Serbia dorëzon listën e dosjeve kadastrale

Të mërkurën në Prishtinë, në kryesimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian është mbajtur takimi i radhës së grupit tre palësh të ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.

Në kumtesën për media bëhet e ditur se delegacioni i Serbisë thuhet se e dorëzoi listën përfundimtare të të gjithë dokumentacionit të regjistrit kadastral që është marrë nga pjesa më e madhe e komunave të Kosovës.
Sipas njoftimit, mbetet që ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe ata të Pronës ta analizojnë këtë dokument rreth saktësisë dhe vërtetësisë e informatave që janë përfshirë në të.
Lista thuhet se përfshinë dosjet kadastrale të komunave të Prishtinës, Podujevës, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut, Rahovecit, Skenderajt, Ferizajt, Shtërpcës,Vushtrrisë, Deçanit, Gjakovës, Istogut, Lipjanit, Vitisë, Kamenicës, Drenasit, Klinës, Fushë Kosovës, Novobërdës, Obiliqit, Kaçaniku, Shtimes, Suharekës, dhe të Dragashit.
“Në fund të takimit edhe njëherë u rikonfirmua gatishmëria e Institucioneve të Republikës së Kosovës, Agjencisë Kadastrale si dhe të Agjencisë Kosovare të Pronës për zbatimin e plotë të marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të grabitura nga Serbia”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.