Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerësoi të hënën se ndaj Lëvizjes studentore “Studim Kritikë Veprim” është vepruar në mënyrë të padrejtë, gjegjësisht janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.
KMDLNj-së i është drejtuar Lëvizja Studentore për Barazi-Studim Kritikë Veprim-SKV, duke parashtruar ankesë kundër vendimit të miratuar nga Komisioni për Zgjedhjet e Studentëve në UP të datës 22 maj 2012.
“Lëvizja Studentore për Barazi-Studim Kritikë Veprim- SKV është certifikuar si organizatë e 13-të me radhë mirëpo, pjesëmarrja në zgjedhje u kushtëzua që Rron Gjinovci, Durim Jasharaj dhe Astrit Dehari të mos jenë në listat e kandidatëve për këshilla dhe parlamente të studentëve si dhe të njëjtit nuk mund ta përfaqësojnë organizatën në cilësinë e personave kontaktues sepse janë dënuar për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore nga komisionet disiplinore të fakulteteve përkatëse si dhe rasti i tyre është në procedure gjyqësore”, thuhet në kumtesë.
KMDLNj konsideron se ndaj Lëvizjes SKV është vepruar në mënyrë të padrejtë si dhe në këtë rast ka shkelje flagrante të drejtave të njeriut, përfshirë këtu Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas Këshillit...., të lartpërmendurit janë studentë të UP-së, ndërkaq arsyetimi se “rasti i tyre është në procedure gjyqësore” është në kundërshtim të plotë me parimin se “secili i dyshuar konsiderohet i pafajshëm deri sa gjykata përkatëse me një vendim të prerë nuk e shpall fajtor të akuzuarin”.
“Pastaj, nuk ka asnjë ndalesë nga gjykata apo gjykatësi i procedurës me të cilën studentëve të përjashtuar u pamundësohet kandidimi apo përfaqësimi, qoftë për këshilla apo parlamente studentore, ashtu edhe në cilësinë e personave kontaktues ose përfaqësues. Në këtë mënyrë UP përmes Komisionit në fjalë është ngritur mbi ligjin duke e keqpërdorur atë”, thekson KMDLNJ, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë studentët dhe krijim të mundësive të barabarta dhe një ambient jodiskriminues.
Këshilli po ashtu kërkon nga Komisioni të rishqyrtoj vendimin e datës 22 maj 2012 duke vepruar në përputhje me ligjin.
KMDLNJ: Rektorati ka shkelur të drejtat e njeriut
15:40
Liridon