Ljajic nuk e këndon himnin serb – përjashtohet!

Trajneri i Serbisë, Sinisa Mihajlovic, e ka përjashtuar nga skuadra Adem Ljajicin, pasi ky i fundit refuzon ta këndojë himnin kombëtar serb.
Sulmuesi i Fiorentinas qëndroi i heshtur gjatë kohës kur himni serb po këndohej në ndeshjen miqësore ndaj Spanjës në AFG Arena në St. Gallen të Zvicrës, ndërsa ka thënë se edhe në të ardhmen do ta bëjë të njëjtën gjë.
Në një komunikatë të Federatës serbe të futbollit thuhet se arsyeja e largimit të Ljajic është për shkak “të shkeljes së kodit të sjelljes”.
“Ljajic i ka thënë Mihajlovicit se ai ka refuzuar ta këndojë himnin kombëtar, për çështje personale dhe se nuk do të ketë ndryshime në qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje”.
“Lojtari do të lejohet të kthehet në ekipin kombëtar vetëm nëse e ndërron qëndrimin e tij dhe nëse e njofton zyrtarisht Mihajlovicin se e ka bërë atë”, shkruan në komunikatë.
Ljajic është një mysliman i lindur në Novi Pazar. 

Hetohet Bonucci – i arrestuar edhe një shqiptar

Mbrojtësi italian, Leonardo Bonucci, është duke u hetuar si pjesë e skandalit tjetër në futbollin italian, Scommessopoli.
Qendërmbrojtësi i Juventusit është i dyshuar për përfshirje në barazimin prej 3-3 mes Barit dhe Udineses në sezonin 2009/2010 në Serie A – raporton ANSA.
Bonucci thuhet të ketë qenë njëri nga katër lojtarët që është përfshirë në montimin e rezultatit të asaj ndeshjeje.
Njoftimi vjen vetëm disa orë pasi Domenico Criscito u përjashtua nga ekipi i Italisë për Euro 2012, për shkak të përfshirjes në montimin e ndeshjeve.
Në këtë skandal është përfshirë edhe një shtetas shqiptar, Kujtim Qoshi, i cili është partner me një shtetas boshnjak – Safet Altic.
Mediat shqiptare raportojnë se Qoshi është arrestuar nga policia italiane, ndërsa deshja e dyshuar ku ka gisht ai thuhet të jetë Lazio – Genoa, e cila përfundoi me shifrat 4-2. 

Cech edhe katër vite të tjera me Chelsean

Portieri i Republikës Çeke, Petr Cech, ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare me klubin nga Stamford Bridge.
Cech iu bashkua Chelseat në vitin 2004 nga klubi francez, Rennes, ndërsa deri më tani ka regjistruar 369 paraqitje, duke fituar tre tituj të Ligës Premier, katër trofe të Kupës FA, dy të Carling Cup dhe një të Ligës së Kampionëve.
Marrëveshja e re e lidh 30-vjeçarin me Blutë deri në vitin 2016. 

Cole kërkon edhe një shans te Liverpooli

Mesfushori i Liverpoolit, Joe Cole, dëshiron që të lë përshtypje në Anfield pas sezonit të parë zhgënjyes.
Në sezonin që lamë pas, ish-lojtari i Chelseat ka luajtur në formë huazimi te ekipi francez, Lille, pasi që paraprakisht nuk i kishte bindur drejtuesit e ‘Të Kuqve’ për ta mbajtur në ekip.
“Kam qenë i suksesshëm te West Hami, i suksesshëm te Chelsea. U transferova në një vend tjetër, në Francë dhe pata një sezon të mirë”.
“Është vetëm ai sezon te Liverpooli – do të doja të më jepet një rast tjetër që t’i rregulloj gjërat”, ka thënë Cole për Sky Sports

Rita Ora mysafire në jurinë e ‘X Factor’ (Foto)

Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, ka debutuar në spektaklin për talentë, ‘X Factor’, si mysafire në panelin e jurisë.
Mëngjesin e të hënës, kryesuesja e top-listave britanike është shfaqur në audicionet e shout në Londër. E veshur me një fustan të bardhë dhe një xhaketë me të njëjtën ngjyrë, krijuesja e hitit “R.I.P” u takua me fansat e saj jashtë O2 Arena në kryeqytetin britanik.
“Jam këtu... Nuk mund të marr frymë! X Factor... Unë jam sikurse ju, edhe unë sapo kam filluar. Jam këtu për t’ju ndihmuar!”, ka thënë 21-vjeçarja.
“Hot Right Now” dhe “R.I.P” janë dy këngët me të cilat Rita ka pushtuar Britaninë e Madhe, por ato kanë mjaftuar që ajo të shndërrohet në yll. 

Vazhdon tregimi për “momentin Marilyn” të Arta Dobroshit (Foto)

Aktorja kosovare, Arta Dobroshi, në tepihun e kuq në Festivalin e Filmit në Kanë, me qëllim ose jo, tregoi më shumë sa që duhej, ndërsa vazhdojnë të qarkullojnë shkrimet për pozimin e saj që i befasoi të gjithë.
Në Kanë, Dobroshi ishte duke promovuar filmin “Trois Mondes”, ndërsa në fund u gjet “në rolin Marilyn Monroes”, pasi era çoi fundin e saj në mënyrë që të gjithë mundën të shihnin të pasmet e saj, ndërkohë që ky moment nuk u iku aparateve fotografike.
Për ta bërë edhe më keq, aktorja nën fundin e saj duket se ka pasur vetëm çorape të tejdukshme, ndërkohë që mediat vazhdojnë të shkruajnë, për siç e quajnë “Momenti Marylin në Festivalin e Filmit në Kanë”. 

Scherzinger tërheq vëmendjen në Monako (Foto)

Këngëtarja amerikane, Nicole Scherzinger, ka treguar linjat e saja trupore në garën e Formula 1 për Çmimin e madh të Monakos.
Partneri i saj, Lewis Hamilton, edhe pse zuri vetëm vendin e katërt në garë, ai mund të krenohet me të dashurën e tij. 

Falcao: Krahasimi me Messi e Ronaldo më motivon

Radamel Falcao thotë se krahasimi me emra si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo është motivim për të për t’u bërë edhe më i mirë.
“Kam marrë disa lëvdata të nxehta nga disa lojtarë, të cilët më bëjnë të lumtur, por po ashtu shtojnë përgjegjësinë në mua për të ardhmen”.
“Kjo vetëm do të më motivojë për t’u bërë edhe më i mirë dhe për të kërkuar edhe më shumë rekorde”, ka thënë kolumbiani në një prononcim për FIFA.
Falcao iu bashkua Atleticos verën e kaluar nga Porto për një shumë rreth 40 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2016. 

Reali kthehet kah Juanfran

Real Madridi raportohet se ka kthyer shikimin kah anësori i AtleticoMadrid, Juanfran.
Spanjolli ishte një prej zbulimeve më të mëdha në skuadrën e Diego Simeone sezonin e kaluar dhe forma e tij ka joshur interesimin e gjigantit spanjoll.
Sport shkruan se trajneri i Realit, Jose Mourinho, dëshiron të nënshkruajë me një anësor, dhe forma e Juanfran ka joshur interesimin e portugezit.

Chelsea para Cityt në garë për Ibran

Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, raportohet se është duke u përgatitur t’i shesë Zlatan Ibrahimovic dhe Robinhon gjatë verës.
Corriere dello Sport bën të ditur se Berlusconi do t’i sakrifikojë të dy sulmuesit me qëllim që ta mbajë mbrojtësin Thiago Silva dhe po ashtu të krijojë fonde për një program rindërtues të Milanit këtë verë.
Edhe pse Manchester City ka shprehur interesim për Ibran, Chelsea tashmë shihet si favorit për suedezin. Ibra do të arrinte në Stamford Bridge si zëvendësim i drejtpërdrejtë për Didier Drogban.
Sidoqoftë edhe Cityt mbetet në garë, në veçantë nëse përshin Carlos Tevez në ofertë. 

NBA: Thunder heshten nga Spurs

San Antonio Spurs i ka dhënë leksion basketbolli rivalit Oklahoma City Thunder duke e mposhtur me rezultat 101-98 dhe duke çuar në 19 serinë e fitoreve radhazi.
Spurs, të cilët kanë fituar gjashtë kampionate të NBA-së me trajnerin Gregg Popivich, ishin në disavantazh prej nëntë pikësh pas tre çerekëve të parë, por ruajtën qetësinë dhe shpirtin luftarak për ta fituar ndeshjen e parë finale të Konferencës Perëndimore.
Manu Ginobili shënoi 26 pikë i inkuadruar nga rezervat, ndërsa Tony Parker shënoi 18 të tjera, për të ndihmuar Spurs të barazojnë rekordin e vitit 2001 të Los Angeles Lakers për serinë më të gjatë të fitoreve.
Kevin Durant shënoi 27 pikë dhe 10 kërcime për Oklahoma City, që eliminuan dy kampionët e kaluar në dy rundet e më hershme. 

Pirlo: Milani mendoi se isha i harxhuar

Mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, edhe një herë ka kritikuar ish-skuadrën e tij Milanin që nuk pati besim në të.
Kontrata e mesfushorit me Rossonerët skadoi në fund të vitit të kaluar dhe nuk u rinovua, duke i dhënë mundësinë atij të transferohet si agjent i lirë te Juventusi, me të cilën skuadër fitoi Scudetton këtë sezon.
“Te Milani ata menduan se kisha përfunduar, por ja ku jam”, ka qeshur Pirlo në konferencën për shtyp derisa është në detyrë me kombëtaren e Italisë.
“Nuk e di nëse do të vazhdoj me karrierën me Azzurrët deri në Botërorin 2014. Do të shohim nëse jam ende i shfrytëzueshëm dhe nëse do të ftohem”, ka shtuar italiani.

Edhe Liverpool pas dyshes së Napolit, Lavezzi - Cavani

Liverpooli është duke përgatitur një ofertë befasuese të dyfishtë në adresë të Napolit.
Corriere dello Sport bën të ditur se yjet e Napolit, Ezequiel Lavezzi dhe Edinson Cavani, kanë joshur interesimin e pronarëve të Liverpoolit.
Redsat do të duhet të gjejnë 60 milionë funte për të pasur shansin të nënshkruajnë me dyshen, për të cilën janë të interesuar disa prej klubeve më të mëdha evropiane. 

Vazhdojnë skandalet në Itali, 20 të arrestuar

Përgatitjet e Italisë për Euro 2012 janë goditur nga lajmi se një numër i madh i figurave me profil të lartë në futboll janë nën hetime për rolin tyre në skandalin e montimit të ndeshjeve, Scommessopoli.
Policia italiane tashmë ka arrestuar kapitenin e Lazios, Stefano Mauri, i cili ka luajtur 11 herë për Italinë, për rolin e tij në skandalin e montimit të ndeshjeve, derisa edhe ish-mesfushori i Ganoas, Omar Milanetti, ka qenë në mesin e 19 të tjerëve të arrestuar.
Personat e ndaluar sot janë në dyshim se kanë qenë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të basteve të drejtuar nga një person nga Singapori i njohur si Tan Seet Eng, i cili ishte arrestuar në vitin 2011.
Edhe trajneri i Juventusit, Antonio Conte, po ashtu është prekur nga autoritetet të cilat kanë kërkuar shtëpinë e tij në kërkim të dëshmive.

Van Gaal drejt Liverpoolit

Louis van Gaal pret të nënshkruajë kontratë me Liverpoolin gjatë kësaj jave, shkruajnë mediat angleze.
The Sun bën të ditur se ai ende nuk e ka të qartë nëse do të caktohet si drejtor sportiv ose si menaxher i skuadrës.
Holandezi ka pasur një varg të kontakteve me pronarët e Liverpoolit javën që shkoi dhe u ka treguar njerëzve të afërt me të se ai është duke menduar të pranojë ofertën.
Liverpooli fillimisht ka kontaktuar me ish-trajnerin e Barcelonës dhe Bayern Munichut për postin e drejtorit sportiv.
Por Van Gaal, 60-vjeçar, e ka bërë të qartë se ai do të preferonte më shumë pozitën e trajnerit të skuadrës.

Milani interesohet për Dossenan

Agjenti i mbrojtësit të Napolit, Andrea Dossena, ka konfirmuar negociatat me Milanin.
“Kam pasur kontakte me Adriano Gallianin pasi po ashtu prezantoj Stephan El Shaarawy, por në mënyrë të pashmangshme kemi biseduar edhe për Dossenan”.
“Nuk ka pasur ndonjë ofertë formale, pasi ne vetëm i kemi diskutuar gjërat”, ka thënë Roberto La Florio për Radio Sport 24.

Klose i ngazëllyer me sezonin e parë te Lazio

Sulmuesi gjerman Miroslav Klose është i ngazëllyer me sezonin e tij të parë te Lazio.
Klose erdhi në kryeqytetin italian si agjent i lirë verën e kaluar nga Bayern Munich dhe shkëlqeu duke shënuar 13 gola, edhe pse ishte dy muaj jashtë fushe për shkak të një lëndimi.
“Largimi nga Bayern Munich sigurisht se ishte sikur të largohem nga familja ime, por më duhet të them se kur erdha te Lazio gjeta një familje tjetër këtu”.
“Shpesh më duhet të maskoj veten kur dal nëpër rrugët e Romës, ashtu që tifozët të mos më njohin, pasi ata janë shumë pasionuar”.
“Kam gjetur një atmosferë shumë profesioniste, e cila është shumë relaksuese dhe e qetë, pa presion shtesë”, ka thënë sulmuesi për WeltOnline.

Rizzoli: I dhashë Milanit penalti të paqenë

Arbitri Nicola Rizzoli ka pranuar se ka gabuar kur kishte akorduar penalti në favor të Milanit në derbin lokal në fund të sezonit ndaj Interit.
Rossonerët ishin në disavantazh prej një goli kur Kevin-Prince Boateng u rrëzua në zonë, ndërsa arbitri akordoi penalti me pohimin se Julio Cesar kishte bërë ndërhyrje të gabuar.
Megjithatë, xhirimet treguan se Cesar nuk kishte bërë ndërhyrje në mesfushorin e Milanit.
“Kam qenë keq i pozicionuar. Imazhet televizive janë të padiskutueshme: Unë bëra një gabim”, ka pranuar Rizzoli përSky Sport Italia.
Sidoqoftë, Interi e fitoi këtë takim me rezultat 4-2, ndërsa Milanit i kushtoi me humbjen e titullit.

Liami: Jam i zhgënjyer nga publiku

Liami, i cili ishte dyti më i votuar gjatë spektaklit të së shtunës, ka thënë se votat e kosovarëve nuk e lejuan atë ta fitojë çmimin e madh.
Liami ishte një pretendent i fortë për çmimin e madh të “Big Brother”, por çmimi kryesor i takoi kosovarit Arbër Zeka, që ka bërë të parin të ndihet shumë i zhgënjyer nga publiku.
“Nuk është faji im, është faji i votave. Atë e votoi Kosova, ne të katërt na votoi Shqipëria. Për lojë nuk e fitonte”, ka thënë Liami.
“Jam i zhgënjyer nga publiku. Po të isha unë në vendin e tyre dhe të shoh një njeri që rri tre muaj mbyllur në një shtëpi që quhet ‘Big Brother’ dhe javën e fundit thotë që unë e kam 90% të fituar, do ta nxirrja jashtë menjëherë”.
“Unë vërtet kam kaluar edhe në ofendime brenda shtëpisë, por nuk kam dashur të viktimizohem dhe nuk e ka bërë asnjë nga banorët”, ka thënë Liami. Ai ka shtuar se Abrëri gjatë kësaj loje është ‘viktimizuar’, duke thënë se ato para i duhet pasi që jeton me qira dhe në fund të muajit ngel pa para.
“Arbri shkonte në darkë te secili nga banorët e thoshte se në fund të muajit ngelte pa lekë, jetoj me qira, etj. Ai zgjodhi këtë mënyrë, bravo i qoftë, e fitoi. I shfrytëzoftë ato para në mënyrën e duhur”, kashtuar Liami. 

Jonida: Jeta më ka ndryshuar për mirë

Jonida Maliqi ka pohuar se nga momenti që është bërë nënë jeta e saj ka ndryshuar për të mirë.
“Jeta ime ka ndryshuar vërtetë, por është një ndryshim vetëm për më mirë. Tashmë jam nënë dhe për mua nuk ka ndjenjë më të bukur se sa kjo që po përjetoj”, ka thënë këngëtarja.
Përveç kësaj ajo ka shtuar se është duke u përgatitur të sjell projektin e saj të radhës muzikor.
“Aktualisht jam duke punuar për disa materiale muzikore. Në këto punime ka material të cilat janë solo, por dhe bashkëpunime me një grup të njohur nga Kosova. Në fakt për realizimin e një albumi të ardhshëm po mendohem, megjithatë jua bëj me dije se me një videoklip të ri së shpejti do të rikthehem për publikun tim të dashur”, ka deklaruar Jonida për Koha jonë.

Ronela pendohet për pjesëmarrjen në “Top Fest“?

Ronela Hajati, e cila ishte konkurrente në festivalin “Top Fest 9“, ka lajmëruar se nuk do jetë pjesëmarrëse në natën finale të këtij festivali.
Këngëtarja me ironi ka shkruar në rrjetin social në Facebook se ndihet shumë e lumtur që nuk është pjesë e natës finale në “Top Fest”.
“Jam shumë e lumtur t’ju njoftoj që nuk jam në finalen e ‘Top Fest’. Shikim të këndshëm të perlave të tjera muzikore”, ka shkuar ajo në “Facebook”.
“Kosova Sot” shkruan se përmes këtij mesazhi këngëtarja ka treguar se është penduar që ka marrë pjesë në këtë festival. Nata finale e “Top Fest 9” do të mbahet më 3 qershor. 

Femrat tërheqëse shikohen si objekte?

Hulumtimi i ri i shkencëtarëve belgë, i cili është publikuar në revistën “Association for Psychological Science”, zbulon që të gjithë, femrat dhe meshkujt, femrën tërheqëse në fotografi e shikojnë si objekt, ndërsa meshkujt tërheqës megjithatë i shkojnë si persona.
Prof. Bernard dhe ekipi i tij u kanë dhënë pjesëmarrësve të shikojnë në monitor fotografitë e meshkujve tërheqës dhe femrave në rroba të brendshme. Disa fotografi kanë qenë në pozita të zakonshme, ndërsa disa të tjera të kthyera mbrapsht. Secili pjesëmarrës pas çdo fotografie ka shikuar një sekondë në monitorin e zi, dhe pastaj në bazë të dy fotografive të ndryshme është dashur të njohë atë që e ka shikuar së pari.
“Ende mbetet e paqartë pse truri femrën tërheqëse e vështron si objekt, ndërsa mashkullin si person”, ka deklaruar prof. Philippe Bernard.
Njerëzit i kanë njohur më vështirë meshkujt kur fotografinë e tyre origjinale e kanë shikuar të kthyer mbrapsht, ndërsa tek fotografia e femrave nuk ka pasur probleme me njohjen e tare.
Këto rezultatet sugjerojnë që njerëzit femrat tërheqëse në fotografi i shikojnë si objekte.

Diabeti ndikon në gjendjen shpirtërore

Personat që vuajnë nga diabeti i tipit 1 ose 2 përjetojnë ndryshime të papritura të nivelit të sheqerit në gjak të cilat shkaktojnë ndryshime të gjendjes së tyre shpirtërore, me çka u prishet kualiteti i jetës.
Trupi i personave me diabetin e tipit l nuk mund të prodhojë insulinën në mënyrë të pavarur, ndërsa personat me diabetin e tipit 2 duhen të rregullojnë nivelin e insulinës, sepse trupi i tyre nuk është në gjendje të prodhojë sasinë e mjaftueshme të insulinës.
“Ndryshimet e nivelit të sheqerit në gjak ndikojnë në gjendjen shpirtërore të të gjithë njerëzve, ndërsa te personat, të cilët janë të sëmurë nga diabeti, ato ndryshime dukshëm janë më të shpeshta”, transmeton EveryDay Health deklaratën e dr. Vivian Fonseca.
Hiperglikemia (niveli i lartë i sheqerit në gjak) mund të reduktojë aftësinë e koncentrimit dhe të rrisë tensionin. Hipoglikimia (niveli i ulët i sheqerit në gjak) mund të nxisë nervozizëm, madje edhe sjellje agresive.
Nëse vuani nga diabeti dhe nuk dini se si të përballeni me ndryshimet e gjendjes shpirtërore, këshillohuni me mjekun tuaj ose me terapeutik që të mos preket kualiteti i jetës suaj. 

S’ka më tablet Cisco Cius!

Gjatë kësaj jave, Cisco ka lajëmruar se do të ndërpres prodhimin e tabletit të saj Android, Cisco Cius, i cili ka qenë i dizajnuar për klientë të biznesit.
Çmimi i Cisco Cius është 750 dollarë, ndërsa ky model i tabletit Android ishte prezantuar më 29 qershor 2010, në ngjarjen e kompanisë e cila njihet me emrin Cisco Live.
Megjithatë, sipas një njoftimi në blogun zyrtar të Cisco’s ishte thënë se kompania nuk do të prodhojë më tablet të këtij modeli, ndërsa gjithashtu ka njoftuar se nuk do të sjell funksione ose versione të reja të platformës Android në këtë tablet.
Tableti Cisco Cius Android tashmë radhitet në mesin e tabletëve të dështuar në treg, pasi që tani ofrohen tablet më të lirë, si dhe konkurrenca nga Apple iPad është shtuar edhe më tej. 

Qeni përshkon 1.831 kilometra duke vrapuar (Video)

Një qen i vogël ka vrapuar 1.831 kilometra nëpër Kinë duke ndjekur një ekip çiklistësh gjatë një turneu nëpër këtë vend.
‘E vogla Sa’ ka treguar përkushtim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, pasi ka vrapuar 24 ditë dhe e ka përfunduar turneun bashkë me çiklistët.
Rrugëtimi i qenit ka filluar kur njëri nga çiklistët i kishte dhënë ushqim, dhe më pas ‘Sa’ nuk është ndalur së vrapuari duke ndjekur vozitësit e biçikletave.
Gjatë rrugëtimit qeni së bashku me çiklistët kanë kaluar 1.831 kilometra, ndërsa janë ngjitur në 10 maje malesh më të larta se 4.000 metra. 

Treni i kalon përmbi pa e prekur

Një kanadez ka shpëtuar pa lëndime, edhe pse gjatë kohës kur po qëndronte në mes të binarëve mbi të ka kaluar një tren.
Mashkullin e dehur e kishte zënë gjumi në mes të binarëve të hekurudhës, drejtuesi i trenit e kishte vërejtur, por me vonesë.
Calgary Herald njofton se ai i ka rënë sirenës dhe ka shtypur frenat, megjithatë nuk ka mundur ta ndalë trenin, i cili ka kaluar mbi personin e shtirë.
“U zgjua, u ngrit, mori birrën dhe shkoi. Dukej shumë i hollë, falë kësaj treni ka kaluar mbi të dhe nuk e ka prekur”.
“Vetëm se nuk e kam të qartë si nuk është zgjuar kur treni ‘bubullonte’ mbi dhe kur frenat gërvinin”, ka thënë Dave Dubnyk, drejtuesi i trenit.

Aprovohet rishikimi i buxhetit, opozita kundër

Rishikimi i buxhetit për komunën e Mitrovicës ka ngjallur akuza dhe kundërakuza ndërmjet pozitës e opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të mbajtur të hënën në Mitrovicë.
Safet Kamberi, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se ky rishikim i buxhetit është shumë i shpejtë për ekzekutivin e komunës, andaj nuk paraqet një seriozitet të punës së ekzekutivit. “Ky rishikim me kaq nguti dhe në një seancë të jashtëzakonshme paraqet po ashtu paaftësitë e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave, për menaxhim të parave, andaj ne si grup parlamentar i LDK-së jemi kundër miratimit të tij”, theksoi Kamberi.
Ndërkaq, Nysret Maxhera nga ORA, tha se edhe aprovimi i buxhetit të rregullt ka qenë me shumë defekte për çka këshilltarët i patën dhënë atëherë vërejtjet, por siç u shpreh ai, kryesuesi i Kuvendit dhe kryetari me kokëfortësi i kanë mbrojtur qëndrimet e tyre, duke mos funksionalizuar komisionet përkatëse që kishin këshilluar punën rreth buxhetit. “Për të gjitha këto mendoj se ka shkelje ligjore në aprovimin dhe tani edhe në rishikimin e buxhetit”, tha Maxhera.
Në anën tjetër, zyrtarët të koalicionit në pushtet PDK-AKR thanë se nuk ka shkelje ligjore në rishikimin e buxhetit sepse kjo bëhet me ligj, ndërsa që shpejtësia me të cilën po rishikohet ky buxhet, është kërkesë e Ministrisë së Financave, raporton Kosovapress.
Rishikimi i buxhetit u aprovua me 25 votat e koalicionit qeverisës, derisa opozita ishte kundër. Vlen të përmendet se buxheti i komunës së Mitrovicës për vitin 2012 është 19.1 milionë euro.

Leksionet e Londrës për krizën

“Britania bën mirë të mësojë nga ekonomia e suksesshme e Gjermanisë në vend që t`i japë leksione Eurozonës”. Vërejtjet vijnë nga sekretari britanik i tregtisë, Vince Cable, që në një intervistë për ‘The Independent’, dhënë pas kthimit nga Gjermania, sqaroi se çdo ndjesi që Londra po jep leksione në këtë moment krize, është duke u perceptuar shumë keq dhe konsiderohet krejtësisht e pavend.
“Edhe pse ne vetë nuk jemi pjesë e Eurozonës, çfarë ndodh atje na prek gjithsesi, ndaj duhet të kemi një qasje të matur”, është shprehur ai. “Unë vetë mbajta një profil mjaft modest gjatë vizitës në Gjermani sepse janë një vend shumë i suksesshëm dhe ne kemi çfarë të mësojmë prej tyre. Kredibiliteti ynë qëndron tek mënyra se si e menaxhojmë ekonominë, kjo nuk duhet harruar”, shton Cable.

Komentet e tij erdhën pas deklaratave të kryeministrit David Cameron dhe liderëve europianë mbi nevojën e një plani vendimtar për Greqinë dhe vënien e ekonomisë të BE-së në lëvizje. I pyetur mbi ardhmërinë e monedhës së përbashkët, sekretari britanik i tregtisë tha se gjermanët nuk e ndjejnë të nevojshme përfshirjen nga paniku.

Ndjesia e tyre e përgjithshme është kjo: ka krizë, por jo këtu, ekonomia është e fortë dhe ne po ecim shumë mirë, të dhënat e rishikuara javën që shkoi treguan se ekonomia britanike ishte rrudhur me 0.3 për qind tre muajt e parë të vitit, çka do të thotë më shumë sesa projeksionet.

Sektori me tkurrjen më të madhe në tre vjet ishte ndërtimi, ndërsa shërbimet dhe prodhimi u cilësuan brenda parashikimit.

Kundërshtojnë aksionet e KFOR-it dhe EULEX-it

I ashtuquajturi Këshill Drejtues për Qarkun e Mitrovicës, ka kundërshtuar aksionet e KFOR-it dhe EULEX-it në veri, duke vlerësuar ato si të njëanshme dhe që kanë për qëllim frikësimin e popullatës serbe në veri.
Kërkojmë që të respektohet vullneti i qytetarëve i shprehur në referendum për mos pranimin e institucioneve të Kosovës. Po ashtu kërkojmë që të ndalen presionet psikologjike ndaj serbëve dhe arrestimet politike ndaj tyre”, thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga Këshilli Drejtues për Qarkun e Mitrovicës, transmeton Kosovapress.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit e qeverisjes lokale janë të përcaktuar që të gjitha problemet t’i zgjidhin në mënyrë paqësore, ndërkohë që dëshirojnë raporte të mira partneriteti me KFOR-in.

Përfaqësuesit e serbëve të veriut po ashtu janë të shqetësuar tej mase dhe konsiderojnë si të papranueshme klasifikimin e personave pjesëmarrës serbë nëpër takime nga ana e KFOR-it.

”Kundërshtojmë ashpër tendencën e mbylljes së Zyrës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës dhe dorëzimin e dokumentacionit përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

KMDLNJ: Rektorati ka shkelur të drejtat e njeriut

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerësoi të hënën se ndaj Lëvizjes studentore “Studim Kritikë Veprim” është vepruar në mënyrë të padrejtë, gjegjësisht janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.
KMDLNj-së i është drejtuar Lëvizja Studentore për Barazi-Studim Kritikë Veprim-SKV, duke parashtruar ankesë kundër vendimit të miratuar nga Komisioni për Zgjedhjet e Studentëve në UP të datës 22 maj 2012.

“Lëvizja Studentore për Barazi-Studim Kritikë Veprim- SKV është certifikuar si organizatë e 13-të me radhë mirëpo, pjesëmarrja në zgjedhje u kushtëzua që Rron Gjinovci, Durim Jasharaj dhe Astrit Dehari të mos jenë në listat e kandidatëve për këshilla dhe parlamente të studentëve si dhe të njëjtit nuk mund ta përfaqësojnë organizatën në cilësinë e personave kontaktues sepse janë dënuar për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore nga komisionet disiplinore të fakulteteve përkatëse si dhe rasti i tyre është në procedure gjyqësore”, thuhet në kumtesë.

KMDLNj konsideron se ndaj Lëvizjes SKV është vepruar në mënyrë të padrejtë si dhe në këtë rast ka shkelje flagrante të drejtave të njeriut, përfshirë këtu Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Këshillit...., të lartpërmendurit janë studentë të UP-së, ndërkaq arsyetimi se “rasti i tyre është në procedure gjyqësore” është në kundërshtim të plotë me parimin se “secili i dyshuar konsiderohet i pafajshëm deri sa gjykata përkatëse me një vendim të prerë nuk e shpall fajtor të akuzuarin”.

“Pastaj, nuk ka asnjë ndalesë nga gjykata apo gjykatësi i procedurës me të cilën studentëve të përjashtuar u pamundësohet kandidimi apo përfaqësimi, qoftë për këshilla apo parlamente studentore, ashtu edhe në cilësinë e personave kontaktues ose përfaqësues. Në këtë mënyrë UP përmes Komisionit në fjalë është ngritur mbi ligjin duke e keqpërdorur atë”, thekson KMDLNJ, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë studentët dhe krijim të mundësive të barabarta dhe një ambient jodiskriminues.

Këshilli po ashtu kërkon nga Komisioni të rishqyrtoj vendimin e datës 22 maj 2012 duke vepruar në përputhje me ligjin.

Njohjet për Kosovën, prioritet i Turqisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Komisionit për punë të Jashtme të Turqisë, të kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Volkan Bozkir.
Kryesuesi i delegacionit turk në takim, Volkan Bozkir, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë shumë të mira.

Ai tha se angazhimi për njohje të Kosovës nga sa më shumë vende është prioritet për Turqinë, kurse në qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka ndarje ndërmjet pozitës dhe opozitës turke.

“Turqia në çdo aspekt është me Kosovën , sidomos kur është fjala për integrimin euro-atlantik. Në ulëset e NATO-s, shpejt do të ulemi së bashku”, theksoi Bozkir, bëhet e ditur në kumtesën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sa i përket bisedave me Serbinë, ai tha se marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, ndërsa shprehu besimin se paqja do të mbretërojë edhe në veri të Kosovës.

Ndërsa kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, ashtu si edhe ndërmjet dy qeverive.

Deri tash ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë arritur 32 marrëveshje bashkëpunimi. Turqia është njëra nga 5 vendet kryesore, me të cilat zhvillohet bashkëpunimi. Duke folur për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, Krasniqi tha se Kosovën tashmë e kanë njohur 90 vende. “Presim që Turqia, si edhe deri tash, të kontribuojë me ndikimin e saj, që të shtohet numri i shteteve, sidomos nga bota islamike, të cilat do ta njohin Kosovën”, theksoi Krasniqi.

Në vazhdim kreu i legjislativit të vendit tha se çështja e pozitës së komuniteteve në Kosovë është e zgjidhur në mbështetje të standardeve më të larta evropiane.

Bashkëbiseduesit theksuan se bashkëqytetarët nga të dy vendet përbëjnë një urë shumë të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.

Përurohet stacioni jugor i policisë në Mitrovicë

Në Mitrovicë është përuruar stacioni jugor i Policisë së Kosovës, ndërsa është vendosur edhe gurthemeli i ndërtimit të Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Në ceremoninë e përurimit të objektit mori pjesë Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, i cili tha se pas shumë peripecive në punë, stacioni jugor i policisë në Mitrovicë tani do të ketë objektin e vet.

“Ky objekt ka kushtuar rreth 600 mijë euro dhe i plotëson të gjitha standardet evropiane për punë të policisë. Edhe dhomat e ndalimit janë të standardeve më të larta, me ç’rast plotëson edhe një kusht për integrime në BE”, ka thënë Rexhepi, raporto Kosovapress.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se policia, përkatësisht stacioni jugor, ka pasur probleme të mëdha në funksionimin e saj, pikërisht për shkak të mungesës adekuate të një objekti.
Sipas tij, tani policia do të ketë objektin e vet adekuat dhe do të ketë kushte shumë më të mira për punë.

Ai theksoi se këtu do të vendoset stacioni jugor dhe policia e trafikut rajonal, ndërsa në këtë pjesë të qytetit ku ndodhet ky objekt, policia do të ketë edhe lëvizje më të lehtë, sepse kufizohet me rrugët kryesore për veri dhe jug të qytetit.

Ministri Rexhepi bashkë me kryetarin e komunës Avni Kastrati dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, sot poashtu kanë vënë gurthemelin e Komandës Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Ky objekt do të jetë i përshtatshëm për punë dhe do të kushtojë rreth 850 mijë euro, ndërsa pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Milosevic kishte 700 agjentë në Kosovë

Ish-presidenti serb Slobodan Milosevic, gjatë regjimit të tij, ka pasur 2200 agjentë në Ballkan, të cilët kanë punuar për Shërbimin e Sigurimit Shtetëror serb. Milosevic më së shumti agjentë kishte angazhuar në Kosovë, 700 sish, kurse më së paku (150) kishte në Maqedoni.
Të dhënat lidhur me rrjetin agjenturës së Milosevicit janë bërë publike në raportin e forumit, i cili është mbajtur këto ditë në Bruksel, ku është shqyrtuar roli i ish-shërbimeve sekrete në Ballkan.

Gjatë debateve, Zoran Petrovic i organizatës joqeveritare “Koop i Kapinic” paraqiti të dhëna me interes mbi agjenturën e shërbimeve sekrete serbe në Ballkan dhe që përdorej nga regjimi i Milosevicit.

“Regjimi i Millosevicit kishte në dispozicion një rrjet prej 2200 agjentësh jashtë territorit të vetë Serbisë. Në Kroaci – 450, në Slloveni – 150, në Maqedoni – 150, në Bosnje-Hercegovinë – 350, në Kosovë – 700, në Mali të Zi – 200. Kurse dyqind të tjerët punonin në Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumani, Qipro, Hungari dhe Austri. Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit të njohur serb të OJQ-së “Koop i Kapinic”, Zoran Petrovic.

“Agjentët e Miloshevicit ishin politikanë, punonjës në media, biznesmenë, shkelës të embargos, si dhe zyrtarë të forcave të sigurimit të ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe grupe të ndryshme lobuese në favor të Milosevicit”, nënvizoi Petrovici.

“Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit Petrovic.

Në këtë Forum kanë marrë pjesë ish-agjentë, përfaqësues nga të gjitha shtetet socialiste, tani vende anëtare të NATO-s, përfaqësues dhe ekspertë për siguri, ku qëllimi kryesor ka qenë të analizohet puna e ish-sigurimit shtetëror nga viti 1949 deri në vitin 2010.

Në rezolutën e fundit për Serbinë, më 28 mars 2012, Parlamenti Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Beogradit “të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të eliminuar legjitimitetin e ish-shërbimeve sekrete komuniste, si një hap demokratizimi në Serbi”, shkruan BIRN.

Të shtëna armësh në veri

Të shtënat nga armët automatike, që kanë ndodhur pothuajse tërë pasditen e së dielës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë shqetësuar banorët shqiptarë dhe ata jo serbë të kësaj lagje.
Banorët nga veriu thonë se të shtënat e herë pas hershme në ajër janë bërë nga objekti i quajtur “Vojni remont” dhe kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë që ato të jenë orientuar edhe në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Fatmir Beqiri, banor i kësaj lagje, ka thënë se të dielën rreth orës 16:00 ka parë 6 persona me një armë automatike, të cilët kanë shtënë nga “Vojni remonti” në mënyrë të pakontrolluar, dhe në drejtim të shtëpisë së tij.

“Nga plumbat janë goditur telat e rrymës të cilat janë në një lartësi më të ultë sesa çatia e shtëpisë time, andaj them se plumbat janë orientuar në drejtim të shtëpisë”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.

Sipas tij, 6 familjet Beqiri të kësaj lagje kanë mbetur pa rrymë si pasojë e këtyre të shtënave.

Ai theksoi se për fat të mirë nuk ka pësuar askush dhe se rastin e ka lajmëruar në polici.

Ndërkaq, Florent Azemi, përfaqësues i kësaj lagje, tha se nuk është hera e parë që të shtënat pikërisht nga ky objekt shqetësojnë banorët e këtushëm.

“Kohët e fundit ka pasur të shtëna nga ana e serbëve në vazhdimësi, por ajo që ka ndodhur dje ka qenë vërtetë një tmerr për familjet tona, veçanërisht për fëmijët”, ka thënë Azemi.

Ai kritikoi Policinë e Kosovës të stacionit veri, pasi, siç u shpreh ai, që nga ora 13:30 kur kanë filluar të shtënat, e ka lajmëruar policinë, por askush prej tyre nuk ka ndërmarrë asgjë.

“Sa herë që serbët kanë dasma ose ahengje të ndryshme, të cilat organizohen brenda këtij objekti, banorët e këtushëm pa dallim ndjehen të frikësuar nga pasojat e mundshme të të shtënave”, tha ai, duke shtuar se banorët e Lagjes së Boshnjakëve kanë kërkuar në vazhdimësi një pikë kontroll policor afër këtij objekti, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.

Sipas tij, në këtë objekt e kanë bazën kompania e njohur “Soko”, që bënë sigurimin e personaliteteve të larta politike nga Serbia, pastaj organizata ultra nacionaliste “1389”, e njohur për barrikada dhe incidentet në veri, etj.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar të shtënat me armë që kanë ndodhur të dielën pasdite në Lagjen e Boshnjakëve.

“Ka pasur të shtëna të ashtuquajtura gazmore gjatë një ceremonie të dasmës, por ato nuk kanë qenë të drejtuara ndaj askujt”, ka thënë për Kosovapress Hoti, duke shtuar se deri tani nuk është arrestuar askush, ndërsa ngjarja është evidentuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armë mbajtje pa leje.

Policia u jep ultimatum protestuesve para Rektoratit

Policia e Kosovës u ka kërkuar aktivistëve të Lëvizjes “Studim, Kritikë, Veprim”, që deri në ora 11:30 ta lirojnë hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në të kundërtën ata do të jenë të detyruar që të intervenojnë për t’i larguar studentët protestues.
Dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “Studim, Kritikë, Veprim”, në mëngjesin e së hënës kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Studentët janë ulur pranë hyrjes së rektoratit dhe mbajnë në duar pankartat, si: “Shpallemi studentë”, “Bashkëpunim mbarëkombëtar”, “Edukimi, e drejtë universale”, “UP = Universitet Publik, jo privat” dhe thirrje të tjera.

E pranishme është edhe Policia e Kosovës, por deri me tani është vetëm duke e vëzhguar protestën, njofton KosovaPress.

Aktivistët e kësaj lëvizje nuk janë lejuar që të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, për të cilin veprim kanë protestuar të mërkurën para Rektoratit të UP-së, gjatë të cilës protestë ka ndërhyrë Njësia Speciale Kosovës, duke arrestuar 20 studentë protestues.

Ndryshe, lëvizja “Studim Kritikë Veprim”, e ka quajtur ultimatumin politik dhe të paligjshëm, sepse sipas tyre, bie ndesh me ligjin për arsim të lartë, përkatësisht nenin 13 pikën 4 që thotë “Mjediset e bartësve të licencuar të arsimit të lartë gëzojnë paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe me ligje të veçanta”.