Beogradi proteston për incidentin në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka dërguar një notë proteste bashkësisë ndërkombëtare lidhur me incidentin e së mërkurës në Kosovë, kur dy vetura me zyrtarët e Serbisë janë sulmuar me gurë.

Kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, ka theksuar se këto janë provokime dhe u ka dërguar një letër edhe institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë, njofton TCH.
Përveç UNMIK-ut dhe EULEX-it, Cvetkovic letrën ia ka dërguar edhe shefes për Politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, baroneshës Catherine Ashton. Ai ka kërkuar që të zhvillohen hetime urgjente dhe që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
“Bëhet fjalë edhe për një tentim tjetër të ekstremistëve për të frikësuar serbët në krahinën tonë jugore, që të ndalojnë dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjes së problemit në mënyrë paqësore”, ka thënë Cvetkovic.
Qeveria ka bërë të ditur se makinat e delegacionit të saj janë dëmtuar dhe një nga anëtarët e delegacionit është lënduar lehtë.
“Delegacioni ynë ka qenë në detyrë për të zbatuar marrëveshjet në dialogun teknik me pushtetin në Prishtinë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë së Serbisë.