Në Merdarë u bë dorëzimi i mbetjeve mortore të katër personave

Ekspertët mjeko-ligjorë dhe homologët e tyre vendor nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) kanë dorëzuar të enjten mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin zhdukur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Këto mbetje mortore iu dorëzuan familjarëve dhe përfaqësuesve të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Peronat e Pagjetur në Merdarë.

Këta persona u identifikuan nga ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it me anë të kombinimit të analizave të ADN-së dhe analizave mjeko ligjore antropologjike.
Alan Robinson, bashkë-drejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe ekspertët mjeko ligjor të EULEX-it i kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave, të cilët ishin të zhdukur prej vitit 1999.
“Megjithatë, është me rëndësi të mos harrojmë se 1790 persona janë ende të pagjetur. Çështja e personave të pagjetur është e ndërlikuar dhe e ndjeshme. Nga ana e tyre, EULEX-i dhe DML-ja do ta vazhdojnë punën e tyre intensive për ta ndriçuar fatin e sa më shumë prej tyre që është e mundur”, tha Robinson.
Mijëra shqiptarë të vrarë në Kosovë ishin bartur në Serbi, me qëllim të humbjes së gjurmëve të krimit. Prej luftës së fundit në Kosovë, rreth 1800 persona, shumica shqiptarë, mbeten ende të zhdukur. Autoritetet e Serbisë vazhdojnë të neglizhojnë kërkesat për kërkime në disa vende të dyshuara në Serbi, ku supozohet se mund të ketë varreza tjera masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.