit” nga kjo ministri thonë se kjo po ndodh për shkak të ngecjeve në shtimin e numrit të njohjeve.
Ndryshe nga MPJ, e cila premton se numri i njohjeve do të kalojë gjysmën e shteteve të botës, zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, në fund të vitit të kaluar e pat caktuar shifrën prej 125.
Por, analistët politikë dhe përfaqësues të partive opozitare nuk besojnë në këtë strategji të MPJ-së. Sipas tyre, kjo strategji është e dështuar.

Shkelet Rezoluta për përfundim të mbikëqyrjes së pavarësisë

Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përcjellë me kohë në Kuvend pakon e ligjeve të nevojshme për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit.
Kështu, ekzekutivi ka shkelur Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila është miratuar më 31 janar nga shumica legjislative, raporton “Koha Ditore”.
Me këtë dokument, të kundërshtuar vetëm nga lëvizja “Vetëvendosje”, Qeveria ka qenë e ftuar që në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar Civil, t’i përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe ato t’ia përcjellë Kuvendit jo më vonë se katër javë nga data e miratimit të Rezolutës.
Një nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit ka konfirmuar se deri të premten pasdite në Kuvend nuk ka mbërritur një “pako” e tillë. 

Vërshime në Komaran

Nga shkrirja e borës, uji ka vërshuar disa shtëpi të fshatit Komaran të komunës së Drenasit. Për largimin ujit që rrezikonte të përmbys shtëpitë, kishte intervenuar edhe njësiti i zjarrfikësve me pompat për thithjen e ujit.
Edhe në lagjen “Emshir” të Prishtinës, nga shkrirja e borës uji rrezikon të vërshojë shtëpitë e kësaj lagjeje, raporton Klan Kosova.
Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj, kishte paralajmëruar se nga shkrirja e borës mund të ketë vërshime, por duke pasur parasysh se nuk do të ketë ngritje rapide të temperaturave ai nuk kishte parashikuar përmbytje përmasash të mëdha.
“Një pjesë të borës e pranon toka, një pjesë tjetër zbrazet në liqenet akumuluese, e pjesa tjetër në lumenjtë që janë rrekej”, ka thënë ditë më parë Tahirsylaj. 

Guardiola lëvdon Keitan pas fitores

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka lëvduar Seydou Keitan pas fitores prej 3-1 ndaj Sporting Gijonit, duke zbuluar se vetëm takimi me mesfushorin ka qenë prej momenteve më të mira në katër vitet e tij te Barcelona.
“Ai shënoi një gol. Ky djalosh kurrë nuk luan keq dhe vërtet merr vendimet e duhura. Gjithmonë ka lojtarë që pasi humbin besimin e trajnerit, ofendohen. Ata ndihen në qendër të një universi ku askush nuk i kupton dhe i lë në pankinë”.
“Por, në këto katër vitet e mia te Barcelona mund të veçoj takimin me këtë njeri. Jam i kënaqur që ai shënoi një gol aq me rëndësi. Puna që ai ka bërë ma bëri edhe mua punën më të lehtë dhe shpresoj që ai të qëndrojë këtu sa më gjatë që është e mundur”, u shpreh Guardiola. 

Ibrahimovic: I kam borxh Gallianit

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është shprehur falënderues ndaj zëvëndëspresidentit Adriano Galliani, pasi ishte ky i fundit ai që ia shpëtoi karrierën suedezit duke e sjellë nga Barcelona te Milani.
“Galliani i ka thënë Barcelonës se nuk do të kthehej pa mua”.
“Ai më dha aq shumë besim dhe unë i kam borxh shumë gjëra. Unë i jam shumë falënderues Gallianit dhe shpresoj se edhe ai për mua ka fjalë të mira. Më falni, po e përmend në çdo deklaratë, por kam dashur të jem i pranishëm në ndeshjen ndaj Juventusit, nuk po mund të pranoj barazimin”, u shpreh suedezi.
 

Iniesta: Duhet të mësohemi pa Messin

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, beson se Blaugranët duhet të dinë t’ia dalin edhe pa prezencën e Lionel Messit, pas fitores së vështirë ndaj Sporting Gijonit në Camp Nou të shtunën mbrëma.
“Kur një lojtar me rëndësi si Messi nuk mund të luajë, atëherë ne duhet të bëjmë më shumë. Por edhe njëherë, kemi luajtur futboll të mrekullueshëm”.
“Vërtet ishte shumë e vështirë kur u përjashtua Pique, por ne sulmuam. Diferenca me Realin është e madhe, por ne do të luftojmë deri në fund”, u shpreh Iniesta. 

Sheringham: Mourinho pasues i Ferguson

Ish-sulmuesi i Manchester United, Teddy Sheringham, beson se Jose Mourinho mund të jetë zëvëndësuesi i Sir Alex Ferguson në Old Trafford.
“Mendoj se Mourinho do të ishte ideal për Manchester Unitedin. Do të jetë një prej vendeve më të mira të punës kur Sir Alex të pensionohet – por po ashtu puna më e vështirë për një strateg”.
“Do të jetë vërtet interesant të pasosh një njeri aq të suksesshëm. Mourinho është një prej atyre pak njerëzve që mund t’ia dalin me presionin. Nuk kam dyshime se Mourinho do ta zëvëndësonte me sukses Ferguson”, potencoi Sheringham. 

Ferguson: Redknapp trajner i Anglisë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është duke u përgatitur për t’i thënë lamtumirën kolegut të tij Harry Redknapp gjatë ndeshjes që zhvillohet sot në White Hart Lane, pasi skocezi beson se kjo do të jetë hera e fundit që do ta shohë Redknapp.
“Mendoj se është e pa evitueshme që Harry Redknapp të jetë trajner i Anglisë, jam i sigurtë për këtë. Unë nuk shoh dikë tjetër. Unë e njoh FA dhe ata kanë bërë listën dhe krejt, por të gjithë duke përfshirë edhe mediat e dinë se kush do të jetë përzgjedhësi i ardhshëm”.
“FA nuk e dëshiron shtypin kundër tyre, sepse do të ishte në situatë për panik. Gjithçka është në përkrahje të Harryt dhe mendoj se ai do të jetë zgjedhja e duhur”, ka thënë Ferguson. 

Milito: Jemi të bashkuar

Sulmuesi legjendar i Interit, Diego Milito, beson se epoka zikaltër ende nuk ka mbaruar dhe se që nga ndeshja ndaj Catanias do të fillojë ringritja e Nerazzurëve në tabelë.
“Ne nuk po kalojmë momente të mira, por unë mund të betohem se lojtarët gjithnjë japin më të mirën”.
“Duhet të bashkohemi edhe më shumë. Klubi, ekipi, tifozët duhet të punojnë së bashku për të tejkaluar këtë periudhë. Në momente të vështira ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësitë tona”, u shpreh El Principe. 

Goli më i çuditshëm në histori (video)

Para pak ditësh është shënuar goli më i çuditshëm, më bizar në historinë e futbollit, këtë e themi pa kurrfarë dyshimi, pasi në këtë ekstremitet kanë ndikuar kushtet jashtëzakonisht të pa përshtatshme atmosferike në terrenin ku u zhvillua takimi.
Për aq sa kemi informata, video të cilin e shihni më poshtë vjen nga ndeshja Maccabi Haiva – Dynamo Kiev, ku portieri i njërës prej skuadrave shënon një autogol shumë të çuditshëm.
Siç e vëreni, portieri në filim degazhon topin, por në ajër në mënyrë të fascinante topi ndërron kahjen dhe kthehen për të mposhtur njeriun i cili edhe e vuri në lojë atë top. Për më shumë flasin imazhet më poshtë:

Villas Boas: WBA ishte superior

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, beson se West Bormi ishte larg më superior se Chelsea në sfidën e zhvilluar të shtunën pasdite ku Blutë regjistruan disfatën e radhës.
“Para së gijthash, dua të komplimentoj WBA-në për lojën e mrekullueshme, por ne nuk kemi luajtur mirë. Ata ishin larg më superiorë”.
“Ishte zhgënjim i madh për ne sepse ne luajtëm mirë ndaj Boltonit dhe vërtet luajtëm shumë keq. Nëse do të kishim shënuar në fillim do të kishte qenë më mirë, por ata ishin më superiorë dhe arritën të na shkaktojnë shumë probleme”, ka thënë Villas Boas. 

Suarez: Humbje e pa drejtë

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, e ka cilësuar fitoren e Arsenalit në Anfield të shtunën në mesditë si një fitore me fat dhe të pa drejtë.
Van Persie shënoi në kohën shtesë për t’ia shkaktuar humbjen e parë Liverpoolit në Anfield, ndërsa mënyra se si The Reds pësuan disfatën nuk i pëlqeu aspak Luis Suarezit.k
“Çfarë humbje e pa drejtë. Ne bëmë më të mirën për të fituar takimin, por kemi humbur krejt në fund. Ejani, mund ta bëjmë. YNWA”, theksoi Suarez në Twitter. 

Heynckes: Humbëm shumë raste

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, ka pranuar se ekipi i tij ka humbur shumë raste shënimi gjatë humbjes prej 2-0 në transfertë te Bayer Leverkuseni.
“Ne ishim të jashtëzakonshëm në pjesën e parë dhe kemi pasur raste të mrekullueshme, të cilat kemi dështuar t’i konkretizojmë”.
“Kjo është pengesa jonë për momentin. Është zhgënjim i madh për të gjithë ne”, tha Heynckes. 

Wladimir Klitschko mbetet mbret

Wladimir Klitschko pa ndonjë problem të madh ka mbrojtur titujt të tij në WBO, IBF, WBA dhe IBO, pasi nokautoi francezin Jean Mormeck në një duel që zgjati disa minuta.
Dueli i zhvilluar në Espirit Arena të Dusseldorfit zgjati vetëm katër raunde, teksa kundërshtari francez, Jean Mormeck në asnjë moment nuk rrezikoi rivalin ukrainas. Në raundin e katërt pas disa goditjeve të forta, në dysheme për herë të dytë u rrëzua Mormeck duke pësuar humbjen e radhës.
Ishte ky nokauti i 50-të në karrierë i Wladimir Klitschkos dhe tani mbreti në boksin e kategorisë së rëndë, “Dr. Grushti i Hekurt” është në pritje të rivalit të radhës. 

Adele ‘dështoi’ në studio për albumin “21”?

Adele ka dështuar që të regjistrojë një këngë kur është dërguar në studion Shangri-La në Malibu, për shkak se më parë aty kanë regjistruar këngë disa prej idhujve të saj muzikorë..
Krijuesja e hitit “Someone Like You”, ishte tejet e ngazëllyer për të punuar me producentin Rick Rubin për albumin “21” për shkak se studio ku ata kanë punuar, Shangri-La në Malibu, më parë është shfrytëzuar edhe nga artistë si Johnny Cash dhe Red Hot Chilli Peppers.
“Ditën e parë dështova. Unë e humba vetëdijen dhe fillova të qaj, vrapoja nëpër plazh për të rigjetur veten. Pas kësaj, isha mirë dhe vazhdova me punën. Gjatë punës, më kujtohet kur Rick u tha një prej inzhinierëve se problem të njëjtë kanë pasur edhe me Johnny Cash. Dhe pos tjerash u ndjeva e veçantë sepse në të njëjtën ditë kur unë kam punuar, në anën tjetër punonte edhe Kid Rock. Ishte eksperiencë e pa harruar”, u shpreh Adele. 

Flet e dashura e Elvisit të BB5: Më mungon shumë

Personazhi tashmë shumë i dashur për publikun shqiptar nga Big Brother Albania 5, Elvisi, ka një të dashur afatgjatë jashtë shtëpisë më të madhe në Shqipëri dhe ajo është Valbona Bajraktari.
Modelja e njohur është rrëfyer për lidhjen me Elvisin për tabloidin Panorama, teksa u shpreh se i mungon shumë i dashuri i saj me të cilin është në lidhje që prej tri vitesh.
“Nuk kam xhelozuar që ka hyrë në Big Brother. Nuk xhelozoj as nëse dikujt i pëlqen. Atë nuk mund të ndaloj. Madje unë kam qenë iniciatorja që ai të hyjë në Big Brother. Xhelozia ekziston në lidhjen tonë, por jo në ato përmasa sa pretendohet të jetë. Lidhja jonë është publike dhe unë e dua me gjithë zemër. Më mungon çdo sekond të jetës time”, potencoi Valbona. 

Rihanna, artistja me më shumë shkarkime në histori

Pop ylli Rihanna ka pushtuar top listën e artistëve me më shumë shkarkime gjatë karrierës së tyre - kemi të bëjmë me shkarkimet e këngëve nga interneti.
Rihanna lë prapa superyje si Eminem dhe Black Eyed Peas në këtë konkurrim, teksa vlen të përmendet se kënga e parë e lansuar nga Rihanna, “Pon Da Replay” zuri vendin e dytë menjëherë pas lansimit.
Top 10 e artistëve me më shumë shkarkime
1. RIHANNA 42,571,000 
2. BLACK EYED PEAS 42,405,000
3. EMINEM 42,290,000
4. LADY GAGA 42,078,000
5. TAYLOR SWIFT 41,821,000
6. KATY PERRY 37,620,000
7. LIL WAYNE 36,788,000
8. BEYONCE 30,439,000
9. KANYE WEST 30,242,000
10. BRITNEY SPEARS 28,665,000 

Dora me të cilën shkruajmë ndikon në vendimet tona

Edhe pse mendoni që vendimet i bëni në bazë të moralit dhe logjikës, në fakt dora dominuese është përgjegjëse në masë të madhe, pohojnë ekspertët nga Shkolla për hulumtime shoqërore në New York, shkruan Daily Mail.
Njerëzit preferojnë gjërat që ndodhen në anën në të cilën është dora e tyre dominuese, kështu që djathtakët gjërat nga ana e djathtë i lidhin me të “mirat”, ndërsa të majtat me “të këqijat”.
Njerëzit preferojnë gjërat që i gjejnë në anën e të cilave është dora e tyre dominuese. Kështu vullnetarët djathtakë derisa i kanë pyetur se cilat produkte u pëlqejnë më shumë kanë theksuar produktet në anën e djathtë, ndërsa majtakët në anën e majtë, zbulojnë shkencëtarët. “Të gjithë pëlqejnë gjëra që i vënë re më lehtë dhe me të cilat përballen më lehtë. Ndërveprimi i djathtakëve është më i mirë me gjërat në anën e djathtë, për ç'arsye ata “të djathtën” e lidhin me të mirën, ndërsa “të majtën” me të keqen”, pohon autori i studimit, Daniel Casasanto.
Ata njerëz të cilëve për shkak të ndonjë arsyeje dora dominuese deri atëherë u bëhet e hendikepuar, mësojnë ta lidhin “të majtën” me të mirën. Nëse “ndryshoni” duart me të cilën shkruani, do të ndryshoni mendjet e tyre, shton ai.

Shpërthimet e temperamentit, të dobishme

Shumica prej nesh janë edukuar ashtu që të mendojmë se si shpërthimet e çfarëdo natyre janë tërësisht të papranueshme. Nga ana tjetër, kjo është e shkëlqyeshme për shëndetin tuaj.
Në njërën anë kjo është e saktë, sepse personi që shpesh humb kontrollin, nuk është më i dëshiruari në shoqëri. Nga ana tjetër, kjo është e shkëlqyeshme për shëndetin tuaj.
Shpërthimet e temperamentit në një kohë të shkurtër do t'ju lirojë nga stresi, zemërimi dhe ngrysja. Një hulumtim madje ka treguar që shpërthimet reduktojnë rrezikun nga krijimi i sulmit në zemër. 

Rritja alarmante e aciditetit në oqeane mund të shkaktoj zhdukjen e gjallesave

Jeta në oqean sfidohet nga vdekja, për shkak se niveli i aciditetit në të është në nivele alarmante.
Niveli i aciditetit në oqeane po rritet me tempon më të shpejtë në 300 milion vitet e fundit, për shkak të cilës gjë zhdukja kërcënon shumë lloje të kafshëve të bimëve, thuhet në raportin e shkencëtarëve të publikuar në revistën Science.
Rritja e nivelit të aciditetit në oqeane paraqet rrezikun më të lartë për shkëmbinjtë koral, për shkak se shkakton zhdukjen e tyre. Duke pasur parasysh se shkëmbinjtë koral janë vendbanime të shumë llojeve bimore dhe shtazore, edhe ato janë të kërcënuara nga zhdukja.
Sipas raportit të shkencëtarëve, periudha e fundit kur kishte nivele të rritura të aciditetit në oqeane ishte para 56 milion viteve dhe kishte zgjatur rreth 5,000 vite. Sasia e karbonit në atmosferë pothuajse ishte dyfishuar, e temperatura mesatare globale asokohe ishte rritur për gjashtë shkallë Celsius.
Përveç kësaj, aciditeti i rritur mund të shkaktoj edhe zhdukjen e organizmave të imët bimore dhe organik me të cilat ushqehen kafshët më të mëdha. Aktivitetet njerëzore, në veçanti djegia e mbetjeve fosile, kanë shkaktuar rritjen e nivelit të aciditetit në atmosferë, e duke pasur parasysh se oqeanet bëhen më acid me futjen e karbonit në atmosferë, niveli i sotëm i aciditetit është më i lartë se ai i 56 milion viteve më parë kur ishte shënuar emetim jashtëzakonisht i lartë i karbonit në atmosferën e tokës. 

Bateristi njëvjeçar (Video)

Secili prind mendon se fëmija i tij është i veçantë, mirëpo prindërit e këtij njëvjeçari vërtet mund të krenohen me talentin e tij për të luajtur në bateri.
Edhe pse akoma nuk mund ta thotë një fjali, ky vogëlush ka një ndjesi të tillë të ritmit, saqë nën tingullin e kitarës u bie baterive, sikur të ishte diçka e thjeshtë.
Gjatë xhirimit një minutësh ai nuk thotë asnjë fjalë, porse kur ta dëgjoni muzikën që bën, edhe ju do të mbeteni pa fjalë. 

Toreadori i guximshëm (Video)

Toreadori spanjoll, Juan Jose Padilla, i cili i është nënshtruar operacionit pesë orësh, kur një dem e goditi në kokë dhe ia nxori syrin, së shpejti do të kthehet në arenë.
Pesë muaj pas aksidentit të tmerrshëm, ai ka vendosur që t’i kthehet pasionit të tij, përkundër se më nuk sheh me njërin sy dhe nuk mund ta përtypë ushqimin e fortë.
“Pas disa muajsh shumë të vështirë, e diela do të jetë si realizim i ëndrrës. Jam i vetëdijshëm se askush nuk ka pritur që unë të kthehem”, ka deklaruar Padilla për New York Times.
38-vjeçari ka thënë se gruaja dhe fëmijët e tij e mbështesin tërësisht, ndërkohë që prindërit e tij janë kundër kthimit në profesionin që thuajse ia mori jetën.

Gjirafa ka ngrënë 20 kg plastikë

Veterinarët kanë gjetur 20 kilogramë plastikë në barkun e një gjirafe, e cila vdiq këto ditë në një kopsht zoologjik në Indonezi.
Gjirafa mashkull kaloi 30 vitet e jetës së vet në ishullin indonezian Java, ndërsa në 13 vitet e fundit përfaqësonte llojin e vet në kopshtin zoologjik në Surabaja.
“Përmes autopsisë në barkun e kafshës është gjetur një grumbull plastike prej 20 kilogramësh, me diametër prej 60 centimetrash”, ka treguar zëdhënësi i kopshtit zoologjik.
Veterinarët besojnë se plastika rrjedh nga ambalazhet me të cilat mbështillet ushqimi që gjirafës ia kanë hedhur vizitorët.