Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Komisionit për punë të Jashtme të Turqisë, të kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Volkan Bozkir.
Kryesuesi i delegacionit turk në takim, Volkan Bozkir, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë shumë të mira.
Ai tha se angazhimi për njohje të Kosovës nga sa më shumë vende është prioritet për Turqinë, kurse në qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka ndarje ndërmjet pozitës dhe opozitës turke.
“Turqia në çdo aspekt është me Kosovën , sidomos kur është fjala për integrimin euro-atlantik. Në ulëset e NATO-s, shpejt do të ulemi së bashku”, theksoi Bozkir, bëhet e ditur në kumtesën e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.
Sa i përket bisedave me Serbinë, ai tha se marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, ndërsa shprehu besimin se paqja do të mbretërojë edhe në veri të Kosovës.
Ndërsa kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Madh të Turqisë ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, ashtu si edhe ndërmjet dy qeverive.
Deri tash ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë arritur 32 marrëveshje bashkëpunimi. Turqia është njëra nga 5 vendet kryesore, me të cilat zhvillohet bashkëpunimi. Duke folur për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, Krasniqi tha se Kosovën tashmë e kanë njohur 90 vende. “Presim që Turqia, si edhe deri tash, të kontribuojë me ndikimin e saj, që të shtohet numri i shteteve, sidomos nga bota islamike, të cilat do ta njohin Kosovën”, theksoi Krasniqi.
Në vazhdim kreu i legjislativit të vendit tha se çështja e pozitës së komuniteteve në Kosovë është e zgjidhur në mbështetje të standardeve më të larta evropiane.
Bashkëbiseduesit theksuan se bashkëqytetarët nga të dy vendet përbëjnë një urë shumë të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet Turqisë dhe Kosovës.
Njohjet për Kosovën, prioritet i Turqisë
15:39
Liridon