Aprovohet rishikimi i buxhetit, opozita kundër

Rishikimi i buxhetit për komunën e Mitrovicës ka ngjallur akuza dhe kundërakuza ndërmjet pozitës e opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të mbajtur të hënën në Mitrovicë.

Safet Kamberi, në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka thënë se ky rishikim i buxhetit është shumë i shpejtë për ekzekutivin e komunës, andaj nuk paraqet një seriozitet të punës së ekzekutivit. “Ky rishikim me kaq nguti dhe në një seancë të jashtëzakonshme paraqet po ashtu paaftësitë e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Financave, për menaxhim të parave, andaj ne si grup parlamentar i LDK-së jemi kundër miratimit të tij”, theksoi Kamberi.
Ndërkaq, Nysret Maxhera nga ORA, tha se edhe aprovimi i buxhetit të rregullt ka qenë me shumë defekte për çka këshilltarët i patën dhënë atëherë vërejtjet, por siç u shpreh ai, kryesuesi i Kuvendit dhe kryetari me kokëfortësi i kanë mbrojtur qëndrimet e tyre, duke mos funksionalizuar komisionet përkatëse që kishin këshilluar punën rreth buxhetit. “Për të gjitha këto mendoj se ka shkelje ligjore në aprovimin dhe tani edhe në rishikimin e buxhetit”, tha Maxhera.
Në anën tjetër, zyrtarët të koalicionit në pushtet PDK-AKR thanë se nuk ka shkelje ligjore në rishikimin e buxhetit sepse kjo bëhet me ligj, ndërsa që shpejtësia me të cilën po rishikohet ky buxhet, është kërkesë e Ministrisë së Financave, raporton Kosovapress.
Rishikimi i buxhetit u aprovua me 25 votat e koalicionit qeverisës, derisa opozita ishte kundër. Vlen të përmendet se buxheti i komunës së Mitrovicës për vitin 2012 është 19.1 milionë euro.