Real Madridi pranë Drogbas

Real Madridi është shumë pranë transferimit të ish-sulmuesit të Chelseat, Didier Drogba dhe se problem mbetet vetëm kontrata të cilën duhet ta nënshkruajë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.
Skuadra kineze Shanghai Shenhua është shprehur optimiste se do ta transferojë Drogban, por Daily Mail raporton se ikona e Chelseat ka zhvilluar bisedime edhe me Real Madridin.

Sidoqoftë, problemi i vetëm me të cilin përballen gjigantët spanjollë është paga të cilën 34 vjeçari është duke e kërkuar, e që është një kontratë dy vjeçare me përfitime prej 150 mijë funtesh në javë.

Villas Boas i kushtoi Chelseat 32 mil.

Strategu portugez, Andres Villas Boas, ka marrë një kompensim prej 12 milionë funtesh nga Chelsea, pasi ishte shkarkuar nga detyra e menaxherit të klubit nga Stamford Bridge në mars.
Daily Mail shkruan se Chelsea është pajtuar që t’ia paguajë kompensimin teknikut portugez, pas vetëm shtatë muajsh qëndrimi në klub.

Chelsea është dashur po ashtu të paguajë 10 milionë funte për transferimin e tij nga Porto, ku fitoi tripletë në sezonin e tij të parë.

Kjo do të thotë që së bashku me pagën e tij prej 125 mijë funtesh në javë, fatura e Chelseat në raport me Villas Boas qëndron diku rreth 32 milionë funte për vetëm shtatë muaj.

Chelsea arrin marrëveshje për Hulk?

Chelsea besohet të ketë arritur marrëveshjen me Porton për transferimin e super sulmuesit brazilian, Hulk.
Guardian raporton se Chelsea është pajtuar që të paguajë 38 milionë funte për Hulk në rast se dështon transferimi i Eden Hazard në Stamford Bridge.

Shuma totale e transferimit është diku rreth 60 milionë euro, që deri diku i afrohet klauzolës prej 100 milionë eurosh për Hulk, të cilin e kishin vënë drejtuesit portugez.

PSG mposht Interin për Lavezzin

Paris Saint-Germain është pranë transferimit të yllit argjentinas, Ezequiel Lavezzi, duke mposhtur kështu Interin për firmën e sulmuesit kreativ.
L’Equipe raporton se 27 vjeçari ka një klauzolë prej 31 milionë eurosh në kontratën e tij, por Napoli besohet se është pajtuar ta shesë te PSG për një shumë prej 26 milionë eurosh.

PSG e kishte konkurrent të fortë Interin në garën për Lavezzin, por Nerazzurët nuk ishin në gjendje të ofrojnë më shumë se 10 milionë euro dhe dy lojtarë të formacionit bazë.

Mediat serbe: Serbia bind FIFA-n për Kosovën

Kosova nuk do të mund të luajë miqësore me përfaqësueset ndërkombëtare dhe as nuk do të njihet nga UEFA apo FIFA në një të ardhme të afërme – ky ishte vendimi i përbashkët i arritur pas një takimi nga krerët e UEFA-s, FIFA-s dhe Federatës Serbe të Futbollit (FSS).
Kështu raportojnë mediat serbe, të cilat besojnë se takimi i mbajtur ditë më parë është një fitore e radhës në përpjekje për të penguar ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Kujtojmë se FIFA kishe marrë vendimin që Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore me përfaqësueset ndërkombëtare, ndërsa në diskutim këtë vendim e kishte vënë presidenti i UEFA-s, Michel Platini, një pro-serb i njohur, tek i cili kishte bërë presion FSS-ja.

“Edhe njëherë kemi gjetur pritje të ngrohtë dhe mirëkuptim nga preidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ashtu si nga pjesëmarrësit tjerë në këtë takim. Unë mund të shpreh kënaqësinë me akordin që arritëm”, ka theksuar kreu i FFS-së, Tomislav Karadzic.

Sidoqoftë, përderisa Serbisë i është garantuar se Kosova nuk do të pranohet në të ardhmen e afërt në UEFA dhe FIFA, kjo gjë duket se nuk ka ndodhur për miqësoret, vendimi definitiv për të cilin pritet të mirret në një takim më 29 qershor.

Një gjë është e sigurtë – Kosovës sipas të gjitha gjasave do t’i lejohet zhvillimi i miqësoreve nën kushte të caktuara, por fakti se në gjithë këtë katrahurë nuk ka kurrfarë ndikimi Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ashtu sikurse ndikimi i madh i Serbisë në UEFA dhe FIFA, janë dy faktorë brengosës për të ardhmen e sportit shqiptaro-kosovar.

Bayerni transferon Weiser nga Koln

Bayerni i Munichut ka kompletuar transferimin e Mitchell Weiser nga Koln, konfirmuan klubet gjermane gjatë të premtës.
18 vjeçari është pajtuar që të nënshkruajë një kontratë që zgjatë deri në vitin 2015 dhe futbollisti i ri do të bartë fanellën me numër 23.
“Ne jemi të kënaqur që me transferimin e Mitchell Weiser dhe Emre Can kemi dy prej talentëve më të mirë të rinj gjermanë që do të luajnë në skuadrën e parë”, ka theksuar drejtori i Bayernit, Christian Nerlinger.
Bayerni besohet se ka paguar 500 mijë euro për transferimin e Weiser. 

Mancini konfirmon interesimin për Van Persien

Roberto Mancini ka thënë se Manchester City mund të bëjë përpjekje për të nënshkruar me sulmuesin e Arsenalit, Robin van Persie këtë verë.
“Ne do të nënshkruajmë me një sulmues nëse ndonjëri do të largohet gjatë verës. Ne duam t’i mbajmë të gjithë”.

“Van Persie është një lojtar i klasit. Situata e tij është më ndryshe se e Clichy dhe Nasri, kur ne nënshkruam me ta. Ishte vështirë për Wenger t’i mbante ata në Londër”.

“Është e pamundshme të nënshkruajmë me Cavanin për çmimin aktual, Van Persie është më ndryshe. Cavani ka gjithçka. E doja atë kur isha te Interi dhe ai nuk shënonte shumë gola aso kohe”, ka thënë Mancini për Tuttosport.

Rodgers: Jam i bekuar që do të drejtoj Liverpoolin

Brendan Rodgers thotë se ai është “i bekuar” që ka fituar rastin të drejtojë një klub si Liverpooli.
Redsat sot edhe zyrtarisht prezantuan ish-menaxherin e Swansea si trajner të ri, pasi shkarkuan Kenny Dalglish muajin e kaluar për shkak të rezultateve të dobëta.

“Jam i bekuar që më është dhënë kjo mundësi. Dua ta falënderoj John Henry, Tom Werner dhe FSG për mundësinë që më kanë dhënë të drejtoj një klub kaq të madh”.

“Jam vërtet i ngazëllyer dhe mezi pres të filloj në këtë projekt të mahnitshëm. Premtoj t’ia dedikoj jetën time luftës për këtë klub dhe të mbroj principet e Klubit Futbollistik Liverpool si brenda ashtu edhe jashtë fushe”, ka thënë Hodgers.

Menaxheri ka thënë se vendimi për t’u larguar nga Swansea ka qenë i vështirë, pasi ai ka pasur një projekt për të mbaruar atje, por nuk ka mundur ta refuzojë ofertën e Liverpoolit.

“Ku të vjen një mundësi për të punuar në një klub që është më shumë se klub, është një sfidë profesionale që është shumë e mirë për t’u refuzuar”.

“Liverpooli është një prej dinastive të lojës. Ata kanë fituar pesë Kupa Evropiane dhe statusi i tyre është atje lart me Milanin, Interi, Barcelonën, Real Madridin dhe Bayern Munichun.


Drejtori menaxhues i Liverpoolit, Ian Ayre, trajneri i ri, Brendan Rodgers, dhe kryetari i bordit, Tom Werner, duke pozuar në Anfield

Higuain NUK largohet nga Reali

Agjenti i Gonzalo Higuain, Norberto Recasens, ka thënë se argjentinasi nuk ka synime të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar veror.
“Gonzalo nuk do të largohet nga Real Madridi. Ai do të mbetet në klub për të plotësuar kontratën e tij. Ne kemi pasur oferta nga skuadrat tjera, por ai do të qëndrojë te Madridi”.

“Ai është shumë i lumtur në klub. Nuk është se ai luan në ndonjë divizion të tretë. Ne flasim për Madridin këtu. Sigurisht, ne duam ai të luajë rregullisht në ekipin e parë, por ai është i lumtur”, ka thënë agjenti për Goal.

Higuain ka kontratë me Realin deri në verën e vitit 2016.

Beckham ‘kopjon’ Leninin

Superylli anglez, David Beckham, duket se i ka ‘pastruar’ nga pluhuri librat e tij të historisë, ndërsa kjo po pasqyrohet në ‘lookun’ e tij të ri – ai duket njëjtë sikurse ish-lideri i Bashkimit Sovjetik, Vladimir Lenin.
Ish-futbollisti i Manchester United është shfaqur me dukjen e tij të re gjatë një mbrëmje me disa miq të tij në Londrën Veriore.

Dukja e re pritet ta shqetësojë presidentin amerikan, Barack Obama, i cili njihet si admirues i Becks dhe është takuar disa herë me të.

Lenin, i cili vdiq në vitin 1924, ishte lider revolucionar rus me filozofi marksiste, ishte intelektual dhe politikan që udhëhoqi Revolucionin e Tetorit në vitin 1917.

Kim lexon filozofinë e Nietzsches

Ylli amerikan, ëndrra e shumë meshkujve për shkak të linjave të saj atraktive, Kim Kardashian, pos që është e suksesshme në televizion dhe në jetën si biznesmene, tani duket se i është futur edhe botës intelektuale.
Kim, e njohur për porno videon e saj me reperin Ray J, ka lexuar së fundmi veprat e një prej filozofëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Friedrich Nietzsches, sepse ajo e di se Kanye West është fans i madh i Nietzches.

“Kim dëshiron t’i tregojë Kanyes se ajo nuk është vetëm makinë seksi që nuk di asgjë, kështu që ajo po e lexon Nietzschen në mënyrë që t’i pëlqejë edhe më shumë Kanyes”, ka thënë një burim për The Sun.

Rita Ora në fëmijëri dhe sot (foto)

Këngëtarja nga Kosova, Rita Ora, nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur ishte vajzë e re.
Imazhet që i shihni më poshtë janë nga ditët e saj prej adoleshenteje në shkollën Sylvia Young, ku ajo që atëherë aspiroi të jetë një këngëtare dhe aktore.

Pasi mori pjesë në X-Factor si mysafire, Rita do t’i kthehet turneut me Coldplay për dy performanca në stadiumin Emirates të Londrës, duke kompletuar kështu më shumë paraqitje në fushën e këtij stadiumi se sa shumë futbollistë të ekipit futbollistik Arsenal.







Rita Ora sot...një prej femrave më joshëse në botë!

Albëria ndryshon look-un

Këngëtarja Albërie Hadërgjonaj ka ndryshuar lookun e saj. Ajo këto ditë është shfaqur me një pamje që nuk e kemi parë deri tani.
Gjatë një emisioni në TV Klan të Shqipërisë, Albëria ka treguar se gjithmonë ka pasur frikë të ndryshojë pamjen e saj.

“Gjithmonë kam pasur frikë të ndryshoja look-un, por duhet gjithmonë të kemi diçka ndryshe mbase ndonjëherë dhe jo të qëlluar”.

“Kisha vite me flokë të gjatë dhe realisht ishin dëmtuar goxha dhe e ndjeva që ishte lodhur floku këto tre vitet e fundit”, ka thënë ajo.

Kaltrina e lumtur që është martuar

Kaltrina Selimi këto ditë është kurorëzuar me të fejuarin e saj Dritonin, dhe ndihet shumë e lumtur në këto ditë të para të martesës.
Në një ceremoni private, pa shumë të pranishëm, Kaltrina Selimi ka ndërruar unazën me Dritonin, me të cilin ishte e fejuar që një kohë të gjatë.

"Jam shumë e lumtur. Sot jam kurorëzuar me Dritonin. Ende nuk kemi menduar që të organizojmë ndonjë ceremoni martesore", ka thënë Kaltrina për Express.

Këngëtarja e hitit ”Hot” dhe shumë këngëve tjera ka më se dy vite që është në lidhje me të zgjedhurin e saj, ndërsa kohët e fundit kishte paralajmëruar rreth organizimit të dasmës së saj në Londër, ku jeton tashmë bashkëshorti i saj.

Ndërroi jetë publicisti Bardh Hamzaj

Të premten ka ndërruar jetë papritmas publicisti Bardh Hamzaj. Ai ka qenë për afro 10 vjet kryeredaktor i gazetës së përditshme Zëri, që nga viti 2000, deri më 2009.
Vite të tëra ka punuar si gazetar dhe redaktor në revistën “Zëri”, ndërsa para se të filloj punën profesionale në këtë revistë, Hamzaj ka punuar në gazetën studentore “Bota e Re”, ku për një kohë ishte edhe kryeredaktor i saj.

Hamzaj së fundmi ka punuar si redaktor edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe kryetari i saj, Prof. dr. Enver Hasani, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hamzaj për këtë humbje dhe të gjithë atyre që patën rastin dhe fatin e mirë të jenë bashkëpunëtorë të tij.

Bardh Hamzaj u lind në fshatin Gllogjan të Deçanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kishte mbaruar në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filologjik, Dega Letërsi dhe Gjuhë në Universitetin e Prishtinës.

Bildt bën thirrje për dialog në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Suedisë, Carl Bildt, ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjet në veri të Kosovës dhe ka bërë thirrje për dialog.
“Jam i shqetësuar me lajmet nga veriu i Kosovës. Kemi nevojë për dialog dhe pajtim e jo për forcë dhe dhunë”, ka shkruar Bildt në Twitter.

Gjatë aksionit për largimin e barrikadës në fshatin Rudarë të Zveçanit, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka hasur në rezistencën e banorëve lokalë. Gjatë përleshjeve janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe të tre serbë lokalë.

UNMIK-u i shqetësuar me numrin e të lënduarve

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është i shqetësuar me raportimet për numrin e të lënduarve në radhët e civilëve dhe ushtarëve të KFOR-it, me rastin e aksionit të paqeruajtësve ndërkombëtarë për heqjen e barrikadës në fshatin Rudarë të Zveçanit.
“Ne do të presim qartësime shtesë mbi ngjarjet e sotme, jemi në kontakt me të gjitha palët, në përpjekje për të qetësuar situatën dhe po vëzhgojmë zhvillimet nga afër”, ka thënë zyrtari i UNMIK-ut, Leonid Markarian.

“KFOR-i ka një mandat për të përmbushur dhe duhet t’i mundësohet liria e lëvizjes. UNMIK-u fton për vetëpërmbajtje dhe qetësi dhe trimëron vazhdimësinë e dialogut”, thuhet në reagimin e këtij misioni.

Gjatë aksionit të sotëm për heqjen e barrikadës në Rudarë, janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë.

Dorëzohen kopjet regjistrave civilë për Janjevën

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të EULEX-it, Andy Sparkes, sot i dorëzoi Blerim Camajt, Shefit i Agjencisë së Regjistrimit dhe Gjendjes Civile, kopjet e pesëdhjetedy regjistrave të gjendjes civile për territorin e Janjevës, të komunës së Lipjanit, të certifikuara nga EULEX-i.
Sparkes tha se është një hap i vogël, por shumë i rëndësishëm, meqenëse shënon fillimin e diçkaje shumë më të madhe.

“Numri i përgjithshëm i regjistrave që duhet të jenë të certifikuara në këtë proces do të jenë me mijëra. Pra, ky është një projekt i madh. Ne tani e kemi marrë të gjitha masat për këtë. Së shpejti, në Nish të Serbisë, ne do të fillojmë procesin e kopjimit me kujdes të gjitha këtyre të dhënave nën mbikëqyrjen e EULEX-it”, tha Sparkes.

EULEX-i certifikon kopjet e regjistrave të gjendjes civile, si pjesë e marrëveshjes së 2 korrikut 2011, në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Regjistrat origjinal të gjendjes civile aktualisht ndodhen në Serbi.

Pato: Nuk dua të largohem nga Evropa

Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, thotë se ai nuk ka synime të largohet nga futbolli evropian në një të ardhme të afërt.
22-vjeçari së fundi është lidhur me klube si Corinthians dhe Internacional, por Pato e ka bërë të qartë se një rikthim në Brazil nuk është opsion për të, ende.
“Në këtë moment dua ta ndërtoj shumicën e karrierës time evropiane. Disa brazilianë mbeten në Evropë për 10 ose 12 vite. Do të isha 27-vjeçar nëse rikthehem pas 10 vitesh. Kush e di, nëse do të kthehem në Brazil atëherë”.
“Kurrë nuk i dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Unë vetë mund të falënderoj klubet që më janë drejtuar. Unë vetëm duhet t’i bëj gjërat e mia në fushë”, ka thënë Pato.
Braziliani ka një kontratë afatgjate me Milanin, por Rossoenrët mund ta shesin atë nëse vjen ndonjë ofertë e pasur. Ndër klubet e interesuara për të është edhe Paris Saint-Germain.

NBA: Spurs thyhen nga Thunder

Oklahoma City Thunder ka shënuar fitore 102-82 ndaj San Antonio Spurs, për të reduktuar disavantazhin e ndeshjeve finale të Konferencës Perëndimore në 2-1.
San Antonio, që fituoi dy ndeshjet e para në fushë vendore, ishte e paaftë ta ndalojnë Oklahoma Cityn, duke shijuar disfatën e parë pas 50 ditësh. Deri mbrëmë Spurs kishin 20 fitore radhazi.
Kevin Durant ishte më i sakti te Thunder me 22 pikë, por ishte loja ekipore dhe në veçanti mbrojtja ajo që i dha skuadrës fitoren, duke ndaluar me sukses dyshen më të rrezikshme të Spurs, Tony Parker (16 pikë) dhe Tim Duncan (11 pikë).
Ndeshja e katërt do të zhvillohet të shtunën me Oklahoman që sërish do të jetë nikoqir.

Zyrtare: Rodgers, trajner i ri i Liverpoolit

Liverpooli ka konfirmuar se Brendan Rodgers do të jetë menaxher i ri i skuadrës, duke e prezantuar atë gjatë një konference shtypi.
Ish-menaxheri i Swansea Cityt zëvendëson Kenny Dalglish, i cili u shkarkua pasi përfundoi në pozitën e tetë në Ligën Premier, edhe pse arriti në finale të Kupës FA dhe të Ligue Cup, duke e fituar këtë të fundit.
Rodgers vjen në Anfield pas vetëm katër vitesh përvojë menaxheriale, pasi më herët kishte drejtuar edhe skuadrat si Watford dhe Reading.
39-vjeçari ka marrë shumë lëvdata dhe përkëdhelje për lojën e posedimit të topit duke pasuar, në sezonin e tij të parë te Swansea në Ligën Premier, duke e çuar skuadrën në pozitën e 11-të.
Gjatë pronocimit të tij Hodgers ka falënderuar pronarin e Lierpoolit, John W. Henry, dhe drejtorin e bordit, Tom Werner, që i kanë dhënë shansin të drejtojë një “projekt të mahnitshëm”. 

Abidal mund t’i kthehet futbollit

Juan Carlos Garcia-Valdecasas, mjeku i cili operoi Eric Abidal, ka thënë se mbrojtësi i Barcelonës mund të kthehet sërish në fushë një ditë.
Abidal iu nënshtrua një transplantimi të mëlçisë në prill dhe fillimisht u mendua se ndërhyrja do t’i japë fund karrierës së 32-vjeçarit. Megjithatë një rikthim i tij duket mundësi reali, pas komenteve të fundit të mjekut.
“Kjo i takon atij. Unë nuk do ta ndaloj. Koha do të tregojë. Nëse Eric përgjigjet mirë, nuk ka arsye pse të mos luajë”.
“Mëlçia është një organ i cili rigjenerohet çdo tre muaj. Abidal duhet të rikuperohet ngadalë. Por në mes tre dhe gjashtë muajve, ose deri në një vit pas intervenimit, pacientët janë në gjendje të bëjnë jetë normale”.
“Ai gjithmonë është në humor të mirë. Ai është një karakter shumë pozitiv, është i tmerrshëm. Ai kurrë nuk është ankuar për asgjë”, ka thënë Garcia-Valdecasas. 

Avokat i Buffon: Kjo është “grackë” e mediave

Avokati i Gianluigi Buffon ka kritikuar mediat italiane, duke thënë se klienti i tij është viktimë e “grackës”.
Dje mediat italiane shkruan se portieri i Juventusit i kishte bërë rreth 1.5 milionë euro pagesa një shitësi cigaresh në Parma, të cilat kishin shërbyer për të luajtur baste.
Qëllimi i transaksionit ende është i panjohur, por ai do t’i thyente rregullat e Federatës italiane të futbollit (FIGC) nëse dëshmohet se ai ka vendosur baste në ndeshjet e ndaluara nga FIGC, Fifa ose Uefa.
Por avokati i Buffon mendon se mediat italiane në këtë mënyrë kanë dashur t’i hakmerren portierit për shkak se ai i kritikoi ata në një konferencë shtypi ditë më parë.
“Hipoteza e basteve dhe lëvizjeve anormaleve të parave nuk është nxjerrë nga asnjë hulumtim nga Policui Financiare në vitin 2010. Kjo është një kohë e çuditshme: Gigi është i zemëruar për grackën kundër tij, pas konferencës së tij të shtypit”.
“Kush thotë se pagesat janë bërë për qëllime bastesh? Pasi këta dy njerëz, një portier dhe një pronar i një bastoreje kanë vepruar së bashku, atëherë qëllimi i transaksionit të tyre duhej të ishte për baste ilegale?”.
“Ky është një argument i dobët pasi ata e kanë njohur njëri-tjetrin që kur Gigi ishte te Parma në ekipin e të rinjve, dhe miqësia e tyre mund të lidhet me transaksione komerciale, si patundshmëria”, ka thënë Marco Valerio Corini. 

Menezes i kënaqur me progresin e Brazilit

Përzgjedhësi i Brazilit, Mano Menezes, ka nënvizuar përparimin e skuadrës së tij pas fitore 4-1 në miqësoren ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Neymar, Thiago Silva, Marcelo dhe Alexandre Pato, që të katërt shënuan nga një gol, për t’i dhënë skuadrës fitoren e dytë radhazi, pasi ata shënuan fitore 3-1 edhe ditë më parë edhe kundër Danimarkës.
“Ne kishim disa momente të mira gjatë ndeshjes. Ne e dominuam shumicën e ndeshjes. Ne vuajtëm ca kur topi ishte afër golit tonë, pasi Shtetet e Bashkuara vendosin shumë lojtarë në zonë”.
“Ne duhet të zhvillohemi ca pas çdo ndeshje. Ne ishim më të mirë sot se kundër Danimarkës”, ka thënë Menezes

Sion interesohet për Del Pieron

Drejtori sportiv i klubit zviceran, Sion, Marco Degennaro, ka konfirmuar se skuadra e tij është duke synuar një transferim të legjendës së Juventusit, Alessandro Del Piero.
37-vjeçari largohet nga Zonja e Vjetër pas 19 vitesh, pasi fitoi titullin e Serie A këtë sezon, dhe aktualisht është duke i analizuar opsionet për të ardhmen.
“Presidenti i klubit tim dëshiron ta sjellë Del Pieron, por do të jetë vështirë për të të pranojë, duke marrë parasysh se ai mbase ka oferta nga Anglia dhe Los Angelesi. Ne do të mendojmë për këtë, por do të jetë vështirë”, ka thënë Degennaro.

Diego të kthehet te Wolfsburg?

I huazuari te Atletico Mardid, Diego, beson se ai do të luajë me fanellën e Wolfsburgut sezonin e ardhshëm.
27-vjeçari kaloi sezonin e kaluar si i huazuar në Vicente Calderon, pas përplasjeve me trajnerin Felix Magath. Ai pati një sezon impresiv duke fituar Europa League dhe duke përfunduar i pestë në La Liga.
“Mendoj se do të jem te Wolfsburg sezonin e ardhshëm, sërish. Ende kam edhe dy vite të mbetura në kontratën time”, ka thënë Diego për Wolfsburger Allgemeine Zeitung.
Mesfushori brazilian, i cili i kushtoi Wolfsburgut 15.5 milionë euro, shënoi gjashtë gola në 42 paraqitje me Atleticon. 

Terry, tri ndeshje i suspenduar në LK

Kapiteni i Cheleat, John Terry, është suspenduar për dy ndeshje të Ligës së Kampionëve, duke përfshirë dhe një ndeshje të tretë, dënimin e të cilës tashmë e ka vuajtur.
Komisioni disiplinor i UEFA-s vendosi që ta dënojë qendërmbrojtësin për sjelljen e tij të dhunshme ndaj sulmuesit të Barcelonës, Alexis Sanchez.
Terry kështu do të mungojë në Superkupën e Evropës ndaj Atletico Madridit në gusht, teksa do të mungojë edhe në ndeshjen e parë sezonale në Ligën e Kampionëve. Ai ndeshjen e tretë si i suspenduar e vuajti ndaj Bayernit të Munichut në finalen e Allianz Arenas. 

Genta e BB5 kërkon takim me reperin Stresi

Genta Gjalpi, e renditura e treta nga votat e publikut në reality-show-n “Big Brother 5”, ka shprehur dëshirën për të takuar reperin e hitit “Lamtumire”, Arkimed Lushajn, i njohur me emrin e artit, Stresi.
Është mësuar se Genta dëshiron ta takojë “rivalin” e Noizy-t, Stresin, për të vëllanë e saj.
Vëllai e Gentës, Eltoni, aspiron që të bëhet një reper i ardhshëm shqiptar dhe thuhet se do të fillojë të bashkëpunoj me Stresin për të hyrë në tregun muzikor.

Morena e angazhuar me projekte të reja

Miss Kosova 2012, Morena Taraku, është e angazhuar me një projekt të ri.
Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në “Miss Liberty of the World” që do të mbahet më shtat qershor.
Përveç kësaj, Morena Taraku këtë vit do të jetë prezantuese e “Video Festit Muzikor”, i cili mbahet më pesë qershor.
Morena Taraku vazhdon të jetë ende “Miss Kosova”, pasi që nga viti 2010 nuk është mbajtur organizime për Miss në Kosovë. 

Beatrix Ramosaj paralajmëron klipin e ri

Këngëtarja e re, Beatrix Ramosaj ka paralajmëruar videoklipin e ri të këngës ‘Dreams Come True’.
Këngëtarja e re, Beatrix Ramosaj ka paralajmëruar videoklipin e ri të këngës ‘Dreams Come True’.
“Kënga është një produksion i Enis Preshevës, tekstin e ka shkruar Big Basta & Ja'Shayla e për videoklipin kam bashkëpunuar me Pulla Pictures”.
“Për veshjet e mia është kujdesur stilistja Lia Stublla, grimin e ka bërë Nora Latifi. Klipi do lëshohet më datë 9 qershor, për ditëlindjen time”, tregoi Beatrix”, në rrjetin social Facebook. 

Arsyet pse femrat më shpejt vendosin për seks

Gjithmonë na ka interesuar se çfarë ndikon tek femrat që më lehtë të futen në seks, ja disa prej përgjigjeve.
1. Femrat shpesh ndjejnë presion për të pasur seks, për shkakun se mendojnë se "të gjithë bëjnë një gjë të tillë". Por, kjo nuk është fare e vërtetë. Hulumtimet në të cilat kishin marrë pjesë shumë njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme tregojnë se ata më shumë mburren se sa që e bëjnë një gjë të tillë. Rezultati është se, femrat mendojnë se hyrja në marrëdhënie seksuale është gjë e zakonshme.
2. Femrat mendojnë se edhe të bërit dashuri sjell deri tek një lidhje. Gjatë një hulumtimi më shumë se gjysma e femrave kanë deklaruar se seksi është rruga deri tek një lidhje serioze. Mirëpo, në shumicën e rasteve sa më lehtë të vini deri tek seksi, aq më të pakët janë gjasat se ajo lidhje do të zgjasë.
3. Femrat shpesh besojnë se duhet testuar kiminë seksuale për të qenë të sigurta në ‘kompatibilitetin seksual’ me mashkullin e tyre.
4. Një nga hulumtimet ka treguar se femrat në moshë gjithnjë e më tepër mendojnë për seks dhe më shpesh u ekspozohen aferave. 

Për jetë të gjatë konsumoni ushqime të ziera

Studimi më i ri ka treguar se njerëzit të cilët ziejnë ushqimin pesë herë në javë për 47 për qind kanë më shumë gjasa se do të jenë gjallë pas dhjetë viteve.
“Është shumë e qartë se gatimi i ushqimit është shprehi e shëndoshë” thotë profesori Dr. Mark Wahlqvist.
“Gatimi meriton një vend në edukim gjatë jetës”.
Hulumtuesit ishin marrë me një grup prej 1.888 meshkujve dhe femrave, më të moshuara se 65 vjeç në Tajvan. Në fillim të studimeve ishin intervistuar disa faktorë të mënyrë së jetës, përfshirë atë të gatimit, kushtet në kuzhinë, shprehitë gjatë blerjes së ushqimit, edukimi dhe duhani.
Në fillim ishte menduar se 43 për qind e pjesëmarrësve kurrë nuk kishte gatuar, 17 për qind gatuan një apo dy herë në javë, 9 për qind gatuan tre deri pesë ehtë në javë dhe 31për qind' gatuan më shumë se pesë herë në ditë.
Pas dhjetë viteve ishin intervistuar ata që ishin gjallë ku ishte vërtetuar se ata që kishin gatuar më shpesh kishin jetëgjatësi më të gjatë. Pos gatimit, më gjatë do të jetoni nëse blini në shitore, udhëtoni me transport publik dhe nëse jeni femër.  

Samsung shet 7 milionë Galaxy Note

Samsung Galaxy Note tani është bërë shumë më i famshëm si “fablet”, dhe këtë e konfirmon edhe vet Samsung i cili thotë se ka arritur të shesë më shumë se 7 milionë njësi të këtij modeli, në mbarë botën.
Bashkë me njoftimin për shitjen e 7 milionë Galaxy Note, Samsung gjithashtu ka njoftuar se deri më sot kompania ka arritur të shesë rreth 50 milionë telefona të mençur të linjës, Galaxy S.
Shifra prej 50 milionë telefonave përfshin modelet Galaxy S dhe Galaxy SII, si dhe modelin e fundit Galaxy SIII, mirëpo ky numër pritet të rritet edhe më tej, me trendin e fundit të shitjes së Galaxy SIII, i cili deri më tani ka arritur në 9 milionë njësi të shitura. 

A mundet ta bëjë Messi këtë? (Video)

Një elefant me emrin Donna ka treguar aftësitë sportive duke luajtur me top në një kopsht zoologjik në Angli.
Kafsha dyvjeçare arrin ta shutojë topin dhe të luajë me të sikurse fëmijët.
“Elefantët foshnja janë shumë të ngjashëm me fëmijët e mi. Ata kënaqen duke luajtur dhe duke vrapuar rreth e rrotull. Kjo na jep mundësinë që të afrohemi me ta”, ka thënë Lee Sambrook, i cili kujdeset për kafshët. 

Usain Bolt le ta provojë këtë – përpara vrapojnë të gjithë (Video)

Garret Doherty nga Dublini e ka thyer rekordin e tij në vrapim prapa. Ai ka përshkuar 1.6 kilometra për më pak se shtatë minuta (6min 57sec).
Irlandezi ka arritur ta thyejë rekordin e tij personal gjatë mbrojtjes së titullit të kampionit në Britaninë e Madhe në vrapim prapa. Ai ka qenë një minutë më i shpejtë se rivali i tij më i afërt.
“Jam shumë i entuziazmuar që kam arritur ta mbroj titullin dhe krahas kësaj të thyej rekord”, ka deklaruar kampioni i vrapimit prapa.
33-vjeçari ka filluar të merret me këtë sport para tre vitesh. Ai ka filluar të vrapojë nga prapa pasi i kishte penguar dielli, dhe këtu filloi gjithçka. 

Eurozona drejt shpërbërjes

Huadhënësit e Eurozonës duhet të vendosin se çfarë pamje duhet të ketë blloku në të ardhmen, pasi struktura aktuale është e “paqëndrueshme”, ka thënë Presidenti i Bankës Qëndrore Europiane, Mario Draghi.
Ai deklaroi se BQE nuk mund të mbushë vakumin e lënë nga qeveritë dhe as të stimulojë e vetme rritjen në vendet e monedhës së përbashkët, duke realizuar reforma strukturore.
Duke folur përpara Parlamentit Europian, Draghi deklaroi: “Hapi i ardhshëm dhe më i rëndësishëm i Eurozonës është qartësimi i vizionit të vendeve anëtare për të ardhmen. Sa më shpejt të specifikohet mënyra se si do të veprohet, aq më mirë do të jetë, pasi është e qartë që gjërat nuk mund të vazhdojnë të mbeten njësoj për shumë kohë”.
Nga ana e tij, komisioneri i BE-së për ekonominë, Olli Rehn, deklaroi se më shumë masa shtrënguese kursimi duhen marrë, nëse Eurozona dëshiron të shmangë shpërbërjen. ”Kemi nevojë për një qëndrueshmëri më të madhe dhe një kapacitet të përbashkët për të ndaluar infektimin e sistemeve të shëndosha aktualisht. Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar që euro do të qëndrojë i bashkuar dhe nuk do të shpërbëhet”, deklaroi Olli Rehn.
Ndërkohë, në tregjet ndërkombëtare, euro fitoi lehtësisht vlerë ndaj dollarit, pasi të martën regjistroi kursin më të ulët të këmbimit në dy vjet.
Të enjten, 1 euro u shkëmbye me 1.241 dollarë, nga 1.235 i dy ditëve më parë. 

Nafta e Londrës prinë me çmim

Kontratat e naftës vijuan trendin rënës të premten duke zgjeruar humbjet e mëdha të muajit maj. Presioni mbi tregun energjetik u shtua pas raportimit të indekseve menaxherial të kinës që sugjerojnë për brishtësi të ekonomisë globale dhe nënkuptojnë reduktim të masës së naftës që konsumohet. Tregjet energjetike janë të fokusuara tek raporti amerikan për punësimin përgjatë majin.
Nëse raporti do të jetë zhgënjyes nafta do të zgjerojë humbjet. Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun ra 6 cent në 101.81 dollarë për fuçi. Më herët kjo kontratë ra deri në 101.35 dollarë për fuçi. Nafta Brent mbylli muajin maj me rënie 14.7 për qind dhe është vlera më e lartë e rënies që nga viti 2008.
Ndërsa nafta bruto amerikane për korrikun ra 23 cent në 86.30 dollarë për fuçi. Kjo kontratë ra më shumë se 17 për qind për muajin maj duke mbyllur performancën më të dobët që nga viti 2008.

Kufizohet qarkullimi me tabelat serbe

Në vendkalimin kufitar në Jarinjë, në veri të Kosovës, që nga sot është zvogëluar numri i makinave që kanë regjistrimet serbe me emrat e qyteteve të Kosovës.
Siç raporton TV Most, nga mesnata policia e UNMIK-ut ka paralajmëruar vozitësit se nuk mund të ngasin më makinat pa tabelat e Kosovës.
Vërejtjet janë dhënë me gojë dhe për të gjitha informatat tjera qytetarët serbë në veri duhet t’ju drejtohen organeve në Prishtinë, raporton Beta.

Thaçi: Edukimi i fëmijëve parakusht për një shoqëri demokratike

Kryeministri Hashim Thaçi, me rastin e 1 Qershorit, Ditës ndërkombëtare të fëmijëve vlerësoi se në shoqërinë e Kosovës, me popullsinë më të re në Evropë, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën njërin prej kërkesave themelore të shtetit.
Thaçi me rastin e kësaj dite theksoi se ofrimi i mundësive të barabarta për fëmijët e vendit tonë, rritja, edukimi dhe krijimi i kushteve për një jetë të lumtur janë parakushte dhe kërkesa të një shoqërie të lirë, demokratike dhe evropiane.
“Kujdesi ndaj fëmijëve fillon nga familja, si vlerë humane dhe parim kryesor i shoqërisë së civilizuar, duke iu mundësuar gjeneratave të ardhshme që të arrijnë vlera kulmore në të gjitha sferat e jetës. Vetëm një shoqëri që ua mundëson gjeneratave të reja mbrojtjen institucionale zhvillon potencialet e veta njerëzore, në dobi të vendit dhe progresit të përgjithshëm”, shprehet Thaçi.
Sipas kryeministrit, Qeveria e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot, ka punuar në krijimin e kornizës ligjore dhe institucioneve adekuate për mbrojtjen dhe avancimin e fëmijëve.
Ky përkushtim institucional do të vazhdojë edhe në të ardhmën, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

KFOR-i konfirmon një ushtar të plagosur (Video)

E plotësuar - Vazhdojnë tensionet në veri. KFOR-i është i vendosur t’i heqë barrikadat. Në afërsi të tyre është grumbulluar një numër i serbëve. Deri tani një ushtar i KFOR-it është i plagosur, ndërsa mediat serbe raportojnë edhe për qytetarë të lënduar.
KFOR-i ka konfirmuar se një paqeruajtës është plagosur sot gjatë operacionit për heqjen e njërës nga barrikadat në veri.
“Ushtari i plagosur tashmë është evakuuar dhe gjendja e tij është stabile. KFOR-i e dënon këtë akt të dhunës. KFOR-i gjithmonë udhëhiqet nga parimi i përdorimit të forcës minimale në operacione. Sidoqoftë. KFOR-i do të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse është e nevojshme. KFOR-i nuk do të lejoj
eskalimin e situatës”, ka thënë për KosovaTimes.net Uwe Novicki, zëdhënës i KFOR-it.
Sipas medieve serbe, gjatë përleshjeve në barrikada në rudare, janë lënduar së paku tre persona. 


E plotësuar - Janë bllokuar rrugët që nga Zveçani shpijnë në fshatin Rudar, në barrikadën e betonin në vendin “Dudin Kërsh”. Ka të lënduar. KFOR-i nuk lejon kalimin e automjeteve e as këmbësorëve.
Sipas TV Most, tre vetë janë në sallën operative. Fjala është për plagosje nga plumbat e gomës. Sidoqoftë, nuk ka konfirmime zyrtare për këtë.
Ekipet e emergjencës dhe vendorët po u ofrojnë serbëve ndihmë në Rudar, pas lëndimeve që janë pasuar nga përdorimi i gazit lotsjellës. Në vendin e ngjarjes dëgjohen të shtëna rafalësh, ndërsa vërehen edhe helikopterët e KFOR-it.
Janë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë nga Zveçani në fshatin Rudar, te barrikada e betonuar në vendin “Dudin Kërsh”. Ushtarët e KFOR-it në urën e Ibrit, e cila nga Zveçani çon në Rudar, kanë vendosur tela gjemborë për çka nuk mund të kalojnë as këmbësorët e as makinat.
Makineria e blinduar KFOR-i që në mëngjes largon barrikadat e betonuar në urën e Rudarit. Largimit i ka paraprirë përdorimi i gazit lotsjellës. Ndërsa, TV Most raporton se janë përdorë edhe plumbat e gomës dhe armët luftarake.
Në Zveçan dhe në veri të Mitrovicës janë dëgjuar sirenat, që ishte shenjë për mbledhjen e shumë qytetarëve drejtë Rudarit. Te “Dudin Kërshi” janë mbledhur shumë ushtarë të KFOR-it dhe qytetarë serbë.
Në njoftimin e KFOR-it, thuhet se kanë ka filluar që në mëngjes një operacion për eliminimin e barrikadave, me qëllim të realizimit të lirisë së qarkullimit.
"Nga ora 08:40 KFOR-i kryen operacionin e heqjes së barrikadave në rrethinën e vendit Rudar. Ky aktivitet synon të stimulojë lëvizjen e lirë jo vetëm për KFOR-in, por edhe organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarët e Kosovës", thuhet në deklaratën e KFOR-it.
KFOR-i ka vendosur pika kontrolli për shkaqe të sigurisë, thuhet më tutje në deklaratë, për të shtuar se bëhet fjalë për masat që lidhen me heqjen e barrikadave dhe se ato do të jenë të përkohshme.
Deri tani, sipas deklaratës së KFOR-it, nuk ka informata për incidente.
Në Zveçan janë dy barrikada. Një është e vendosur në Rudar, ndërsa tjetra në “Dudin Kërsh”. Gjithsesi, prej mëngjesit pengohet edhe veprimi i operatorëve të telefonisë serbe, kështu që edhe mediat serbe kanë probleme të arrijnë deri tek informatat.
I ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se KFOR-i ka bërë "një lëvizje shumë të rrezikshme", në përpjekjen për të hequr barrikadën në Rudar.
"Unë nuk e di se cilat janë motivet për këtë. Mua më duket se Prishtina dhe KFOR-i po e përdorin vakuumin institucional në Serbi që ta ndryshojnë gjendjen në terren. KFOR-i ka nisur menjëherë të përdorë plumba gome dhe gaz lotsjellës, prandaj kam frikë se kjo do të jetë një ditë e gjatë”, ka thënë ai për Beta, i cili “frikohet se konfliktet mund të jenë më të mëdha”.

EULEX-i: Pritje të tepruara nga ne

Përfaqësues të EULEX-it dhe të shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mbrojtur performancën e deritashme të këtij misioni në Kosovë në një debat të zhvilluar të enjten në Komitetin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Përfaqësues të EULEX-it e kanë arsyetuar pakënaqësinë publike me pritjet e tepruara nga ky mision, shkruan “Koha Ditore”.
Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnac, ka thënë se misioni po kalon nëpër fazën e rikonfigurimit dhe në të ardhmen pritet të fokusohet më shumë në veri të Kosovës dhe në Prishtinë.
Ai ka paralajmëruar se do të forcohet edhe bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Duke folur për veriun, De Marnac ka thënë se ajo pjesë do të vazhdojë të jetë prioritet për EULEX-in dhe do të punohet që të sigurohet liria e plotë e lëvizjes së këtij misioni, gjë që, sipas tij, ende nuk është siguruar.
Nga Kosova në këtë debat ka folur Engjëllushe Morina nga shoqëria civile, e cila ka përmendur problemin me reputacion që ka EULEX-i në Kosovë, për problemin e mosndëshkueshmërisë dhe problemin që vazhdon ta paraqesë për Kosovën mosnjohja e pavarësisë nga ana e pesë shteteve të anëtareve të BE-së.
"Është vështirë të arsyetohet se si një mision kaq i madh nuk mund të zgjidhë problemin e një zone aq të vogël, siç është veriu i Kosovës", ka thënë Morina.
Edhe shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë kritikuar EULEX-in për mungesë të rezultateve më të mëdha në fushën e rendit dhe të ligjit, e sidomos për situatën në veri të Kosovës.
Kështu Doris Pack nga Gjermania ka thënë se "pas viteve të pafat të UNMIK-ut në Kosovë ka pasur pritje që EULEX-i do të jetë shumë më i mirë, por ato nuk janë realizuar". Pack ka bërë thirrje që të nxirren mësime nga rasti i Bosnjë-Hercegovinës dhe të mos përsëriten të njëjtat gabime.

Nikolic: Mes BE-së dhe Kosovës, zgjedhim Kosovën

Presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, i tha televizionit malazez se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, "edhe me koston e anëtarësimit në Bashkimin Evropian".
"Unë nuk jam në listën e atyre që do ta bëjnë këtë", ka thënë ai.
Nikolic shtoi se Serbia do të mbetet “ushtarakisht neutrale” dhe se deri tek anëtarësimi në BE partneri kryesor i saj do të jetë Rusia.
“Pastaj do të shohim”, ka thënë Nikolic.
Duke folur për “neutralitetin ushtarak” dhe faktin se Serbia do të mbetet e rrethuar me shtetet anëtare të NATO-s, Nikolic tha se Serbia i ka njohur fqinjët e saj, se nuk do ta sulmojë askënd dhe se as atë nuk do ta sulmojë askush.
"Përse dikush do ta sulmonte Serbinë?", pyeti ai, duke shtuar se nuk do të përzihet në punët e qeverisë, siç ka bërë më herët Boris Tadici.

Punë e vështirë

Institucionet e Kosovës duhet të adresojnë seriozisht krimin e organizuar, korrupsionin, krimin ekonomik e financiar dhe një varg kushtesh tjera, nëse duan lëvizje pa viza në Schengen. Në Qeveri pajtohen se kjo është edhe pjesa më e vështirë e udhërrëfyesit. Pavarësisht se askush nuk e thotë publikisht, në Bruksel dhe Prishtinë përmendin fundin e vitit 2014 si opsion real kur mund të jepet drita e gjelbër për lëvizjen e lirë të kosovarëve në Evropë.
Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, që do t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës më 14 qershor, ka adresuar përveç tjerash në masë të madhe çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila duhet të luftohet dhe parandalohet nga Prishtina, shkruan “Express”.
Kjo pikë zë një vend qendror në udhërrëfyes, derisa Komisioni Evropian ka radhitur një varg kërkesash që duhet t’i kryejnë institucionet në mënyrë që të ecet përpara me heqjen eventuale të vizave.
Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka deklaruar për “Express” në ditën kur u bë i ditur lajmi nga Brukseli se pikërisht çështja e korrupsionit dhe krimit të organizuar është më e vështira për t’u përmbushur në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë e kosovarëve.
Askush deri më tani nuk ka mundur të flasë se cili është afati kur kosovarët mund të lëvizin lirshëm, por, sipas disa komunikimeve që ka pasur Express me disa zyrtarë evropianë, një gjë e tillë mund të arrihet në fund të vitit 2014, pavarësisht se një gjë e tillë nuk thuhet me një siguri absolute.
Por, deri atëherë institucioneve u mbetet mjaft punë për të bërë.