Tahiri dënon sulmin ndaj delegacionit serb

Kryenegociatorja e Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj konvojit të delegacionit serb. Ajo ka sqaruar se delegacioni serb ka qenë pjesë e Grupit punues për kthimin e dokumenteve kadastrale.

Tahiri ka thënë se ka mënyra tjera për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë.
“Ka mënyra shumë më demokratike për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë”, ka thënë kryenegociatorja Tahiri.
Ndryshe, të mërkurën rreth orës 16:10, në Prishtinë, nga persona të dyshuar është sulmuar me gurë konvoji i një delegacioni të Republikës së Serbisë, i cili ishte nën përcjelljen e zyrtarëve të Policisë së Kosovës. Si pasojë e kësaj, dy veturat e delegacionit kanë pësuar dëme të vogla materiale duke iu thyer xhamat anësorë, ndërsa lëndime të personave nuk ka pasur.
Zyrtarët policorë kanë intervenuar menjëherë për ta parandaluar incidentin dhe kanë arritur të arrestojnë dy person si të dyshuar të mundshëm të përfshirë në këtë rast, por njëri nga ta, pas intervistimit, me autorizim të prokurorit është liruar.
Zyrtarëve të delegacionit iu është ofruar ndihma mjekësore, por ata kanë refuzuar ndihmën mjekësore me arsyetimin se nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe nuk kanë nevojë për ndihmë. Pas përfundimit të procedurave policore, delegacioni nën përcjelljen e Policisë së Kosovës ka vazhduar rrugën për në destinacionin e tij, thuhej në kumtesën e Policisë së Kosovës.