E bija e presidentit rumun, ‘pro’ pavarësisë së Kosovës

Rumunët kanë filluar të ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës. Nga 33 deputetë rumunë në Parlamentin Evropian, 17 prej tyre kanë votuar për Rezolutën që u miratua ditë më parë, e ku u bëhet thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës (Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros).
Eurodeputetja Elena Basescu, e cila është e bija e presidentit rumun, Traian Basescu, ishte në mesin e deputetëve rumunë që e kanë votuar këtë rezolutë, shkruan gazeta rumune ‘Gandul’.
Mirëpo ajo ka thirrur në gazetë, duke sqaruar se ka qenë gabim teknik që është përmirësuar. “Nuk do ta bëja një gabim të tillë, e të votoja për pavarësinë e Kosovës, ka thënë Basescu, duke mos mundur t’i quaj të gabueshme edhe 16 vota të tjera të deputetëve rumun.
Por eurodeputetja rumune, Andina Valean, gruaja e kryetarit të partisë opozitare, Partia Nacional Liberale e Rumanisë, ka thënë se nuk ka gabuar kur ka votuar për rezolutën që bën thirrje përnjohjen e pavarësisë. Ajo ka thënë se politika e jashtme rumune është e gabuar, ashtu sikurse është i gabuar edhe qëndrimi për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Presidenti rumun, Traian Basescu, ka deklaruar disa herë se Rumania nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa të mos arrijnë marrëveshje për këtë pikë Prishtina dhe Beogradi.

EL: Spanjollët në gjysmëfinale

Gjysmëfinalet e këtij edicioni në Europa League janë pushtuar nga ekipet e kampionatit më të fortë në botë, atij spanjoll, pasi ekipet respektive, Atletico Madridi, Valencia dhe Bilbao, të gjitha kanë siguruar biletën kualifikuese, teksa atyre do t’u bashkohet dhe fqinji portugez, Sporting Lisbona.
Athletic Bilbao është kualifikuar me një barazim prej 2-2 ndaj Schalkes në San Mames, ndërsa pas ndeshjes së parë e cila përfundoi me rezultat 4-2, baskët në gjysmëfinale shkojnë me një diferencë prej 6-4 ndaj rivalit të tyre gjerman.
Edhe një skuadër spanjolle la në shtëpi një skuadër tjetër gjermane. Është Atletico Madridi që me një fitore prej 2-1 në transfertë te Hannoveri, ka arritur të kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Sporting Lisbona pas fitores në Lisbonë, arriti që me një barazim 1-1 te Metalisti në Kharkov të Ukrainës të kalojë tutje, me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Pas disfatës në ndeshjen e parë, Valencia e deklasoi tërësisht ekipin holandez AZ Alkmaar me rezultat 4-0 dhe e ktheu në Holandë ekipin modest me rezultat të përgjithshëm 5-2.
Në gjysmëfinale do të takohet Bilbao me Sporting Lisbonën, përderisa Valencia do të ketë punë me Atletico Madridin, skuadra këto që do të luftojnë për finalen e Bukureshtit.

Interi aludon në rikthim të Balotellit

Drejtori i Interit, Marco Branca, ka refuzuar që të hedhë poshtë mundësinë e rikthimit në klub të sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli.
“Balotelli? Ne jemi duke menduar për ndeshjen ndaj Cagliarit. Ne do të flasim pas një muaji ose dy për Balotellin”.
“Ne e kemi ditur se ky do të jetë një sezon tranzicional. Unë nuk mendoj se investimet që dotë bëjmë do të varen nëse do të kualifikohemi në Ligëne Kampionëve”, është shprehur Branca pas spekulimeve se City dëshiron ta shesë Balotellin. 

Thaçi, lider i guximshëm!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga nënpresidenti amerikan, Joseph Biden. Ky i fundit ka rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e fuqishme dhe të gjithanshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës. Biden e ka vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Thaçi në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës.
Në takimin shumë miqësor, Biden dhe Thaçi kanë biseduar lidhur me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, nënpresidenti amerikan e ka vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Thaçi në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës, që lidhen me proceset e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Nënpresidenti amerikan i dha mbështetje të plotë kryeministrit Thaçi që të vazhdojë të mbajë udhëheqjen e Kosovës në kursin e duhur, ashtu siç ka bëre deri tani, dhe e siguroi që përkrahja e SHBA-ve do të jetë e vazhdueshme dhe e gjithanshme. Ai gjithashtu theksoi përsëri se SHBA-të janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Edhe Thaçi shprehu mirënjohjen e lartë për nënpresidentin Biden, për rolin vendimtar që SHBA-të kanë pasur në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai kërkoi nga Biden që SHBA-të të vazhdojnë të luajnë këtë rol vendimtar dhe të mbesin promotorë të proceseve integruese për Kosovën në strukturat euro-atlantike.
Kryeministri Thaçi në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në SHBA, të premten do të takojë Sekretarin e Tregtisë të SHBA-ve, John Bryson, ndërsa të hënën me ftesën e Ambasadorit Christopher Hill, do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Denverit. Ai pritet të ketë takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, në Nju Jork, me ambasadorë të Kombeve të Bashkuara, si dhe kongresistë nga shteti i Nju Jorkut. 

Ende ka rrezik nga minat!

Ekspertët e dominimit, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me uniforma mbrojtëse dhe helmeta, pas shkrirjes së borës, kanë vazhduar të enjten punën në procesin e ngadalshëm të largimit të minave në Kosovë, ku kanë mbetur shumë bomba dhe mina të ushtrisë së Serbisë, të vendosura gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Behxhet Kodra, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka thënë se disa pjesë të territorit të Kosovës mbeten akoma të rrezikshme me bomba dhe mina tokësore. Ekipi i tij punon në malet rreth fshatit Harilaq, 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit Prishtina dhe afër aeroportit kryesor të Kosovës.
“Ne kemi punuar në këtë lokacion gjatë dy viteve të kaluara dhe kemi gjetur dhe shkatërruar 200 pajisje eksploduese nga bombat, predhat, raketat dhe projektilët e tjerë”, ka thënë Kodra për Radion Evropa e Lirë, duke mos harruar të shtojë edhe proverbin “një minë e larguar, një jetë e shpëtuar”.
Prej se ka përfunduar lufta, nga këto mina të fshehura, janë vrarë 114 vetë dhe janë plagosur më se 450 vetë. Në vitin 1999 ishin regjistruar afro 4500 vende me mina, pas fushatës 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s, me të cilën përfundoi lufta dhe u ndal goditja brutale e forcave të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në Merdarë u bë dorëzimi i mbetjeve mortore të katër personave

Ekspertët mjeko-ligjorë dhe homologët e tyre vendor nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) kanë dorëzuar të enjten mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin zhdukur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Këto mbetje mortore iu dorëzuan familjarëve dhe përfaqësuesve të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Peronat e Pagjetur në Merdarë.
Këta persona u identifikuan nga ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it me anë të kombinimit të analizave të ADN-së dhe analizave mjeko ligjore antropologjike.
Alan Robinson, bashkë-drejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe ekspertët mjeko ligjor të EULEX-it i kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave, të cilët ishin të zhdukur prej vitit 1999.
“Megjithatë, është me rëndësi të mos harrojmë se 1790 persona janë ende të pagjetur. Çështja e personave të pagjetur është e ndërlikuar dhe e ndjeshme. Nga ana e tyre, EULEX-i dhe DML-ja do ta vazhdojnë punën e tyre intensive për ta ndriçuar fatin e sa më shumë prej tyre që është e mundur”, tha Robinson.
Mijëra shqiptarë të vrarë në Kosovë ishin bartur në Serbi, me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit. Prej luftës së fundit në Kosovë, rreth 1800 persona, shumica shqiptarë, mbeten ende të zhdukur. Autoritetet e Serbisë vazhdojnë të neglizhojnë kërkesat për kërkime në disa vende të dyshuara në Serbi, ku supozohet se mund të ketë varreza tjera masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. 

Ronaldo: Bayerni mund ta fitojë LK-në

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i vetdishëm për rrezikun qe mund të paraqesë Bayerni i Munichut në Ligën e Kampionëve, pasi u kuptua se Los Blancos do të kenë punë me rivalin e tyre tradicional.
“Ne kemi arritur synimin tonë, mposhtëm APOEL-in dhe jemi në gjysmëfinale. Tani përballemi me Bayernin, që do të jetë vërtet rival i vështirë. Ata janë shumë të mirë”.
“Unë nuk e shoh veten në finale ende, pasi Bayerni është ekip që mund ta fitojë Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Ronaldo.

Chelsea kërkon Laurent Blanc

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, është lart në listën e prioriteteve të pronarit të Chelseat, Roman Abramovich.
Le Parisien shkruan se Abramovich dëshiron ta shohë Blanc me të përfunduar sezoni në stolin e menaxherit të Stamford Bridge dhe kjo pritet të ndodhë pas përfundimit të Euro 2012.
Chelsea tashmë ka bërë ofertën prej 220 mijë funtesh në javë, që do të jetë e mjaftueshme për francezin që të pranojë postin më jostabil në futbollin evropian.

Wenger: Dyshova në vete pas krizës

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se ai ka dyshuar në vete dhe në taktikat e tij pas krizës së ekipit të tij në fillim të sezonit.
“Natyrisht se pyesni veten se çfarë mund të bëni dhe gjithë ajo që shpresoni është që të shkojë mirë. Kur gjërat shkojnë mirë gjithçka është më lehtë, por ka momente kur edhe dyshoni në vetvete”.
“Kjo më ka ndodhur në fillim të sezonit, por ajo që bëra ishte analizimi i situatës. Ne e bëjmë këtë si grup edhe pse ka ca gjëra që duhet t’i bëj i vetmuar. Pjesë e punës është marrja e vendimeve”, është shprehur Wenger.

“Messi ka më shumë tru se Maradona”

Mbrojtësi i penzionuar, Andreas Brehme, mendon se sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, ka më shumë tru se sa legjenda argjentinase, Diego Maradona.
“Unë nuk do të kisha qenë në gjendje që ta ndal Messin. Ai është fenomen. Ai më ka impresionuar në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United. Ai ishte tepër klas i lart për Nemandja Vidic dhe Rio Ferdinand”.
“Për mendimin tim, ai është më i mirë se Maradona. Ai është 23 vjeç dhe tashmë ka fituar gjithçka. Ai ka më shumë tru. Kjo është diçka që i mungoi Maradonës”, ka deklaruar Brehme për El Pais

Galliani: Messi më refuzoi

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka pranuar se ai ka folur me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, për një kalim në Itali, por shtoi se është kthyer kah ka ardhur.
“Unë kam biseduar me të. Ai më ka thënë se dëshiron të përfundojë karrierën në Barcelonë. Ai ndjen se është i lumtur dhe i sigurtë në klub”.
“Por, natyrisht se unë do të jipja gjithçka për ta transferuar atë”, është shprehur Galliani për Rac 1 pas duelit kontravers në Camp Nou.

Schuster: Bayerni shumë larg Realit

Ish-trajneri i Real Madridit, gjermani Bernd Schuster, mendon se Real Madridi është shumë ekip më i fortë se sa Bayerni i Munichut sa i përket fazës defensive, por thotë se ekipet janë të ngjashme në repartet tjera.
“Bayerni nuk është as afër Real Madridit. Sidomos flas për fazën e mbrojtjes. Sergio Ramos dhe Pepe kanë avantazh të madh përballë Boateng dhe Badstuber. Kështu që kam dyshimet e mia nëse Bayerni do ta përballojë Realin”.
“Këtu keni Ronaldon, Di Marian, Benzemën, Ozilin dhe Kakan, ndërsa atje sulmuesit janë Robben, Ribery, Muller, Kroos, Gomez dhe shumë të tjerë. Në mesfushë dhe sulm, nuk shoh ndonjë dallim në cilësi. Portierët janë të njëjtë. Iker Casillas dhe Manuel Neuer janë të një klasi. 

City do ta shesë Balotellin

Manchester City e ka humbur durimin në sulmuesin kontravers, Mario Balotelli dhe është i gatshëm që ta shesë atë te Interi ose Milani, klube këto që dëshirojnë ta kthejnë në Itali asin problematik.
City dëshiron që ta largojë sa më shpejtë 21 vjeçarin, i cili pos problemeve nuk ka bërë asgjë që mund të mbahet në mend në Ettihad Stadium.
Mancini e kishte kritikuar për sjelljen dhe performancën Balotelin pas barazimit prej 3-3 ndaj Sunderlandit, që mund t’i kushtojë Cityt me titullin, por gjithçka pritet të vendoset pas përfundimit të sezonit, ku Balotelli sigurisht se do ta realizojë ëndrrën e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij. 

Raul: Bilbao fitoi zemrat e futbolldashësve

Sulmuesi i Schalkes, Raul, e ka lëvduar Athletic Bilbaon për atë se i ka marrë zemrën publikut të gjerë futbolldashës me performancat e shfaqura në futbollin evropian së fundmi.
Edhe pse forma e tyre në La Liga ka rënë, skuadra baske ka treguar paraqitje të shkëlqyera në Europa League dhe gjendet në finale të Copa del Rey, të arritura të mëdha kto sipas legjendës madrilene.
“Ata janë në finale të kupës dhe ata kanë rastin për të qenë në gjysmëfinale të Europa League. Ata kanë fituar zemrat e të gjithë atyre që duan futbollin anë e mbanë globit”, ka theksuar Raul. 

Përfundon sezoni për Paton

Milani ka konfirmuar me anë të shefit të stafit mjekësor, Jean-Pierre Meersseman, se sulmuesi Alexandre Pato do të jetë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të një dëmtimi muskulor.
“Sezoni i Patos ka mbaruar. Nuk e dimë se ku është problemi i tij. Si mund ta zgjidhim problemin? Ne e kemi dërguar në çdo vend të botës, nga Gjermania deri në Amerikë. Shumë mjekë e kanë kontrolluar”.
“Unë nuk kam fjetur asnjë minut. Kur e pash në televizor se ai ndjente dhimbje, unë jam ndjerë shumë keq. Unë nuk e prisja që kjo të ndodhë. Pato ishte deklaruar i gatshëm, por u vërejt se lëndimi nuk u largua tërësisht”, ka thënë Meerseman.
Nga ana tjetër Milani në faqen zyrtare ka konfirmuar se Pato brenda dy javësh do t’u nënshtrohet testeve për të evidentuar problemet. 

VV: Kush vendos në Kuvendin e Kosovës?

Seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës ishte vazhdimësi e asaj që u ndërpre javën e kaluar. Përderisa në seancën e ndërprerë javën e kaluar u fut në rend të ditës në kundërshtim me procedurat një projektligj, ai për Bankat dhe institucionet mikrofinanciare, (i cili u hoq nga rendi i ditës) sot u futën edhe dy të tjerë, projektligji për ndërtimet dhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për ndërmarrjet publike, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje.
“Këto 3 projektligje, por veçanërisht ai për ndërtimet si dhe ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, janë tejet të dëmshme për interesin e Kosovës si shtet, si dhe për qytetarët e Kosovës. Për shkak se të dyja këto, në mënyrën më të keqe të mundshme, synojnë t’i legalizojnë dy veprimtari tejet të dëmshme për interesin publik, por jashtëzakonisht fitimprurëse për interesin partikular e grupor të personave të përfshirë në të: veprimtarinë kredidhënëse të institucioneve mikrofinanciare dhe atë të ndërtimit të egër nëpër qytetet e vendbanimet e Kosovës. Ne i kemi kundërshtuar këto ligje dhe vazhdojmë t’i kundërshtojmë ato”, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.
“Por javën e kaluar dhe edhe sot, ne e kundërshtuam edhe mënyrën e procedimit të këtyre projektligjeve. Projektligji për ndërtimet dhe ai për ndërmarrjet publike praktikisht iu imponuan Kuvendit. Projektligji për ndërtimet nuk është debatuar fare me ekspertët e fushës, për më tepër këtë projektligj e kanë kundërshtuar edhe ekspertët e Kosovës nga fusha e ndërtimit dhe arkitekturës duke e parë si një projektligj shumë të dëmshëm. Dhe prapë ai u fut në rend të ditës dhe u miratua në parim nga Kuvendi”.
“Bojkotimi i seancës nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ishte bojkot parimor i cili kundërshton imponimin e ligjeve të dëmshme në Kuvend. Në fillim të punimeve të sotme në Kuvend edhe dy grupet tjera parlamentare nga opozita e kundërshtuan ligjin për ndërtimet dhe procedimin e tij në Kuvend. Por pastaj dy grupet tjera vendosën të qëndrojnë”.
“Ne këmbëngulim në ndërtimin e një Kuvendi i cili është i lirë nga çdo trysni, i cili i merr vendimet e veta në bazë të interesit të qytetarëve të Kosovës duke i përfaqësuar ata dhe duke punuar për ta. Ajo çfarë ndodhi sot në Kuvend është pikërisht e kundërta e një Kuvendi të tillë të Republikës. Sot, Kuvendi ra pre e imponimit, me ç’rast vendimi për futjen e ligjit për ndërtimet realisht u mor në zyrën e kryetarit në takim me dyer të mbyllura dhe pastaj u formalizua në seancë. Sot, Kuvendi nuk vendosi vet dhe për Kosovën; sot u vendos për Kuvendin dhe në dëm të Kosovës”.
“Vendi i pavarur dhe demokratik nuk ndërtohet përmes imponimit të varësisë dhe përmes rrugëve jashtëzakonisht jodemokratike. Republika demokratike e sovrane ndërtohet përmes trysnisë së Kuvendit të Republikës, si institucion i popullit, në Qeveri, si pushtet ekzekutiv, e jo përmes ndërhyrjes dhe trysnisë së ambasadorëve të vendeve tjera në Kuvend”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje. 

Cooper dënon sulmin ndaj delegacionit serb

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, ka dënuar sulmin me gurë, që ndodhi një ditë më parë në Prishtinë, ndaj veturave të një delegacioni nga Beogradi.
Ne e dënojmë sulmin ndaj konvojit të delegacionit serb në Prishtinë. Akte të tilla nuk përputhen me frymën e dialogut”, ka thënë Cooper.
Delegacioni ishte pjesë e grupit punues për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në /Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
“BE-ja do të vazhdojë të lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd dhe të dy palët vazhdojnë të takohen për zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjeve të arritura, nga të cilat përfitojnë njerëzit në të dyja anët”.

Dalglish: Na dëmtuan faktorë të jashtëm

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka pohuar se faktorë jashtë klubit kanë qenë përgjegjës për formën e keqe të klubit nga Anfield së fundmi.
“Lojtarët kanë ardhur të hënën dhe ata janë stërvitur dje dhe sigurisht se ka zhgënjim në kamp, pas rezultateve të këqija”.
“Mënyra e vetme se si mund të kthejmë vetbesimin është me punë. Ata gjithmonë kanë punuar shumë në stërvitje, ata gjithmonë kanë qenë të mirë, por nuk e di se çfarë ndodhi. Sigurisht se faktorë të jashtëm kanë ndikuar në këto rezultate të këqija, asgjë tjetër”, ka thënë Dalglish. 

Klose: Do të jem në top formë për Euro

Sulmuesi i Lazios, Miroslav Klose, ka deklaruar se ai përkundër lëndimit do të jetë shumë në formë për kampionatin evropian Euro 2012, duke u dërguar kështu një sinjal të qartë rivalëve.
“Jo, nuk po brengosem për kampionatin evropian. Unë sapo kam ardhur nga trajtimi i Dr. Muller-Wohlfahrt. Ai më tha se jam në rrugë të mirë për t’u riaftësuar”.
“Rehabilitimi po shkon mirë. Unë jam shumë i bindur se do të jem në top formë për Euro 2012”, ka theksuar Klose.

Pepe: Do të jemi në finale të LK-së

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, beson se Los Blancos do të jenë në gjendje të tejkalojnë Bayern Munichun në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Djelmoshat e Jose Mourinhos u kualifikuan në katërshen e fundit pasi mposhtën APOEL-in me rezultat 8-2 nga të dyja ndeshjet dhe tash duhet të përballen me skuadrën gjermane.
“Bayern Munich është një skuadër kualitative me lojtarë të shkëlqyeshëm. Ne presim të luajmë një ndeshje të mirë në Munich dhe të zgjidhim sfidën në Bernabeu dhe të arrijmë në finale”, ka thënë Pepe për faqen zyrtare të klubit.
Megjithatë portugezi thotë se ata ende nuk mendojnë për sfidën ndaj gjermanëve, pasi janë të fokusuar në La Lioga.
“Ne mendojmë vetëm për ndeshjen kundër Valencias, për shkak të rëndësisë që kjo ka për ne”, ka shtuar Pepe.
Madridi është gjashtë pikë para Barcelonës në tabelën e La Liga. 

Krenar me shqiptarët që jetojnë në Linz

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, të enjten ka pritur zv/kryetarin e Komunës së Linzit të Austrisë, Klaus Lugar. Me ç’rast dy zyrtarët janë dekoduar për një bashkëpunim më të thellë mes autoriteteve të qytetit të Linzit dhe atyre të Kosovës në shumë fusha, e sidomos në aspektin ekonomik.

“Jemi shumë krenar me komunitetit shqiptar që jeton në Linz, të cilët në jetën tonë ekonomike janë mjaftë janë inkuadruar në mënyrë të shkëlqyer janë përshtatur. Dhe neve na impresionon fakti se prindërit përpiqen të bëjnë shumë që fëmijët e tyre të shkollohen dhe të aftësohen sa më mirë", ka thënë zv/kryetari i Linzit, Klaus Lugar.
Ndërsa misnitri Makolli, shprehu mirënjohjen që Lugar së bashku me delegacionin e tij i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për ta vizituar Kosovën.
“Prezenca e juaj thellon bashkëpunimin midis nesh dhe shpreh interesimin që qyteti i Linzit, respektivisht shteti i Austrisë e ka treguar dhe vazhdon ta tregojë në mbështetje të bashkatdhetarëve tanë atje. Tashmë diaspora kosovare është aktive dhe është e integruar mirë në Austri, ndërsa jemi jashtëzakonisht të interesuar që bashkëpunimin ta avancojmë edhe më tutje, në fusha të ndryshme. Gjatë vizitës tuaj, ju do të keni mundësinë të njiheni me gjendjen aktuale, të arriturat dhe sfidat e shtetit më të ri evropian”, tha Makolli. 

Thaçi takoi ish-sekretaren Albrihgt

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Në takimin miqësor, kryeministri Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Albright ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës.
Thaçi e ka njoftuar zonjën Albright për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për reformat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për Informim e Kryeministrit.
Ndërsa ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Albright ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, si dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Ajo po ashtu ka përgëzuar kryeministrin Thaçi për marrëveshjet e arritura në Bruksel, si dhe për fillimin e procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. 

Beogradi proteston për incidentin në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka dërguar një notë proteste bashkësisë ndërkombëtare lidhur me incidentin e së mërkurës në Kosovë, kur dy vetura me zyrtarët e Serbisë janë sulmuar me gurë.
Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, ka theksuar se këto janë provokime dhe u ka dërguar një letër edhe institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë, njofton TCH.
Përveç UNMIK-ut dhe EULEX-it, Cvetkovic letrën ia ka dërguar edhe shefes për Politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, baroneshës Catherine Ashton. Ai ka kërkuar që të zhvillohen hetime urgjente dhe që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
“Bëhet fjalë edhe për një tentim tjetër të ekstremistëve për të frikësuar serbët në krahinën tonë jugore, që të ndalojnë dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjes së problemit në mënyrë paqësore”, ka thënë Cvetkovic.
Qeveria ka bërë të ditur se makinat e delegacionit të saj janë dëmtuar dhe një nga anëtarët e delegacionit është lënduar lehtë.
“Delegacioni ynë ka qenë në detyrë për të zbatuar marrëveshjet në dialogun teknik me pushtetin në Prishtinë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë së Serbisë. 

Mbahet manifestimi “Ditët e Shqipes”

Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Shoqata e veteranëve të luftës së Koshares "Brigada 138" organizon manifestimin "Ditët e Shqipes" për nder të Betejes së Koshares, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Më 9 prill, në Koshare përkujtohet Dita e Luftës së Koshares, heqjes me luftë e kufirit në mes të Shqipërisë dhe Kosovës.
Më 11 prill, me një akademi në hotelin “Emerald”, shënohet Dita e Dëshmorëve të Luftës së Koshares, që është dita e rënies së Heroit të Kosovës, Agim Ramadani,
Më 19 prill, në hotelin “Emerald”, shënohet, Dita e Veteranëve të Luftës së Koshares, që është dita e rënies së Heroit të Kosovës, Sali Çekaj. 

Praktikat e gabuara në Kuvend

Situatat, të cilat sjellin deri te braktisja e Kuvendit të Kosovës nga ana e opozitës, gjë që ka ndodhur javën e kaluar, e dëmtojnë demokracinë e brishtë në vend, vlerësojnë analistët e çështjeve politike. Shkaku i fundit për largimin e opozitës nga Kuvendi, ka qenë Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, për të cilin opozita ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës.
Analisti Halil Matoshi, thotë se koalicioni qeveritar i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, pasi që e sheh si të mjaftueshëm numrin e deputetëve të vet në Kuvend, në vazhdimësi e imponon miratimin e ligjeve me procedurë të shpejtë, pa krijuar një konsensus të gjerë.
Mungesa e këtij konsensusi, sipas tij, ka krijuar situatën që opozita ta braktisë Kuvendin.
“Opozita, detyrimisht, është dashur që ta braktisë një mënyrë të tillë të punës dhe në këtë rast, sidomos shkak ka qenë Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për bankat dhe mikrofinancat. Për këtë të fundit, ç’është e vërteta, askush nuk e ka sqaruar në detaje se çfarë do të duhej ose cila është alternativa. Mirëpo, sa i përket Ligjit për Hoçën e Madhe, objektivisht, është shkelur edhe Ligji mbi pushtetin lokal dhe është cenuar Kushtetuta e vendit. Prandaj, unë mendoj se opozita këtë ligj duhet ta çojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thotë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, analisti Ardian Arifaj nga Instituti kosovar për hulumtimin dhe zhvillimin e politikave, KIPRED, thotë se bojkoti është formë radikale e zgjidhjes së problemeve.
Kjo, sipas Arifajt, ndodhw sidomos në rastin e tanishëm, ku partitë opozitare e shohin veten të pafuqishme që përmes prezencës së tyre, të merren vendime që ata i konsiderojnë për të mirë të Kosovës.
“Në Kuvendin e Kosovës kemi parë disa praktika, me të cilat ligjet janë miratuar me të shpejtë, pa u studiuar mirë dhe më së shumti dukë iu ‘falënderuar’ shumicës - më saktësisht, presionit që shumica ka pasur mundësi që të bëjë mbi deputetët e vet. Më e mira do të ishte që të ketë më shumë debat, t’iu iket këtyre praktikave të miratimit të ligjeve pa debat të mirëfilltë dhe kur themi debat, ky vërtet të merret me interesin e Kosovës dhe jo votimet të jenë në vija partiake”, vlerëson Arifaj.
Ndryshe, përfaqësuesit e opozitës në Kosovë kanë deklaruar se nuk do të kthehet në Kuvendin e Kosovës përderisa shumica të mos ndryshojë mënyrën e miratimit të ligjeve, të cilësuar si urgjente nga Qeveria, e cila është sponsoruese e tyre.
Por, analistët vlerësojnë se e gjithë kjo situatë nuk pritet se mund të krijojë krizë parlamentare në vend.
“Aktualisht, koalicioni qeveritar i ka numrat në Kuvendin e Kosovës. Madje, kryeministri i vendit, me takimin e fundit që po e realizon në Amerikë me presidentin amerikan Barack Obama, duket se po i forcon pozicionet dhe këta numra, si duket, nuk do të lëvizin. Mirëpo, kjo në esencë e dëmton rëndë demokracinë e vendit dhe në njëfarë mënyre, po del se koalicioni qeveritar po ushtron presion dhe kontroll mbi punën e lirë të deputetit të zgjedhur me votën e drejtë për drejtë”, thotë Matoshi.
Analisti Arifaj, thotë se situatat që sjellin bojkotin e Parlamentit nga opozita, janë të dëmshme dhe partitë politike në Kosovë shembuj të ngjashëm mund të shohin edhe në vendet fqinje.
Sido që të jetë, analistët vlerësojnë se e gjithë kjo situatë do të tejkalohet, qoftë për shkak se në to mund të implikohen faktorët ndërkombëtarë, qoftë edhe për shkakun se Kosova po kalon nëpër një proces, i cili i obligon partitë politike parlamentare që të krijojnë konsensusin e nevojshëm për tejkalimin e problemeve. 

Matura shtetërore më 9 dhe 23 qershor

Provimi shtetëror i maturës do të mbahet më 9 dhe më 23 qershor. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka bërë të ditur se sivjet për herë të parë në Kosovë provimi i maturës do të mbahet në dy pjesë dhe do të organizohet dy ditë.
Pjesa e parë e provimit dhe e dyta do të kenë një hapësirë kohore ndërmjet tyre prej 14 ditësh. Ndryshimet rreth organizmit të provimit “Matura shtetërore 2012” , MASHT ua ka përcjellë edhe drejtorive komunale të arsimit nëpër komuna.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka bërë të ditur se këtë vit provimit të maturës do t’i nënshtrohen rreth 32 mijë maturantë të rregullt, të cilët do të testohen në dy ditë, përkatësisht më 9 dhe 23 qershor.
“Kemi vendosur që maturën ta organizojmë në dy ditë. Në ditën e parë, më 9 qershor, do të përfshihen 120 pyetjet nga lëndët e përgjithshme, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë. Ndërsa më 23 qershor do të mbahet vazhdimi i provimit, ku do të ketë një test me 80 pyetje. Testi i sivjetmë në total do të përmbajë gjithsej 200 pyetje”, ka thënë ai, transmeton “Zëri”.
Mustafa ka theksuar se gjatë procesit të ndryshimit të provimit të maturës, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka pasur konsulta edhe me maturantë të pothuajse të gjitha shkollave të Republikës së Kosovës, ku përveç maturantëve kanë marrë pjesë edhe drejtorët e shkollave. Ai ka vlerësuar se ndryshimet të cilat KQSHM-ja i ka bërë këtë vit, janë ndryshime përmes të cilave përfitojnë maturantët.

Serbia dorëzon listën e dosjeve kadastrale

Të mërkurën në Prishtinë, në kryesimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian është mbajtur takimi i radhës së grupit tre palësh të ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se delegacioni i Serbisë thuhet se e dorëzoi listën përfundimtare të të gjithë dokumentacionit të regjistrit kadastral që është marrë nga pjesa më e madhe e komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit, mbetet që ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe ata të Pronës ta analizojnë këtë dokument rreth saktësisë dhe vërtetësisë e informatave që janë përfshirë në të.
Lista thuhet se përfshinë dosjet kadastrale të komunave të Prishtinës, Podujevës, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut, Rahovecit, Skenderajt, Ferizajt, Shtërpcës,Vushtrrisë, Deçanit, Gjakovës, Istogut, Lipjanit, Vitisë, Kamenicës, Drenasit, Klinës, Fushë Kosovës, Novobërdës, Obiliqit, Kaçaniku, Shtimes, Suharekës, dhe të Dragashit.
“Në fund të takimit edhe njëherë u rikonfirmua gatishmëria e Institucioneve të Republikës së Kosovës, Agjencisë Kadastrale si dhe të Agjencisë Kosovare të Pronës për zbatimin e plotë të marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të grabitura nga Serbia”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës. 

Nazmi Mustafi kërkon ndërhyrjen e Hashim Thaçit

Më 5 mars 2010, kryeministri Thaçi kishte fajësuar gjyqësorin për korrupsionin në Kosovë dhe kishte theksuar se me krijimin e Task Forcës në kuadër të Prokurorisë speciale, gjërat do të merrnin të mbarën.
Arrestimi i shefit të kësaj Task Force, Nazmi Mustafi me dyshimin për korrupsion i ka hedhur poshtë zotimet e Thaçit, shkruan “Koha Ditore”.
Në ndërkohë avokati i Nazmi Mustafit, Esat Gutaj, thotë se klienti i tij po çuditet se si kryeministri Hashim Thaçi nuk ka ndërhyrë deri tash pas arrestimit të tij.
“Unë çuditëm se pse kryeministri Thaçi nuk ka intervenuar ose nuk ka reaguar për këtë rast, sepse nëse unë jam i implikuar mos të ketë mëshirë nga askush. Kam pasur mbështetje nga kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Thaçit, sepse e kam luftuar çdo të keqe, por jo edhe të Ismet Kabashit”, ka cituar Gutaj, Mustafin.
Avokati ka kërkuar dorëheqjen e Ismet Kabashit, sepse, sipas tij, për tre muaj kanë ndodhur dy skandale në Prokurori. Atë e sheh përgjegjës për menaxhim të keq të Prokurorisë. 

Vazhdon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare pasi është tërhequr nga rendi i ditës Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare. Ndërkaq është arritur marrëveshja që në rend dite, gjegjësisht në lexim të parë të hyjnë Projektligji për ndërmarrje publike dhe Projektligji për ndërtim.
Nga grupet parlamentare opozitare, vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka lëshuar seancën dhe nuk ka pranuar që të hyjë në rend dite Projektligji për ndërmarrjet publike dhe ai për ndërtim, pasi sipas tyre, për shkak të rëndësisë së tyre nuk duhet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshe, seanca ishte ndërprerë për shkak se opozita ka këmbëngulur të largohet nga rendi i ditës Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare dhe t’i kthehet Qeverisë për korrigjim, ndërsa po ashtu kanë refuzuar të shqyrtojnë me procedurë të përshpejtuar Ligjin për ndërmarrje publike dhe Ligjin për ndërtim.
Pasi është tërhequr Projektligji për Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare, opozita është pajtuar të hyjnë në rend dite dhe të amendamentohet Ligji për ndërmarrje publike dhe ai për ndërtim. 

KDI “kërcënon” Kuvendin

Nëse Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare miratohen në Kuvend, shoqëria civile do t’i dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, thuhet në një reagim të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), që monitoron Kuvendin e Kosovës.
KDI, duke kundërshtuar fuqishëm projektligjin, e ka cilësuar kundër kushtetuese dhe praktikë të shteteve jodemokratike mënyrën se si përmes këtij projektligji organizatat mikrofinanciare në Kosovë mund të transformohen në shoqëri aksionare.
Me këtë, sipas KDI-së, do të shkelej Kushtetuta dhe Ligji për lirinë e asociimit në OJQ që thonë se OJQ-të janë jofitimprurëse. Ndërsa, Komisioni për legjislacion i Kuvendit nuk kishte mundur ta shqyrtojë projektligjin shkaku i refuzimit të partive të pushtetit që të marrin pjesë në komision javën e kaluar.
Sipas KDI-së, projektligjin vërtetë e ka kërkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar që të miratohet, por vetëm për pjesën që ka të bëjë me bankat. 

Tahiri dënon sulmin ndaj delegacionit serb

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj konvojit të delegacionit serb. Ajo ka sqaruar se delegacioni serb ka qenë pjesë e Grupit punues për kthimin e dokumenteve kadastrale.
Tahiri ka thënë se ka mënyra tjera për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë.
“Ka mënyra shumë më demokratike për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë”, ka thënë kryenegociatorja Tahiri.
Ndryshe, të mërkurën rreth orës 16:10, në Prishtinë, nga persona të dyshuar është sulmuar me gurë konvoji i një delegacioni të Republikës së Serbisë, i cili ishte nën përcjelljen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Si pasojë e kësaj, dy veturat e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa lëndime të personave nuk ka pasur.
Zyrtarët policorë kanë intervenuar menjëherë për ta parandaluar incidentin dhe kanë arritur të arrestojnë dy person si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast, por njëri nga ta, pas intervistimit, me autorizim të prokurorit është liruar.
Zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por ata kanë refuzuar ndihmën mjekësore me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe nuk kanë nevojë për ndihmë. Pas përfundimit të procedurave policore, delegacioni nën përcjelljen e Policisë së Kosovës ka vazhduar rrugën për në destinacionin e tij, thuhej në kumtesën e Policisë së Kosovës.

Thaçi sot takohet me nënpresidentin amerikan

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të takohet të enjten me nënpresidentin amerikan, Joe Biden, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Takimi, sipas komunikatës për media të Shtëpisë së Bardhë, mbahet në orën 11 e 30, sipas kohës lokale të Washingtonit, njofton Rel.
Kryeministri Thaçi gjendet në një vizitë zyrtare në SHBA. Një ditë më parë, ai u takua me sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton, nga e cila mori mbështetjen amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe për aspiratat euro-atlantike të Kosovës. 

Agani, QKUK-së: Të respektohen bindjet religjioze

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani i ka kërkuar QKUK-së që të respektojë bindjet religjioze të pacientëve. Përmes një shkrese ai i ka kërkuar drejtorit të QKUK-së, Njazi Gashi, që femrat me shami në repartin e Gjinekologjisë të trajtohen vetëm nga ekipi mjekësor i përbërë prej femrave.
Ky veprim i Ministrisë së Shëndetësisë nga drejtuesit e QKUK-së është pritur me befasi, pasi sipas tyre kjo bie ndesh me etikën mjekësore.
Ministria e Shëndetësisë, i ka kërkuar që QKUK që të organizojë punën në Klinikën e Gjinekologjisë në atë mënyrë që të respektohen bindjet religjioze të pacienteve.
Përmes një shkrese që i ka dërguar drejtorit të QKUK-së, Njazi Gashi, i ka kërkuar atij që femrat me shami në repartin e Gjinekologjisë të trajtohen vetëm nga ekipi mjekësor i përbërë i përbërë prej femrave.
Abdullah Klinaku, këshilltar për informim i ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se kjo është bërë për të zbatuar ligjin.
“Kemi konsideruar se është i nevojshëm dërgimi i këtyre shkresave pas disa ankesave që kanë ardhur nga gra të caktuara që kanë ndier nevojën për shfrytëzimin e të drejtës ligjore që i siguron ligji përkatës”, theksoi ai.
Kërkesën e ka pranuar drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Njazi Gashi. Ai thotë se ka qenë i befasuar nga ky veprim i ministrit Agani, ndërsa ka shtuar se kjo është në kundërshtim me etikën mjekësore.
“Në aspektin e etikës shëndetësore kjo nuk është në rregull dhe nuk qëndron, por në aspektin e bindjeve fetare të dikujt kjo mund të qëndrojë. Unë po ju them që sa i përket QKUK-së ne nuk do të kemi probleme në zbatimin e kësaj kërkese”, tha ai.
Deri më tani stafi i Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare është munduar të respektojë të drejtën e pacienteve për të zgjedhur një gjinekologe femër. Këtë e konfirmon shefja e sallave të lindjes, Sueda Latifi.
“Në aspektin njerëzor, moral edhe etik ne kemi dëshirë dhe i krijojmë, me mundësitë që i kemi relaks pacientes në momentet e lindjes. Këto i bëjmë nga aspekti njerëzor për të pasur pacienten rehat mos të bezdiset ajo por të krijojmë komoditet mirëpo gjithmonë nuk janë ekipet femra ngase kemi edhe shumë koleg”, deklaroi ajo.
Pavarësisht shkresave dhe detyrimeve, jo gjithë herë është e mundshme që femrave me shami tu sigurohet ekipi i përbërë vetëm nga gjinekologe femra. Gjinekologu Halil Kelmendi është i shqetësuar për këtë shkresë.
“Ka pasur raste kur pacientët kanë kërkuar doktoreshën, doktoresha ka ardhur por më pas ajo është dashur të konsultohet me kirurgun që t’ia shpëtojmë jetën. Në raste urgjente ku ta gjejmë kirurgun e gjinisë femërore që ta formojmë ekipin si kërkon pacientja. Fjala vjen, laboranti që është mashkull dhe duhet ta me marr gjakun për analiza aty për aty,e ne ku ta gjemë laborantin femër?”, tha ai.
Halili thotë se qëllimi është t’i shpëtohet jeta pacientit pa dallim gjinie. Disa punëtorë shëndetësor të cilët kanë punuar në shtetet arabe dhe aktualisht punojnë në klinikën e Gjinekologjisë thanë, se diçka e tillë nuk është praktikuar as në spitalet arabe ku kanë shërbyer ata. 

Nuk zbutet opozita, Krasniqi sërish thërret pauzë

Pauza e thirrur nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi nuk ka rezultuar me marrëveshje ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvend.
Shefat e grupeve parlamentare të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së, kanë këmbëngulur që Qeveria ta tërheq Projektligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo bankare, kurse Ligji për ndërmarrje publike dhe Ligji për ndërtim të procedohen në mënyrë të rregullt në Kuvend e jo më procedurë të përshpejtuar.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar nga opozita që të tejkalojnë interesat partiake dhe për interesa të shtetit të qëndrojnë në seancë dhe ta shtyjnë për nesër shqyrtimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo bankare, kurse sot të shqyrtojnë dy projektligjet që janë futur në rend dite me procedurë të përshpejtuar.
Për miratimin e këtyre ligjeve kërkohen 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend, andaj kryeparlamentari Krasniqi ka kërkuar edhe një herë nga shefat e grupeve parlamentare të shqyrtojnë vendimin e tyre për pjesëmarrje në seancë.
Opozita ka vazhduar me këmbëngulje të refuzojë të shqyrtojë projektligjet e kontestues, ndërsa kryparlamentari Krasniqi ka dhënë edhe një pauzë prej 30 minutash, duke thirrur një takim me nënkryetarët e Kuvendit, për të gjetur një zgjidhje dhe për të dalë nga situata e krijuar.

Tetë kandidatë për kryetar të Ferizajt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot tetë kandidatë për Kryetar Komune për Zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunën e Ferizajt, më 29 prill 2012.
Mirajdije Mavriqi, drejtoreshë e Zyrës së Partive Politike dhe Certifikim, e informoi KQZ-në se më 3 prill 2012, ZRPPC ka përfunduar procesimin e aplikacioneve për certifikim të tetë (8) subjekteve: gjashtë (6) parti politike, një (1) Iniciativë Qytetare dhe një (1) kandidat i pavarur.
Për kryetar të Ferizajt do të garojnë Naim Ferati – kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramadan Hasnai – kandidat i Aleancës Kosova e Re, Ramadan Emini –Lëvizja për Bashkim, Adem Salihaj- Lidhja Demokratike e Kosovës, Bujar Ademi - Partia e Drejtësisë, Agim Aliu - Partia Demokratike e Kosovës, Faton Topalli - Lëvizja Vetëvendosje dhe Rrahim Sadiku- kandidat i pavarur.
Zyra ka verifikuar dokumentacion e dorëzuar nga këto subjekte dhe konstaton se, janë plotësuar të gjitha kushtet e lartpërmendura. KQZ-së i rekomandohet të certifikojë këto subjekte si dhe kandidatët e tyre për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetarë të Komunës së Ferizajt. /Telegrafi/

Këtë vit kompania fituese për Kosovën e Re

Gjatë këtij viti pritet të shpallet kompanie fituese për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, pas kundërthënieve të shumta që janë ngritur kohëve të fundit në shoqërinë kosovare, se a do ta përkrahë Banka Botërore realizimin e këtij projekti.
Beqaj tha se përfaqësues të Bankës Botërore, tashmë kanë konfirmuar përkrahjen për ndërtimin e projektit “Kosova e Re”. Sipas tij, me realizimin e këtij projekti synohet stabiliteti në furnizimin me energji elektrike, pagesa e faturave të shpenzuara dhe ruajtja e ambientit.
“Gjatë kësaj jave, jo si shumë herë në vendet tjera, kemi pasur vizitën e tre zëvendës-presidentëve të grupit të Bankës Botërore, të cilët kanë dhënë në parim përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’. Ata tani janë duke proceduar për të na ndihmuar për financimin e një projekti të tillë, sepse flasim për një projekt jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të komplikuar për t’u realizuar në kushte kur ekonomia e tregut është relativisht në gjendje të rëndë financiare në nivel evropian dhe në nivel më të gjerë”, tha Beqaj.
Aktualisht, në garë për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, janë katër konsorciume ndërkombëtare, për të cilat thuhet se i kanë përmbushur kriteret për realizimin e projektit.
Në anën tjetër, Et’hem Çeku, ish-ministër për Energji dhe Miniera, tha se institucionet qeveritare duhet të jenë të kujdesshme gjatë negociatave të kontratave për “Kosovën e Re”, sepse ashtu siç është hartuar pakoja tenderuese, Çeku konsideron se shteti i Kosovës, i vë në gatishmëri investitorit potencial të gjitha asetet. “Ne besojmë fuqishëm se Ministria, Komiteti Drejtues të përzgjedhin kompaninë më të mirë për ndërtimin e Kosovës së Re, sepse Kosova ka pasur shumë këshilltarë dhe kemi mbetur vendi më i varfër në Evropë. Kemi bërë shumë studime, por që kemi mbetur qe 12 vite, pa e ndërtuar asnjë megavat të ri të energjisë elektrike”, theksoi Çeku.

Qeveria i ka marrë për privatizim të suksesshëm të PTK-së

Pas Kritikave të bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), rreth privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), ka reaguar Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), duke thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për realizimin e reformave në fushën e ekonomisë me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë se zhvillimit ekonomik.
Sipas një komunikate për media Qeveria është e angazhuar në avancimin e reformave strukturore të ekonomisë së Kosovës, si dhe krijimin e një modeli tregu të standardeve Evropiane dhe të gatshëm që të përballojë konkurrueshmërinë e tregut te BE, ku ne synojmë të bëhemi pjesë në të ardhmen.
Gjithashtu fuqishëm angazhohemi për rritjen e konkurrencës, fuqizimin e sektorit privat, gjenerimin e punësimit, krijimin e ambientit të sigurt dhe stabil për biznes dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës për investime. “Qeveria ka ndërmarrë të gjitha masat të cilat do kontribuojnë krijimin e kushteve sa më të volitshme për funksionim të PTK-së duke aprovuar planin e biznesit të PTK-së, ka bërë ndarjen e Postës nga Telekomi, i cili do të privatizohet, dhe ka përshëndetur gatishmërinë e Bordit të Drejtorëve të PTK-së për zvogëlim të shpenzimeve operacionale të Postës dhe Telekomit të Kosovës në nivel të shpenzimeve të ndërmarrjeve të tjera simotra në regjion”, theksohet në komunikatë.
Edhe pse me vonesë kjo ministri ka përshëndetur vendimin e Bordit të Drejtorëve për zgjedhjen e kryeshefit menaxhues të Telekomit të Kosovës dhe MZHE shpreh përkrahjen e plotë të gjitha vendimeve të Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit të cilat kanë për qëllim rritjen e vlerës të aseteve të kompanisë. “Qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik fuqishëm angazhohen për të siguruar respektimin maksimal të vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi duke siguruar transparencë të plotë të procesit të privatizimit të Telekomit të Kosovës, në të mirë të qytetarëve të vendit dhe ruajtjen e vlerës së aseteve të kompanisë”.

Zhvillimi energjetik te thëngjilli

Nga mbështetja e deritanishme për Kosovën, Banka Botërore po kalon në partneritet me vendin tonë. Projektet e mbështetura nga Banka Botëror të realizohen me efektivitet sa më të mirë. Ekspertët e Bankës Botërore kanë vlerësuar se zhvillimin energjetik Kosova, duhet ta mbështesë kryesisht mbi bazën e thëngjillit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur në takim të përbashkët me shefat e grupeve parlamentare zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Philippe Le Houerou dhe Jan Peter Olters - menaxher i BB-së për Kosovë.
Kryeparlamentari Krasniqi ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e deritanishme për Kosovën, për projektet e realizuara deri më tani, duke e garantuar mysafirin se Kuvendi i Kosovës do të përkrahë projektet e Qeverisë së Kosovës, të cilat do të mbështeteshin nga ky institucione financiar, si dhe do të krijojë legjislacionin e nevojshëm të vendit për fushat e nevojshme.
Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houerou, ka sqaruar se nga mbështetja e deritanishme për Kosovën, Banka Botërore po kalon në partneritet me vendin tonë. Ai ka theksuar rëndësinë e takimeve me deputetë, me qeveritarë dhe me shoqërinë civile, për të biseduar për përparësitë zhvillimore që ka Kosova dhe për projektet e mbështetura nga Banka Botërore, të cilat do të realizoheshin me efektivitet sa më të mirë.
Le Houerou i ka lavdëruar si shumë dobiprurëse investimet e BB-së në arsimin e Kosovës; ka folur edhe për projektet në bujqësi, në ujitjen e tokave dhe sigurimin e ujit të pijshëm, por më së shumti është përqendruar në mbështetjen e kapaciteteve energjetike mbi bazën linjitit në Kosovë. Ai ka pohuar se ekspertët e BB-së kanë vlerësuar se me gjithë projektet e mundshme për kapacitete të energjisë së ripërtritshme (normat e BE-së kërkojnë 20 për qind të kësaj energjie), megjithatë Kosova zhvillimin e saj energjetik, detyrimisht, duhet ta mbështesë kryesisht mbi bazën e thëngjillit.
Zëvendëspresidenti i BB-së, ka shfaqur kënaqësinë që Kosova qëndron mirë në planin e makroekonomisë, por e ka vlerësuar shumë të nevojshme edhe zhvillimin e politikave sektoriale, sidomos mbështetjen e sektorit privat.
Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, por edhe shefat e grupeve parlamentare kanë vlerësuar Raportin e Bankës Botërore për resurset natyrore dhe humane të Kosovës, si dhe për përparësitë dhe vështirësitë e Kosovës në rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit. 

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve, alarmuese

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve të konsumit ka alarmuar një pjesë të madhe të qytetarëve në Kosovë. Ata shprehen mjaft të shqetësuar për atë se si çdo muaj ka ngritje të çmimeve. Disa prej tyre ankohen se pagat e ulëta iu pamundësojnë atyre që të blejnë gjërat esenciale për jetë. Ndërkaq, thonë se derisa çmimet vazhdimisht shënojnë rritje, pagat mbesin të njëjta.
Pajazit Halimi, qytetar, thotë se me pagat në Kosovë është e pamundur të përballohet ngritja e çmimeve. Ai thotë se me të ardhurat mujore që kanë familjet kosovare, nuk mund të blesh as gjërat elementare për të jetuar një jetë të dinjitetshme. “Shumë familje në lagjen ku jetoj unë, jetojnë me ndihmë sociale prej 65 eurosh. Ata me ato para nuk mund të arrijnë t'i blejnë të gjitha gjërat që i duhen një njeriu për të jetuar mirë. Nuk e di si po jetohet, vetëm ndoshta ende po dërgojnë të holla bashkatdhetarët tanë, përndryshe nuk do të mund t'ia dalë askush me këto paga që janë në Kosovë”, thotë Halimi.
Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.Ndërsa, paga minimale në Kosovë është 170 euro.
Në anën tjetër, Luljeta Kabashi thekson se në Kosovë ka ngritje të vazhdueshme të çmimeve të konsumit. Ajo thotë se për t’i mbuluar shpenzimet mujore duhet të bëhet një menaxhim shumë i mirë i parasë në familje. Sipas saj, me pagat që merren në Kosovë, nuk është çështje jetesa, por mbijetesa. “Duhet të punosh disa punë dhe të gjithë të organizohen se nuk ia del. Produktet më të shtrenjta janë uji, rryma, produktet ushqimore janë jashtëzakonisht të shtrenjta , veshmbathja kualitative është e shtrenjtë, varet edhe çfarë jete ke mundësi të bësh”, shprehet Kallaba.
Këtë ngritje të çmimeve edhe Donika Elezi e konsideron alarmuese. Ajo thotë se e ka shumë të vështirë mbulimin e shpenzimeve mujore me pagën që ajo e merr. “Shumë vështirë. Në Kosovë të gjitha gjërat janë të shtrenjta. Pagat janë tejet të ulëta, ndërsa çmimet marramendëse. Shumë vështirë e kam t’ia dal deri në fund me familjen time”, tregon Donika Elezi.
Në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 1.0 për qind në muajin shkurt 2012, krahasuar me muajin janar 2012. Shkurti i vitit 2011 krahasuar me muajin janar 2011 ishte me çmime më të larta për 2.2 për qind. Shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2012 me muajin shkurt 2011 ishte 1.7 për qind.
Se pagat në Kosovë janë të ulëta, kurse çmimet të larta, e thekson edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani. “Marrë në përgjithësi, pagat në Kosovë mund të themi se në tërësi inflacioni, pra ngritja permanente e çmimeve dhe atë tek artikujt kryesorë të ekzistencës, drejtpërdrejt godet standardin jetësor, zbraz xhepat e qytetarit dhe normalisht zvogëlon shportën jetësore. Ky duhet të jetë alarm për Qeverinë”, vlerëson Limani.
Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te përdorimi i pajisjeve për transportin personal, nafta dhe benzina, pastaj rryma, gazi, lëndët djegëse të tjera.
Sipas profesorit të ekonomisë, Musa Limani, kur ka ngritje të naftës, atëherë çmimi i derivateve të naftës shprehet te ngritja e produkteve tjera. Ndërkohë, siç thotë ai, në Kosovë çmimi i naftës është shumë i lartë. “Dita-ditës është duke rënë standardi jetësor në Kosovë; duke u rritur varfëria e problemet sociale. Për shkak të pagave nominale, të cilat nuk lëvizin me vite të tëra dhe për shkak rritjes së vazhdueshme të çmimeve, varfëria në Kosovë do të shënojë rritje”, thekson profesor Limani.

Allegri të shkarkohet nëse nuk fiton Scudetton?

Milani është i gatshëm të ndahet me trajnerin Massimiliano Allegri gjatë verës nëse ai dështon ta mbrojë titullin e Serie A, shkruan Tuttosport.
33-vjeçari së fundi ka nënshkruar vazhdimin e kontratës me Rossonerët deri në qershor të vitit 2014, por eliminimi nga Liga e Kampionëve nga ana e Barcelonës mendohet se e ka zemëruar presidentin Silvio Berlusconi.
Ish-kryeministri italian nuk është i impresionuar me paraqitjet e Milanit kundër gjigantit spanjoll dhe mendon ta shkarkojë trajnerin nëse ai dështon edhe në Serie A.
Allegri iu bashkua Milanit nga Cagliari në verën e vitit 2010 dhe në sezonin e tij të parë në San Siro udhëhoqi skuadrën drejt titullit të parë në ligë që nga vitit 2004. 

Aimar: Chelsea fitoi falë individëve

Pablo Aimar ka shprehur zhgënjimin e tij pas eliminimit të Benficas nga Liga e Kampionëve, dhe beson se Chelsea është ndihmuar nga kualitetet individuale.
“Mendoj se ne luajtëm lojën tonë, dhe ne e bëmë këtë shumë mirë. Disa gjëra nuk shkuan për ne dhe ata kishin individë të cilët ndihmuan skuadrën të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.
“Ne flasim për një skuadër që ka shumë individë të shkëlqyeshëm. Ju nuk keni shumë mundësi kundër tyre. Në ndeshje si kjo, është shumë vështirë. Mendoj se ne luajtëm një ndeshje të mirë. Ne erdhëm nga një disfatë e vështirë në ndeshjen e parë, por mendoj se merituam të fitojmë”, ka thënë Aimar. 

Ronaldo i ngazëllyer me dygolëshin

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i ngazëllyer me dygolëshin e shënuar në fitoren 5-2 ndaj APOEL në Ligën e Kampionëve.
“Falë Zotit po ia dal mirë nga goditjet e lira së fundi dhe shpresoj të vazhdoj edhe në ndeshjet e ardhshme”.
“Ne bëmë një paraqitje të shkëlqyeshme dhe jam i lumtur pasi i gjithë ekipi ia doli në mënyrë fenomenale”.
“Bayern Munchen është në radhë dhe ata janë një rival shumë i komplikuar. Sfida do të jetë shumë e vështirë pasi ata janë të aftë ta fitojnë Ligën e Kampionëve”, është shprehur portugezi. 

Mourinho “e di” se Barca do ta fitojë LK-në

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka tallur Barcelonën përmes zëdhënësit të tij, i cili ka thënë se Blaugranët ndihmohen nga gjyqtarët në Ligën e Kampionëve.
Në ndeshjen çerekfinale ndaj Milanit në favor të Barcelonës u akorduan dy penalti, njëra shumë e dyshimtë, të cilat ndihmuan Blaugranët të fitojnë me rezultat 3-1 dhe të kualifikohen për në gjysmëfinale.
“Çdo vit ne mësojmë gjëra të reja. Për shembull, tash ne e dimë se ju mund të fishkëlleni për penalti para se topi të hidhet në lojë”.
“Chelsea, Inter, Arsenal, Real Madrid dhe Milani të gjithë janë ndëshkuar. Së paku tash e dimë se kush do ta fitojë Ligën e Kampionëve”, ka shkruar zëdhënës i Mourinhos, Eladio Parames, në Twitterin e tij.

Kaka: Një prej golave më të bukur

Ylli i Real Madridit, Kaka, është i ngazëllyer me golin e shënuar në fitoren e Ligës së Kampionëve ndaj APOEL.
“Si fëmijë nuk kam pasur shumë fuqi, andaj kam mësuar ta godas topin në mënyrën se si e godita sonte për të lënduar portierët”.
“Ka qenë një prej golave të mi më të bukur, të ngjashëm me atë që kam shënuar kundër Anderlecht me Milanin”, ka thënë Kaka.
“Është e rëndësishme që kemi arritur në gjysmëfinale për të dytin vit radhazi. Do të jetë vështirë të fitojmë pasi përballemi me Bayern Munichun, që po ia del mirë dhe ka luajtur në një finale së fundi”.
“Ne jemi plot vetëbesim, por ne gjithmonë i respektojmë rivalët, dhe sonte nuk ka pasur ndryshim. Mendoj se Real Madridi mund të arrijë në finale”, ka shtuar braziliani.

Seedorf vendos në fund të sezonit

Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, është i pasigurt rreth të ardhmes së tij me Rossonerët.
Kontrata e holandezit do të skadojë në fund të kësaj vere dhe ende nuk i është ofruar rinovimi nga klubi italian.
“Ne ende kemi ligën për të luftuar. Pastaj, në fund të sezonit, do të shohim se si qëndrojnë gjërat”, ka thënë Seedorf. 

NBA: Lakersat fitojnë betejën e Los Angelesit

Lakersat kanë vazhduar të jenë mbi Cippersat në Divizionin Paqësor pas fitores 113-108 në ndeshjen në mes të dy skuadrave të Los Angelesit.
Andrew Bynum ishte më i sakti me 36 pikë të shënuara për Lakers, ndërsa Kobe Bryant shënoi 31 pikë.
Caron Butler shënoi pikët më të larta te Clippers, 28, ndërsa Chris Paul shënoi 22 pikë dhe 16 asistime. Disfata u dha fund gjashtë fitoreve radhazi për Clippers të cilët mbeten dy ndeshje prapa Lakers në garën për vendin e tretë.
Nga ndeshjet tjera të NBA-së, San Antonio Spurs ka mposhtur Boston Celtics me rezultat të ngushtë 87-86 për të shënuar fitoren e nëntë radhazi, që e afron skuadrën një ndeshje larg kreut të Perëndimit, ku ndodhet Oklahoma City.
Këta të fundit u mposhtën me rezultat 98-93 nga Miami Heat në betejën në mes të dy kandidatëve për MVP të sezonit, LeBron James dhe Kevin Durant.

Ferguson: Duhet ta fitojmë derbin

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se fitorja në derbin kundër Manchester Cityt është i rëndësishëm, edhe nëse gara për titull do të vendosej deri atëherë.
United në fund të këtij muaji (30 prill) udhëton në Etihad Stadium ku mund ta fitojë titullin e 20-të në karrierë.
“Ndeshjet derbi gjithmonë janë të rëndësishme, dhe mund të jetë edhe më me rëndësi këtë vit. Kjo do të ketë ndikim në fituesin eventual, edhe pse ne do të shkojmë në këtë ndeshje me një avantazh të qetë”, ka thënë Ferguson. 

Cassano i ngazëllyer me rikthimin

Agjenti i Antonio Cassanos thotë se sulmuesi italian është i ngazëllyer që sërish po luan me fanellën e Milanit.
Cassano ka marrë dritë të gjelbër për t’u rikthyer në ndeshjet garuese pas operacionit në zemër që bëri në muajin nëntor.
“Antonio është si një fëmijë i lumtur. Ai ka kaluar nëpër ca kohë të vështira, me qindra mendime, pyetje dhe reflektime”.
“Shumë njerëz kanë qëndruar afër tij, siç ka bërë e gjithë familja e Milanit. Gjërat mund të kishin qenë ndryshe te ndonjë klub tjetër”.
“Ai ka një dëshirë të fuqishme të jetë sërish në dispozicion të Milanit, një klub i cili e ka shënuar atë dhe i ka lejuar një Ketë të re – në fushë dhe jashtë saj”, përfaqësuesi i tij, Beppe Bozzo, për TMW. 

Anzhi fokuson Lavezzin

Anzhi është i interesuar në yllin e Napolit, Ezequiel Lavezzi, raportojnë mediat italiane.
Argjentinasi ka një klauzolë lëshimi që kap vlerën e 31 milionë eurove dhe Anzhi është i gatshëm ta plotësojë këtë çmim.
Lavezzi aktualisht fiton 2.2 milionë euro në sezon me Napolin, ndërsa Anzhi mendohet se është i gatshëm t’i ofrojë atij 6 milionë euro.

Di Matteo: Barca është favorit

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, pranon se Barcelona do të jetë favorit për ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Do të jetë ngazëlluese të luajmë dy ndeshje kundër mbase njërës prej skuadrave më të mira në botë. Ne do të gjejmë një strategji e cila do t’u përshtatet lojtarëve tonë dhe skuadrës tonë për t’u përballur me Barcelonën”.
“Mendoj se do të jetë një kombinimin [i lojës ofensive dhe defensive]. Ata sigurisht se kanë disa lojtarë individual të cilët janë një kërcënim i madh dhe shumë të rrezikshëm, por ne po ashtu duhet të luajmë lojën tonë dhe të luajmë me fuqinë tonë”, ka thënë Di Matteo.