Vazhdon seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare pasi është tërhequr nga rendi i ditës Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare. Ndërkaq është arritur marrëveshja që në rend dite, gjegjësisht në lexim të parë të hyjnë Projektligji për ndërmarrje publike dhe Projektligji për ndërtim.

Nga grupet parlamentare opozitare, vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka lëshuar seancën dhe nuk ka pranuar që të hyjë në rend dite Projektligji për ndërmarrjet publike dhe ai për ndërtim, pasi sipas tyre, për shkak të rëndësisë së tyre nuk duhet të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Ndryshe, seanca ishte ndërprerë për shkak se opozita ka këmbëngulur të largohet nga rendi i ditës Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare dhe t’i kthehet Qeverisë për korrigjim, ndërsa po ashtu kanë refuzuar të shqyrtojnë me procedurë të përshpejtuar Ligjin për ndërmarrje publike dhe Ligjin për ndërtim.
Pasi është tërhequr Projektligji për Projektligji për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare, opozita është pajtuar të hyjnë në rend dite dhe të amendamentohet Ligji për ndërmarrje publike dhe ai për ndërtim.