“United mbetet klubi më i mirë”

Ish-mesfushori i Manchester United, Roy Keane, beson se lufta për titull në Ligën Premier është ende larg fundit, përkundër fitoers së Manchester Cityt në derbi të hënën.
“Mendoj se të gjithë duhet të kujtohen se sa ndeshje e vështirë e pret Manchester Cityn te Newcastle. Ekziston skepticizëm te United, por nëse ata humbin titullin, atëherë kjo do të jetë për shkak të barazimit ndaj Evertonit. Ky barazim do të mbetet njollë në kujtimet e lojtarëve të United”.
“Unë kurrë nuk përjashtoj nga asnjë garë Unitedin. United është ende ekipi më i mirë, ka ende menaxherin më të mirë dhe tifozët më të mirë. Unë ende e dua Unitedin, pa marrë parasysh rezultatet”, është shprehur Keane.

Guardiola mohon raportet e këqija me Messin

Trajneri në largim i Barcelonës, Pep Guardiola, ka hedhur poshtë spekulimet se marrëdhëniet e tij me Lionel Messin janë përkeqësuar.
“Unë kaloj mirë me Messin, sikurse gjithmonë dhe kjo është që nga dita e parë”.
“Të gjithë lojtarët duan të fitojnë dhe të bëjnë punë të mirë, ndërsa unë kam qenë i privilegjuar që t’i drejtoj ata. Nuk janë të vërteta spekulimet”, ka theksuar Guardiola.

Justin Bieber lanson klipin “Boyfriend”

Tinejxheri i jashtëzakonshëm kanadez, Justin Bieber, ka lansuar këngën e re me klip “Boyfriend”.
Justin Bieber vjen me një imazh tjetër pas suksesit me videoklipin “Baby” dhe projektet e tjera pas tij. Tani 18 vjeçari, që është i dashuri i Selena Gomez, paraqitet me stil tjetër të veshjes dhe me qëndrim tjetër, të një pop ylli të rritur.
Videoklipi i realizuar nga The Island Jam Music Group vjen pas filmit shumë të suksesshëm të JB, “Never Say Never”. 

Justin Bieber lanson klipin “Boyfriend”

Tinejxheri i jashtëzakonshëm kanadez, Justin Bieber, ka lansuar këngën e re me klip “Boyfriend”.
Justin Bieber vjen me një imazh tjetër pas suksesit me videoklipin “Baby” dhe projektet e tjera pas tij. Tani 18 vjeçari, që është i dashuri i Selena Gomez, paraqitet me stil tjetër të veshjes dhe me qëndrim tjetër, të një pop ylli të rritur.
Videoklipi i realizuar nga The Island Jam Music Group vjen pas filmit shumë të suksesshëm të JB, “Never Say Never”. 

Rihanna thyen rekord të ri

Pop ylli, Rihanna, ka thyer një tjetër rekord – atë të numrit të klikimeve pas 24 orëve të para të lansimit të videoklipit të ri.
Videoklipi i ri “Where Have You Been” ka prekur fansat e këngëtares anë e mbanë botës, sidomos kur kemi të bëjmë me gjininë femërore. Dhe kështu, nuk mungon as suksesi, pasi VEVO ka konfirmuar në faqen zyrtare në Facebook se Rihanna ka thyer rekord të ri.
“Përgëzime Rihannas për thyerjen e rekordit të videos më të klikuar brenda 24 orëve në VEVO me 4,937,281 klikime. “Where Have You Been” është hit i madh”, shkruan në komunikatën e VEVO në Facebook.

Adele mposht Michael Jackson

Albumi i dytë i Adele, “21” ka mposhtur albumin e Michael Jackson, “Thriller” duke u renditur në vendin e pestë të albumeve më të shitura në histori të muzikës mbritanike.
23 vjeçarja arriti shifrën e 4,274,300 albumeve të shitura, që është 500 më shumë se sa albumi i gjashtë i Michael Jackson.
Adele ka ende punë për t’u bërë artistja më e shitur, pasi përpara saj në vendin e katërt gjendet Oasis me “What’s the Story Morning Glory?”, Abba në vendin e tretë me “Gold”, The Beatles në vendin e dytë me “Sgt Pepper’s Loney Hearts Club Band”, kurse në vendin e parë të pa diskutueshëm për albumet më të shitura në histori të muzikës britanike është grupi Queen me “Greatest Hits” që ka 5.83 milionë kopje të shitura.
Sidoqoftë, Adele po shet nga 20 mijë kopje në ditë në Britani dhe gjithçka është e mundur, ajo mund të gjendet shpejt në vendin e parë.
Këngëtarja ende ka punë për të bërë për të mposhtur mbretin e pop muzikës në nivel botëror, pasi albumi “Thriller” ka arritur të shitet në hiç më pak se 100 milionë kopje. 

Bien shitjet e Kindle Fire!

Kur bëhet fjalë për kompjuterët tablet, të gjithë e dinë se iPad është lider i tregut, por edhe më i shtrenjti.
Tableti i dytë me i rëndësishëm në treg, Kindle Fire në Android është përgjigja për çmimin e shtrenjtë të iPad, dhe për këtë Amazon ka planifikuar që të shesë 4.8 milionë tablet në tre-mujorin e tretë të vitit 2011.  
Megjithatë, shitjet e Kindle Fire kanë rënë në tre-mujorin e parë të vitit 2012. 
Sipas IDC-së, shitjet e Kindle Fire kanë rënë për 750 mijë njësi në Q1, ndërsa rënie ka pasur edhe në porositë e tabletëve nga 16.8 për qind në rreth 4 për qind. 
Nëse konfirmohen këto të dhëna, atëherë Amazon radhitet si prodhuesi i tretë i tabletëve, pas Apple dhe Samsung

Qeni ruan biçikletën e pronarit (Video)

Harrojini zinxhirët dhe drynin. Mënyra më e mirë për të mbrojtur biçikletën tuaj nga vjedhjet është retriveri i artë. Pikërisht këtë e ka bërë një çiklist nga Kina, i cili ndjehet i sigurt pranë manarit të tij – qenit të quajtur Li Li.
Kinezi i quajtur Luo Wencong nuk ka pse ta lidhë biçikletën e tij për dru kur futet në shitore, sepse është i sigurt se qeni i tij Li Li do ta ruaj mirë.
Banorët e Nanningut tashmë janë mësuar me shfaqjen e qenit simpatik, i cili në trotuar “përqafon” biçikletën.
Pronari i qenit thotë se manari i tij di të numërojë, ta hedh bërllokun dhe t’i mbajë qeset me gjësendet që blenë.
"Kur e parkoj biçikletën, qeni vë putrat e tij mbi të për ta parandaluar vjedhjen. Është qen inteligjent me të cilin flas gjatë gjithë kohës dhe i cili merr vesh shumë mirë”, ka thënë Wencong për Globaltimes, i cili ka refuzuar shumë oferta të mira për ta shitur manarin e tij. 

UÇK mund të rimobilizohet!

Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, ka deklaruar se tensionet në Maqedoni janë pjesë e komplotit të shërbimeve sekrete maqedonase dhe serbe për të shkaktuar një luftë dhe për t’i ngulfatur më pas shqiptarët në enklava të vogla, të krijuara sipas modeleve të spastrimeve etnike.
Shaqiri ka thënë për ‘Tribuna Shqiptare”, se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aftësi për t’i zbuluar dhe për t’i parandaluar këto konspiracione.
Ai poashtu ka thënë se ndihet i çuditur nga fakti që politikanët shqiptarë në Maqedoni nuk reagojnë në këtë situatë.
Shaqiri ka thënë se situata në Maqedoni ka bërë që kohëve të fundit të ketë takime ndërmjet ish-komandantëve që udhëhoqën luftën në Kosovë dhe në Maqedoni, duke mos përjashtuar mundësinë që nëse vazhdojnë provokimet, të bëhet rimobilizimi i strukturave të UÇK-së në një luftë guerile, me qëllim që ta mbrohet popullata.
“E ku do të dalë kjo, vetëm një Zot e di”, ka thënë Shaqiri, i cili që nga viti 2003 deri në vitin 2011, ka udhëhequr një grup të ish-luftëtarëve, që nuk lejuan policinë maqedonase të hynte në fshatin Tanushë, në afërsi të kufirit me Kosovën. 

Konfiskon 130 posterë të Partisë Radikale Serbe

Partia Radikale Serbe ka njoftuar se Policia e Kosovës e ka ndaluar për disa orë funksionarin e kësaj partie, Budimir Spasic dhe djalin e tij, Lazar, pasi në veturën e tyre janë gjetur 130 posterë të kësaj partie.
Spasic dhe i biri i tij janë ndalur të premten në orën tre të mëngjesit derisa po kalon nga veriu në jug të Mitrovicës dhe janë mbajtur gjashtë orë në stacionin policor.
“ata kanë qenë duke u kthyer nga mitingu në Beograd dhe në veturën e tyre kanë pasur material zgjedhor. Nuk janë marrë fare në pyetje dhe as nuk u është dhënë ujë për gjashtë orë”, ka njoftuar Partia Radikale Serbe, duke shtuar se “Budimiri, për shkak të mungesës së ujit dhe tensionit të lartë të zemrës duhet të shtrihet në spital”.
Siç njofton agjencia serbe e lajmeve Beta, kjo parti ka kërkuar nga Qeveria serbe që të merr masa, pasi sipas saj edhe serbët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Serbsië.
Propaganda parazgjedhore antishqiptare në Serbi, ka si qëllim spastrimin etnik në Luginë dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike në Kosovë, me qëllim të destabilizimit të situatës.

Arrestimet në Luginë kanë për qëllim spastrimin etnik!

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e ulët të arrestimit të qytetarëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit. “Këto veprime të vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë janë edhe një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në një deklaratë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë”.
“Qeveria e Kosovës thekson se këto veprime tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi janë edhe një dëshmi e qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj antievropiane, që është në dëm të krijimit të një rajoni të sigurt, të qetë, dhe mbi të gjitha në dëm të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në deklaratë.
Të premten në mëngjes, në Bujanoc, në Tërnocin e Madh dhe në Breznicë, policia serbe ka kryer bastisje dhe arrestuar tetë shqiptarë, gjoja për krime të kryera kundër serbëve gjatë luftës.

AAK dhe VV dënojnë arrestimet në Bujanoc

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dënon fuqishëm arrestimin makabër të tetë shqiptarëve nga ana e policisë serbe, në Bujanoc, Tërnoc të Madh dhe Breznicë.
AAK e konsideron këtë akt të shtetit serb ndaj shqiptarëve të asaj pjese, si veprim me qëllime terrori, frikësimi dhe nxitje të shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat e tyre, në të cilat jetuan me shekuj.
AAK e sheh, gjithashtu, këtë veprim, në koincidencë me zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, me qëllim të promovimit të ekstremizmit dhe frymës antishqiptare në Luginë të Preshevës.
AAK fton Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të veprojnë sa më shpejtë me të gjitha mjetet në parandalimin e përndjekjes së shqiptarëve në Luginë dhe për lirimin sa më të shpejtë të tetë të arrestuarve, të cilët janë plotësisht të pafajshëm për akuzat që iu ngarkohen nga Beogradi.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje fton të gjithë organizmat vendorë, po ashtu edhe ata ndërkombëtarë që të ushtrojë presion ndaj Serbisë, që të ndalet menjëherë represioni ndaj popullatës shqiptare atje.
Po ashtu Vetëvendosje kërkon nga qeveria e Kosovës që të ndërpresë qasjen indiferente ndaj shqiptarëve në Serbi, e të sillet si një qeveri e një shteti Sovran i cili është i obliguar që të mbrojë interesat e bashkëkombësve të vet kudo që ata janë.
“Këto arrestime janë vazhdimësi e proceseve politike me skenarë antishqiptarë të Serbisë me motiv spastrimin etnik të Luginës së Preshevës. Shembull për objektivat e skenarëve të tillë është Komuna e Medvegjës dikur e banuar me mbi 6 mijë e 500 shqiptarë nga të cilët sot kanë mbetur vetëm 600”.

Presidentes i dorëzohet Kodin Penal

Kuvendi i Kosovës ia ka dorëzuar të premten pasdite presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, Kodin e ri Penal, amandamentet e të cilit janë miratuar më 20 prill 2012.
E premtja ishte dita e fundit e paraparë me afatin ligjor që Kuvendi t’ia dorëzojë presidencës Kodin, dy nenet e të cilit, 37 dhe 38, janë kritikuar ashpër nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare që merren me mediat, të cilësuara si përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese.
Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Zyra e presidentes tani ka një afat prej tetë ditësh të shqyrtojë amandamentet e miratuara, dhe siç kanë thënë më herët zyrtarë të Kabinetit të Presidentes, posaçërisht do të shqyrtohen dy nenet e debatueshme, në bashkëpunim me të gjitha palët.
Edhe Reporterët Pa Kufij i kanë bërë më herët thirrje presidentes të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare.

Më 27 maj mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve në Ferizaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës të premten i ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Ferizaj, të mbajtura më 29 prill.
 Certifikimi u bë, pasi PZAP dhe Gjykata Supreme, konfirmuan se bazuar në afatin e paraparë ligjor janë procesuar të gjitha ankesat e pranuara, dhe se vendimet që janë marrë nuk ndikojnë dhe as nuk e cenojnë rezultatin përfundimtar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka caktuar që rundi i dytë i zgjedhjeve në Ferizaj të mbahet më 27 maj. Sipas KQZ-së, fushata do të zgjasë tri ditë. Në garën për kryetar të komunës në Ferizaj janë Agim Aliu i PDK-së dhe Adem Salihaj i LDK-së. 

Serbia po bën terror shtetëror për spastrim etnik

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka deklaruar se arrestimi i pesë shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 është “vazhdim i terrorit shtetëror” kundër shqiptarëve të Luginës.
Halimi ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta se terrori shtetërorë filloi në mënyrë agresive në dhjetor të 2008-ës, për të vazhduar në korrik të 2009-ës, dhe se sipas tij, kjo është arsyeja pse qindra familje shqiptare kanë emigruar nga Lugina e Preshevës.
“Nuk është rastësi që ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve. Veprimet e tilla mund të kenë pasoja për tërë rajonin. Qëllimi është për të fituar pikë të lira politike, duke luajtur me fatin e këtij vendi dhe të gjithë rajonit”, tha Halimi.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë tha se ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre iu garantua amnistia. Ai tha se në mesin e të arrestuarve është edhe një kandidat për këshillin lokal, i cili është lënduar gjatë aksionit të policisë.
“Ky është një vazhdim i procesit politik, që ka për qëllim presionin ndaj shqiptarëve të rajonit. Rezultati ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, ku vetëm në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600”, tha Halimi duke shtuar se shqiptarët janë të shqetësuar rreth kërcënimeve të ministrit Dacic se arrestimet do të vazhdojnë.

Zgjedhjet lokale, jolegjitime!

Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka deklaruar të premten se zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës janë jolegjitime, ndërsa ato parlamentare dhe presidenciale paraqesin një shembull të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve fqinje.
“Është herët të thuhet (nëse zgjedhjet do të përmirësojnë raportet), por ky është një shembull i mirë, se si dy shtete fqinje mund të punojnë së bashku, që të sigurojnë se po respektohen standardet evropiane”, ka thënë ambasadori amerikan gjatë një konference për gazetarë në Graçanicë.
Ai ka përshëndetur rolin lehtësues të OSBE-së për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në territorin e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Dell ka thënë është me rëndësi që roli lehtësues i OSBE-së, është pajtuar në një formë, që të mos shkelet sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, duke theksuar qëndrimin e OSBE-së se do të ndalojë së ndihmuari zgjedhjet, po që se aty tentohet të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale të Serbisë

Projektligji për konfiskimin e pasurisë procedohet këtë muaj

Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, do të procedohet në qeveri brenda këtij muaji, ka deklaruar zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Kuçi ka thënë se për këtë projektligj Ministria e Drejtësisë ka koordinuar aktivitetet me të gjithë akterët përfshirë ata nga shoqëria civile, nga EULEX-i, nga Komisioni Evropian, Ambasada Amerikane, dhe se shumë shpejtë do të jetë gati për procedim të mëtutjeshëm.
Kuçi i ka bërë këto komente në takimin e radhës së Këshillit Ndërministrorë për Integrime Evropiane. Ai ka thënë po ashtu se Zyra e Kryeministrit ka vazhduar angazhimin edhe në hartimit të strategjisë për të drejtat pronësore, ka përcaktuar objektivat kryesore dhe ka paraparë aktivitete që dalin për administrimin e këtyre objektivave.
“Me këtë projektligj do të mundësohet që Gjykatat të kryejnë disa veprime, e para konfiskimi i pasurisë do të bëhet me vendim të Gjykatës sipas kërkesës së Prokurorit, konfiskimi i pasurisë mund të bëhet edhe ndaj pasurive të cilave nuk u është vendosur masa e sekuestrimit, ku Gjykata duhet të vendos për konfiskim brenda tre muajve nga data e paraqitjes së Prokurorit, me ndonjë përjashtim për raste komplekse”.
“Pasuria e fituar me vepër penale përcaktohet me aktgjykim me të cilin personi i autorizuar do të shpallet fajtorë dhe me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe dukurive negative është paraparë që kapacitetet njerëzore të ngritën në institucione që merren me këtë lami dhe shuma e marrë në këtë formë 20% e pasurisë se konfiskuar, do të ndahet për financimin e ngritjes se kapaciteteve në punën e sistemit gjyqësor prokurorial dhe në Agjencinë për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar”

Terry lëvdon Di Matteon para finales

Mbrojtësi i Chelseat, John Terry, ka lëvduar menaxherin e përkohshëm, Roberto Di Matteo, duke thënë se ai ka pasion të jashtëzakonshëm për futbollin.
“Ai kujdeset shumë për klubin, që është gjë e mirë, pasi kjo ka angazhuar më shumë lojtarët. Ai është revolucion më vete, që prej se e mori klubin në dorë”.
“Ai tregon se kujdeset për klubin dhe se ka pasion për skuadrën. Ai gjithmonë ka treguar se ka marrëdhënie të mira me tifozët dhe ka gjetur përkrahjen e tyre. Ai meriton çdo respekt për këtë që ka bërë në kohë të shkurtër”, është shprehur Terry. 

Gomez: Bayerni në finale për të fituar

Sulmuesi i Bayernit të Munichut, Mario Gomez, ka deklaruar se bavarezët do të shkojnë në finale për të fituar, pasi që ky ishte qëllimi i tyre nga fillimi.
“Ne po shkojmë në finalen e Ligës së Kampionëve për ta fituar atë, pa marrë parasysh nëse Chelsea do të ketë sezon të mirë apo të keq. Unë do të thosha se është 50-50 në këtë pikë dhe nuk dihet fituesi”.
“Ne duhet të bëjmë ç’mos për të fituar të dyja finalet. Së pari duhet të mposhtim Dortmundin më 12 maj dhe më pas të fitojmë edhe Ligën e Kampionëve për të kompletuar dyshen e titujve. Ky as se si nuk është sezon i keq për ne”, ka potencuar Gomez.

“Juventusi arrogant, i mungon respekti”

Presidenti i Cagliarit, Massimo Cellino, ka sulmuar rëndë Juventusin para ndeshjes që zhvillohet të dielën, duke thënë se Juve është klub arrogant ndaj gjyqtarëve dhe klub që nuk ka respekt për rivalët.
“Juventusi, mbi të gjitha, nuk ka respekt për të tjerët. Ata janë arrogantë. Për muaj të tërë ata kanë qarë për gjyqtarët dhe për këtë arsye ambienti ku po luajmë do të ndikohet”.
“Unë pres paraqitje të mrekullueshme të ekipit tim ndaj Juventusit. Unë do të kisha qëndrim të njëjtë po që se do të luanim ndaj Milanit”, është shprehur Cellino, i cili ka kritikuar Juven po ashtu për pohimet se do të vendos yllin e tretë në fanellë.

“Mourinho do shkatërronte Neymarin”

Presidenti i Santosit, Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro është i bindur se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, do të kishte efekt negativ në karrierën e super talentit, Neymar.
“Vetëm paramendoni Neymar duke u drejtuar nga Mourinho, i cili është sinonim i disiplinës. Kjo do të shkatërronte një prej talentëve më të mirë në botë”.
“Vetëm të mendoj për këtë më tmerron. Unë vërtet nuk e di se çfarë do të thoshte për Neymarin që të drejtohej nga Mourinho, i cili kërkon disiplinë maksimale”, ka thënë Ribeiro.

“E quajta Ronaldon birë bushtre”

Mesfushori i Athletic Bilbaos, Javi Martinez, ka pranuar se ai mund ta ketë fyer sulmuesin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, duke e quajtur këtë të fundit bir bushtre.
“Diçka ndodhi pas ndeshjes, por këto gjëra ndodhin gjatë gjithë kohës. Unë i thashë në fillim që të mos tregonte me gisht kah publiku. Unë mund ta kem quajtur bir bushtre, por lojtarët më fyejnë në emër të nënës në çdo ndeshje dhe asgjë nuk ndodh”.
“Njerëzit nuk duhet të mendojnë shumë për incidentin me Ronaldon. Ndonjëherë jeni gjaknxehtë dhe më pas pendoheni për gjërat. Ne do të shtrëngojmë duart në ndeshjen tjetër dhe asgjë nuk do të ndodhë”, ka thënë Martinez.
Cristiano Ronaldo, i cili drejtoi gishtin e mesëm kah Martinez, nuk ka komentuar ende mbi incidentin.

Lampard: Pas FA, do ta fitojmë LK

Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, beson se Blutë do ta fitojnë FA Cup në finalen ndaj Liverpoolit dhe se ky triumf do të rrisë besimin para finales së madhe ndaj Bayernit të Munichut.
“Do të ishte shtysë e madhe. Ne jemi në dy finale dhe ju dëshironi ta fitoni njërën e të fitoni besimin për tjetrën, që do të ishte fantastike. Ne e dimë se është ndeshje shumë e vështirë finalja e Ligës së Kampionëve, por ne duam ta fitojmë atë”.
“Ne duam që të bëjmë gjithçka që ta fitojmë atë finale pasi klubi ka punuar që një kohë të gjatë për këtë. Shpresoj se mund të fitojmë së pari FA Cup dhe më pas edhe Ligën e Kampionëve”, ka thënë Lampard. 

Guardiola: Reali meriton titullin

Ish-trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se Real Madridi meriton të fitojë titullin e La Ligës këtë sezon, teksa shtoi se Barcelona duhet të bëjë diçka të jashtëzakonshme sezonin e ardhshëm për të mposhtur Los Blancos.
“Reali meriton të jetë kampion, sepse ka fituar aq shumë pikë. Ne duhet të mendojmë për atë se si të përmirësojmë ekipin dhe si t’i mposhtim përsëri”.
“Të mposhtësh Realin, nuk mjafton të jesh i mirë, ju duhet të bëni më shumë se lojë të mirë. Ata janë shumë, shumë të fortë”, ka thënë Guardiola. 

Enrique: Me FA Cup mbulojmë zhgënjimet

Mbrojtësi i Liverpoolit, Jose Enrique, beson se ngritja e trofeut të FA Cup mund të lehtësojë zhgënjimin e tifozëve për mos kualifikim në Ligën e Kampionëve.
Përkundër mundësisë për të fituar trofeun e dytë këtë sezon, pas triumfit në Carling Cup, The Reds nuk kanë arritur të kualifikohen në Ligën e Kampionëve, duke lënë kështu të zhgënjyer tifozët. Enrique mendon se me një triumf ndaj Chelseat në finalen e FA Cup, zhgënjimi sa do pak mund të zvogëlohet.
“Është e vërtetë se ne jemi të zhgënjyer që nuk jemi kualifikuar për Ligën e Kampionëve, por mendoj se dhimbja mund të lehtësohet në rast se fitojmë FA Cup. Sidoqoftë, ne e dimë se është dashur të kemi sezon më të mirë në Ligën Premier. Të shohim nëse do të fitojmë për herë të dytë në Ëembley të shtunën”, ka theksuar Enrique.

Thiago Silva të mungojë në derbi

Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, pritet që të mungojë në derbin e të dielës ndaj Interit, pasi problemet në kofshë nga fillimi i sezonit vazhdojnë ta përcjellin titanin brazilian.
Sky Sport 24 raporton se Thiago Silva nuk do të jetë në gjendje gatishmërie për sfidën ndaj Interi, përkundër shpresave të Allegrit se Silva mund të paraqitet.
Rossonerët hyjnë në derbin e madh ndaj Interit duke qenë një pikë prapa Juventusit në Serie A, përderisa Interi është tri pikë prapa Napolit që është në vendin e tretë, me vetëm një ndeshje të mbetur pas derbit

Wenger: Podolski do të jetë sukses në Angli

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ëshë i bindur se Lukas Podolski do të jetë një sukses në Ligën Premier.
“Ata [gjermanët] janë afër mentalitetit anglez, por më duhet të them se ne nuk shikojmë shumë në kombësinë. Ajo çfarë është e sigurt është se kampionati gjerman është po aq fizik [sa Liga Premier] dhe është lehtë për ta të mësojnë gjuhën këtu, ata e mësojnë shumë shpejt”.
“Ai ka qenë në radarin tonë për një kohë të gjatë. Ai është një sulmues i lëvizshëm, mund të luajë në mesfushë, prapa sulmuesit, në ballë, në të majtë dhe në të djathtë”.
|Kjo është ajo që dëshirojmë ne, dhe ai mund të shënojë gola. Sa herë jemi akuzuar se varemi shumë nga Robin van Persie? Ai mund të shënojë gola dhe të asistojë, dhe ai është në nivelin që ne e dëshirojmë”, ka thënë Wenger. 

Ozil tifoz i Bayernit në finalen e LK-së

Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, shpreson që Bayern Munichu që mposhtë Chelsean në finale të Ligës së Kampionëve në Allianz Arena më 19 maj.
Kampionët e rinj të Spanjës u eliminuan nga gara evropiane pikërisht nga Bayerni në gjysmëfinale, dhe Ozil tash thotë se edhe pse eliminimi dhemb, ai dëshiron që gjiganti gjerman të kurorëzohet me titullin e më të mirit të Evropës.
“Unë jam tifoz i Bayernit në finale. Të fitojmë titullin e La Ligës ka larguar mendjen tonë nga eliminimi i Ligës së Kampionëve”.
“Por frustrimi rikthehet tash që finalja afrohet. Ne do të duhet të provojmë edhe një herë sezonin e ardhshëm”, ka thënë Ozil.
Real Madridi herën e fundit e ka fituar Ligën e Kampionëve në sezonin 2001/02, kur mposhti Bayer Leverkusen me rezultat 2-1 në finalen e zhvilluar në Hampden Park.

Kroacia sërish në recesion, rimëkëmbje në 2013

Kroacia ka hyrë sërish në recesion, ndërkohe qe ekspertët e Institutit Ekonomik në Zagreb vlerësojnë se këtë vit GDP do të bie edhe për një për qind.
Tendencat më të favorshme në eurozonë dhe efektet e para të reformave të ndërmarra në ekonominë kroate, sipas Institutit Ekonomik, mundësojnë një rimëkëmbje të lehtë në vitin 2013, vit, me rritje të GDP-së prej 1.2 për qind.
“Treguesit mujor të trendeve të fillimit të këtij viti tregojnë një reduktim të mëtejshëm në eksport, prodhim industrial, tregtinë me pakicë dhe ne sektorin e ndërtimit, që në thelb ka rritur normën e papunësisë, ndërsa, ekonomia kroate përsëri ka hyrë në recesion”, thonë analistët kroate.

Publikohen për herë të parë statistikat për borxhin e Jashtëm

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), filloi publikimin e statistikave për Pozicionin e Investimeve Ndërkombëtare (PIN) dhe Borxhin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, duke bërë kështu edhe një hap të madh në zhvillimin e sistemit të statistikave në vendin tonë. Informacionet e plota për statistikat e Republikës së Kosovës që janë përgjegjësi e BQK-së si dhe praktikat e shpërndarjes janë të publikuara në faqen e internetit të BQK-së.
Këto informata njëherësh janë të prezantuara edhe në bazën e të dhënave të FMN-së, të njohur si Statistika Financiare Ndërkombëtare (anglisht: International Financial Statistics – IFS) në vegëzen elektronike vijuese http://www.imfbookstore.org/ProdDetails.asp?ID=IFEOL.
Duke përgëzuar stafin e BQK-së për progres të shkëlqyeshëm në fushën e publikimit për herë të parë të pozicionit të investimeve ndërkombëtare të Kosovës, Guvernatori Gërguri ka nënvizuar se “zgjerimi i pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës me më shumë statistika nga sektorë të ndryshëm në IFS e rrit cilësinë e grumbullimit, përpunimit dhe të shpërndarjes së statistikave për sektorë të caktuar, ndërsa saktësia dhe besueshmëria e tyre kontribuon në avancimin e imazhit të shtetit tonë në fushën e investimeve të huaja direkte dhe në fusha të tjera që janë të domosdoshme për të kontribuar në zvogëlimin e deficitit në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave të Kosovës”.
Dërgimi për publikim në IFS të FMN-së dhe në bazën e të dhënave të Bankës Botërore, në fund të tremujorit të parë 2012, përfshin statistikat si në vijim:
- Bilanci i Pagesave (në frekuencë tremujore);
- Borxhi i Jashtëm (në frekuencë tremujore);
- Pozicioni i Investimeve Ndërkombëtare (në frekuencë vjetore);
- Raporti i Koordinuar për Investimet e Huaja (anglisht: Coordinated Direct Investment Survey – CDIS);
- Raporti i Koordinuar për Investimet Portfolio (angl. Coordinated Portfolio Investment Survey – CPIS).
Baza Tremujore e të Dhënave mbi Borxhin e Jashtëm e zhvilluar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2004, bashkon në një vend qendror të dhënat të detajuara të borxhit të jashtëm të publikuara individualisht nga vendet të ndryshme, sidomos ato që i përkasin Sistemit të Shpërndarjes së të Dhënave të Posaçme të FMN-së (anglisht: Special Data Dissemination Standards). Republika e Kosovës, ka filluar pjesëmarrjen në Sistemin e Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme (anglisht: General Data Dissemination System) të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) më 01 prill 2011, ndërsa të dhënat për borxhin e jashtëm i dërgon Bankës Botërore në bazë vullnetare. 

PTK-ja nuk privatizohet sivjet?

Qeveria e Kosovës e ka pranuar më në fund se ka dështuar në privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës gjatë këtij viti. Procesi i privatizimit të PTK-së, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, mund të përmbyllet vetëm në vitin 2013. Këtë e ka thënë në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku pranon se privatizimi i PTK-së ka dështuar për këtë vit.
“Transaksioni financiar në lidhje me privatizimin e PTK-së nuk do të mbyllet deri në fund të vitit 2012”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar FMN-së. Arsyet e dështimit të këtij privatizimi, sipas tij, janë, rëniet e papritura të investimeve të huaja direkte në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
“Arsyeja kryesore e dështimit të privatizimit të kompanisë së telekomunikacionit (PTK-së), në vitin 2011, siç ishte planifikuar, është tërheqja e njërit nga të dy ofertuesit e parakualifikuar. Procesi duhej të rifillonte dhe tani nuk ka gjasa të përfundojë përpara vitit 2013”, thuhet në Raportin e FMN-së, të lëshuar pas arritjes së marrëveshjes “Stand By”. Privatizimi i PTK-së pritej të gjeneronte të paktën 300 milionë euro për arkën e buxhetit.

Thaçi: Nenet 37 dhe 38 duhet të riformulohen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet të riformulohen nenet 37 e 38 të Kodit Penal të Kosovës. Sipas tij këto nene patjetër duhet të jenë sipas standardeve evropiane.
Thaçi ka kërkuar nga deputetët më shumë përkushtim për riformulimin neneve, për shkak të të cilave mediat kosovare bojkotuan të enjten punën e institucioneve.
“Qëndrimi i prezantuar i zëvendëskryeministrit Kuçi sa i përket neneve 37 dhe 38 është qëndrim edhe i Qeverisë së Kosovës dhe i imi. Natyrisht se kërkohet edhe rivlerësim dhe riformulim. Do të kemi kod por edhe nene të standardeve më të larta evropiane dhe perëndimore”, tha Thaçi, siç transmeton RTK.
Këto komente, kreu i ekzekutivit të vendit i bëri në takimin e njëmbëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane. 

Administrata publike sfidë për institucionet e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e Këshillit ministror për integrime evropiane theksoi se reforma e administratës publike mbetet ende sfidë dhe kërkohet një punë me intensive në këtë drejtim.
Ky takimi ka për qëllim diskutimin e të arriturave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen ministritë, njëkohësisht edhe objektivat e identifikuara si më prioritare që duhen të përmbushen në afat sa më të shkurtë për plotësimin e kritereve.
“Qëllimi i takimit të sotëm është për të avancuar koordinimin dhe për të bërë monitorimin e arritjeve tona si qeveri. Njëkohësisht edhe për të përcaktuar obligimet për javët dhe muajt në vijim. Pres nga ky takim të dëgjoj përkushtim dhe rezultate, konkretisht pres të dëgjoj progres në zbatimin e kritereve politike, ekonomike dhe standardeve evropiane. Për më tepër, para fillimit të marrëveshjes për stabilizim asociim duhet të sigurojmë që institucionet e Qeverisë janë të përgatitura për menaxhimin e këtij procesi shumë të ndërlikuar dhe të gjatë. Reforma e administratës publike mbetet ende sfidë dhe kërkohet një punë me intensive në këtë drejtim”, tha Thaçi.
Ndërsa, sipas njoftimit të Ministrisë së Integrimit, drejtuesja e këtij dikasteri, Vlora Çitaku ka thënë se është e kënaqur me punën e bërë nga ministritë, duke iu dhënë përkrahje në mënyre që të arriturat të jenë më të mëdha dhe më evidente.

Helmohen disa pjesëtarë të ROSU-së

Gjashtë pjesëtarë të njësisë speciale (ROSU) të policisë së Kosovës, dyshohet të jenë helmuar të enjten mbrëma gjatë darkës në bazën e tyre ‘Belveder’ në Mitrovicë, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it nga kjo bazë.
Ata janë lajmëruar mbrëmë në spitalin rajonal të Mitrovicës ku edhe janë trajtuar, ndërsa mësohet se ankesa të njëjta kanë pasur edhe disa policë tjerë të kësaj njësie.
Ndërkaq, pas njoftimit për dyshim të helmimit të policëve, kampin e kanë vizituar të premten inspektorët të cilët kanë marrë mostrat për t’i analizuar shkaqet e këtij helmimi të mundshëm.
“Inspektorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marr mostrat të cilat i kanë dërguar në Institutin e Prishtinës për analiza të detajizuara”, ka thënë për Kosovapress, kryeinspektori Lulzim Zeqiri.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar se disa pjesëtarë të ROSU-së kanë shprehur shqetësimin e tyre për helmim, të cilët janë dërguar tek mjeku dhe pas marrjes së ndihmës së parë janë lëshuar në shtëpi.
Në anën tjetër, edhe drejtori i spitalit rajonal ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, Agim Peci, ka thënë se 5-6 policë të Kosovës janë paraqitur mbrëmë në repartin e internos me ankesa të helmimit dhe pas trajtimit nga ana e mjekëve, ata janë liruar në gjendje shëndetësore stabile.
Ndryshe, mësohet se pas këtij rasti, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka urdhëruar renovimin e tërësishëm të kuzhinës në kampin ‘Belveder’. 

Rasmussen apelon për përmbajtje

Sekretari gjeneral i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka apeluar tek të gjithë liderët dhe bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë, që të tregojnë përmbajtje gjatë procesit të votimit në Serbi.
“Në këtë periudhë kritike është me rëndësi që të shmangen aksionet e njëanshme apo deklaratat që provokojnë tensione. Për këtë përshëndes marrëveshjen e cila parasheh që OSBE të lehtësojë procesin e votimit si dhe ftojë Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkësinë ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të votimit të qetë dhe të sigurte”, thuhet në komunikatë për shtyp nga selia e NATO-s.
Rasmussen ka potencuar që misioni i KFOR-it është që të sigurojë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Kemi besim të plotë në vlerësimet profesionale të komandantit të KFOR-it kur është fjala të shfrytëzimi i të gjitha mjeteve në kuadër të mandatit dhe të gjithë instrumentet të cilat i ka në shfrytëzim, përfshirë edhe Batalionin e Dytë të Forcave Rezervë, i cili tani ka zbarkuar në Kosovë”, ka thënë Rasmusen duke shtuar se KFOR-i dhe EULEX-i do të vazhdojnë bashkëpunimin në terren. 

Dacic konfirmon tetë arrestimet në Luginë

E plotësuar - Në Bujanoc, në Tërnocin e Madh dhe në Breznicë janë kryer bastisje dhe arrestime të shqiptare, gjoja për krime kundër serbëve.
Prokurori serb për krime lufte, Vladimir Vukcevic, ka thënë se policia ka arrestuar pesë shqiptarë “të dyshuar për krime lufte” gjatë konfliktit të vitit 2001. Ai gazetarëve në Beograd u tha se arrestimet po vazhdojnë, por nuk ka dashur të cek se për çfarë “krime lufte” bëhet fjalë.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, konfirmoi se policia ka arrestuar tetë persona, nga të cilat pesë janë akuzuar për “krime lufte kundër civilëve”.
Në një konferencë për shtyp në Vranjë ai tha se për “krime lufte kundër civilëve” janë arrestuar Elhami Salihu, Mustafë Limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurlahi.
Sipas tij, dy të arrestuarit kanë bërë rezistencë gjatë bastisjes, ndërsa njëri është arrestuar për posedim të armës.
Dacic tha se këto veprime janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Serbisë, sot në mëngjes mes orës 6:00 dhe 9:00.

Valdete Daka bëhet objekt shqyrtimi në Kushtetuese

Valdete Daka ka mësyrë të bëhet gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, institucion ky që ka në shqyrtim një lëndë të ndërlidhur drejtpërdrejt me aktivitetin e saj si gjyqtare. Kërkesa e palës që pretendon të jetë dëmtuar është që Kushtetuesja ta prishë një aktgjykim me të cilin është dënuar, ngaqë Daka kishte vendosur në të njëjtën lëndë duke qenë pjesë në kolegje gjyqësore në dy shkallë.
Është Bajrush Gashi ai që ka kërkuar nga gjykata më e lartë në vend të vlerësojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Qarkut në Prizren, i bërë i plotfuqishëm me një vendim të Supremes, me të cilat është dënuar me burg katër vjet e dy muaj, shkruan “Koha Ditore”.
Ai është shpallur fajtor për veprat penale të kontrabandës me emigrantë dhe për mbajtje në pronësi, nën kontroll, apo në shfrytëzim të paautorizuar të armëve. Gjyqtarja Daka ka qenë në krye të trupit Gjykues në Gjykatën e Qarkut, kur është marrë vendimi i parë, si dhe ka qenë anëtare e kolegjit të gjyqtarëve, kur është vendosur që Gashit t’i refuzohet si e pabazuar kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, të shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Supremes.
Kjo nuk do të duhej të ndodhte, po të pyetej Këshilli Gjyqësor.
“Në parim, gjyqtari që ka vendosur në shkallë të parë është i përjashtuar në raste të tjera, e edhe kur të merret vendimi për kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit”, i ka thënë gazetës Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor. “Edhe në rastin konkret duhej të përjashtohej gjyqtarja”.
E për Gjykatën Supreme gjithçka është në rregull. Për të mbështetur këtë pikëpamje, një shkresë kanë adresuar edhe në Kushtetuese.
“S’ka asnjë pengesë ligjore që gjyqtari që ka vendosur në shkallën e parë të jetë pjesë e kolegjit kur të vendoset në kërkesën për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit”, ka thënë Fejzullah Hasani, kryetar i Supremes. “Prandaj, nuk ka pasur asnjë arsye për përjashtimin e gjyqtares”.
Por gjyqtarja e Supremes, Valdete Daka, e cila është edhe anëtare e Këshillit Gjyqësor, si dhe është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se do të tërhiqej vetë nga kolegji, sikur ta dinte që në shkallë të parë do të ishte kryetare e trupit gjykues për të njëjtin rast. Ajo ka thënë se tjetërkush ka referuar çështjen, prandaj nuk ka ditur për situatën.
“Edhe nëse është shkelje, është shkelje procedurale. Kjo s’ka të bëjë me mua konkretisht, se unë kam qenë vetëm anëtare e kolegjit. Ka pasur edhe lëndë të tjera sikur kjo, që i njëjti gjyqtar ka marrë pjesë”, ka thënë Daka. 

Shkojmë në Kinë

Kosovarët mund të udhëtojnë drejt Kinës me pasaportë. Ky shtet anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që nuk e ka njohur pavarësinë, po lejon shtetasit e Kosovës të hyjnë në territorin e vet duke u dhënë viza sikurse që bëjnë edhe disa shtete evropiane.
Zëvendësministri Petrit Selimi shpreson se ky është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Pekinit, shkruan “Express”.
Kina, e cila ka rritjen më dinamike ekonomike në dekadat e fundit dhe që është ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës për nga importi, jozyrtarisht ka filluar ta zbusë qëndrimin duke pranuar pasaportat kosovare si dokumente valide.
"Express" ka mësuar se numri i kosovarëve që po udhëtojnë drejt Kinës është në rritje e sipër. Federata e Pingpongut me gjasë është e para që ka “thyer akullin”, duke marrë pjesë në evenimente sportive në Kinë.

Policia me plan, për zgjedhjet serbe

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka bërë me dije se në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve serbe Policia e Kosovës së bashku me faktorin ndërkombëtar ka përgatitur një plan operacionl për ruajtjen e qetësisë publike në gjithë territorin e Kosovës.
Rexhepi në një bisedë për gazetën “Epoka e Re”, ka thënë se në këtë kontekst, Policia e Kosovës do ta ketë barrën kryesore sa i përket ofrimit të sigurisë për qytetarët, sidomos në ditën e zgjedhjeve.
“Policia e Kosovës ka përgatitur një plan operacional lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por, për përmbajtjen e këtij plani nuk mund të flas. Policia e Kosovës është e gatshme të ofrojë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, jo vetëm në atë ditë, por çdoherë që kërkohet një gjë e tillë”, ka thënë Rexhepi. 

Hart dhjetë herë më i mirë se Casillas?

Ish-portieri i Manchester Cityt dhe Anglisë, David James, beson se Joe Hart është më i mirë se portieri i Real Madridit dhe Spanjës, Iker Casillas, dhe se është më i miri në Evropë.
“Joe është më i mirë se Casillas. Ai [spanjolli] është i njohur si numri një pasi ka fituar Kupën Botërore, Kampionatin Evropian dhe ka pasur fatin të jetë në një prej klubeve më të mira në Evropë për shumë vite”.
“Por Joe është dhjetë herë më i mirë se Casillas. Ai i bën gjithë ato mbrojtje, ai i kap të gjitha harkimet. Ai mund të bëjë shumë më shumë se Casillas”.
“Nëse Casillas do të ishte në Ligën Premier, ai do të dështonte. Vendosni atë te skuadra e Wolves. Do ta shihni sa i mirë është ai. Joe është kryekëput mbi të çdo portier tjetër”, ka thënë James. 

Stramacconi: E ardhmja ime tashmë është vendosur

Trajneri i përkohshëm i Interit, Andrea Stramaccioni, beson se e ardhmja e tij me klubin tashmë është vendosur, pavarësisht nëse klubi do të luajë ose jo në Ligën e Kampionëve.
Të mërkurën Stramaccioni shijoi disfatën e parë në krye të Interit duke u mposhtur nga Parma, disfatë që la Interi tre pikë prapa rivalëve tjerë për vendin e tretë, Napolit dhe Udineses.
Për më tepër, Interi ka edhe një ndeshje të vështirë këtë vikend kur përballet me rivalin lokal, Milanin. Por Stramaccioni ndjehet i sigurt në punën që bën.
“[Pavarësisht rezultatit të së dielës], mendoj se fati im tashmë është shkruar. Moratti është i lirë të zgjedhë siç dëshiron, por mendoj se unë po ashtu kam ide të qarta [për të ardhmen time]”, ka thënë Stramaccioni.

Wenger në prag të ndeshjes së 900-të

Menaxheri i Arsenalit, Arsense Wenger, do të drejtojë ndeshjen e 900-të në sfidën e vikendit ndaj Norwich Cityt.
“Po [jam i befasuar] pasi nuk e di si kalë kaluar 899 ndeshjet tjera! Ju gjithmonë keni aq shumë fokus në ndeshjen e ardhshme sa harroni ndeshjet prapa jush”.
“Është mbresëlënëse, 900 ndeshje, por në thelb ajo çfarë është e rëndësishme për mua është ta fitoj ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Wenger për Arsenal Player. 

Berlusconi: Allegri mbetet trajner i Milanit

Silvio Berlusconi thotë se Milani nuk ka synime ta zëvendësojë trajnerin Massimiliano Allegri, së paku jo gjatë kësaj vere.
Mediat italiane vazhdimisht kanë shkruar se Rossonerët janë të gatshëm të ndahen nga trajneri aktual nëse dështojnë ta mbrojnë titullin e Serie A.
Megjithatë, Berlusconi tashmë e ka bërë të qartë se 44-vjeçari do të jetë ende në drejtim të skuadrës edhe në sezonin 2012/13.
“A kam ende besim në Allegrin? Po, tashmë e kam konfirmuar atë si trajner të Milanit për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Berlucosni.
Allegri u caktua në drejtim të Milanit në verën e vitit 2010 dhe drejtoi skuadrën drejt triumfit në garën për Scudetton që në sezonin e tij të parë. Milani aktualisht është një pikë pas Juventusit me edhe dy ndeshje të mbetura.

Ferguson: City është favorit

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka hedhur poshtë supozimet e Roberto Mancinit se Manchester City ende është dytësor ndaj Djajve të Kuq në garën për titull.
Skocezi beson se diferenca prej tetë golash është një favor shumë i madh për Cityn, për të hedhur poshtë mendimet e Mancinit.
“Çfarë mendoni ju? Ata kanë dy ndeshje të mbetura. Nëse ata i fitojnë të dy ndeshjet do ta fitojnë ligën”.
“Njerëzit flasin për diferencën e golave, por kjo varet se sa do të fitojnë ata. Le të themi se ata fitojnë 3-0 të dielën, avantazhi i tyre do të jetë 11 dhe ata ende duhet të luajnë ndaj QPR në shtëpi. Do të ishte e pamundur (të shënojmë kaq shumë gola)”, ka thënë Ferguson.

Prandelli: Italia mund ta fitojë Euron

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, është i bindur se skuadra e tij do të udhëtojë kampionatin evropian Euro 2012 gjatë kësaj vere me synimin për ta fituar atë.
Azzurët janë caktuar në një grup jo aq të lehtë së bashku me kampionin në fuqi të Botës dhe Evropës, Spanjën, pastaj Kroacinë dhe Republikën e Irlandës.
“Mendoj se të gjithë trajnerët në cilindo nivel, para fillimit të një ndeshje mendojnë se mund ta fitojnë atë. Ne kemi përvojë për t’u përballur me skuadrat e mëdha dhe sigurisht se e kemi bindjen, të cilën e krijojmë brenda grupit”.
“Kjo do të thotë se në momente të vështira ne e dimë se jemi të bashkuar, kur është e nevojshme ne kemi vullnetin për t’i ndihmuar njëri-tjetrit dhe po ashtu jam i bindur se ne mund të luajmë një futboll të mirë. Ne nisemi për kampionatin evropian për ta fituar atë”, ka thënë Prandelli.
Italia e fillon kampanjën e tyre në Euro 2012 më 10 qershor kundër Spanjës në Gdansk të Polonisë.

Di Maria dëshiron Ligën e Kampionëve

Angel Di Maria u ka premtuar tifozëve të Real Madridi se titulli i këtij viti në La Liga do të ndiqet nga më shumë trofe në vitet e ardhshme.
Los Blancos mposhtëm Athletic Bilbaon me rezultat 3-0 të mërkurën për të siguruar titullin e kampionit të Spanjës edhe matematikisht, dhe argjentinasi tash ka hedhur shikimin kah një trofe tjetër, ai i Ligës së Kampionëve.
“Jam shumë krenar me titullin tim të parë në ligën e Spanjës, por nga ne pritet ende. Shpresoj ne të fitojmë më shumë tituj çdo vit dhe shpresoj një prej tyre të jetë Liga e Kampionëve”.
“Dua tifozët ta shijojnë këtë siç e shijojmë edhe ne. Jam i sigurt se ne do t’i bëjmë ata edhe më të lumtur në të ardhmen”, ka thënë Di Maria.
Real Madridi u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Bayerni i Munichut. 

Van Persie, më i miri i vitit sipas gazetarëve

Kapiteni i Arsenalit, Robin van Persie, është i befasuar por edhe krenar që është emëruar Futbollisti i Vitit në Ligën Premier nga gazetarët e futbollit.
Holandezi kryesoi në sondazhin e Asociacionit të Shkrimtarëve të Futbollit, duke përfunduar para sulmuesit të Manchester United, Wayne Rooney, dhe mesfushorit tjetër të United, Paul Scholes.
“Jam shumë krenar që jam këtu, e kam parë listën [e fituesve të mëhershëm], dhe për mua, unë kurrë vërtet nuk kam menduar se do të qëndroj këtu duke e fituar trofeun”.
“Por as edhe këtë sezon nuk kam menduar për ta fituar trofeun për veten, thjesht kam luajtur sepse e dua dhe që Arsenali të përfundojë sa më lart në ligë”.
“Kur kuptova se në të vërtetë e kam fituar, isha i befasuar dhe mendova, ‘çfarë, unë? Vërtet? Jam krenar që jam pjesë e kësaj historie”, ka thënë Van Persie.

GaGa sërish e vetmuar

Krijuesja e hitit “Poker Face”, Lady GaGa, raportohet se është sërish e vetmuar.
Burime të afërta me këngëtaren kanë thënë për US Weekly se 26-vjeçarja është ndarë nga i dashuri i saj, aktori Taylor Kinney.
“Ajo do të jetë në turne non-stop deri në vitin e ardhshëm dhe ka kuptuar se nuk mund të jetë edhe në lidhje në të njëjtën kohë”.
“Thjesht nuk ka hapësirë për diçka tjetër. Puna e saj është konsumuese. Taylor ishte më shumë për veten, një aktor tipik, dhe nuk ishte krejtësisht i dhënë Gagas”.
“Asaj i pëlqente që e kishte këtë djalosh për të cilin gjithkush mendonte se është i nxehtë. Por kjo lidhje kurrë nuk do të zgjaste”, ka thënë burimi.

Arta Bajrami me ‘look’ të veçantë

Arta Bajrami është duke u përgatitur të sjellë projekte të reja muzikore.
Këngëtarja kosovare ka bërë të ditur se ka nisur përgatitjet për dy këngë të reja të cilat do t’i lansojë gjatë muajve të ardhshëm.
“Sapo kam realizuar një këngë të re, të cilën do ta lansoj gjatë këtij muaji, ndërsa më pas do të pësoj edhe kënga tjetër. Në të dy klipet do të paraqitem me një ‘look’ të veçantë dhe të ndryshëm”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Arta në këto dy projekte ka punuar me vëllain e saj Don Arbas, ndërsa thotë se ai ka bërë një punë të madhe në këto këngë të cilat do të lansohen bashkë me videoklipe.

Gold AG duet me Zajmina Vasjarin

Gold AG është duke u përgatitur për projektin e tij të ardhshëm. Ai kësaj radhe do të vijë në bashkëpunim.
Reperi ka realizuar një bashkëpunim me këngëtaren Zajmina Vasjari, me të cilin duet do të marrin pjesë në festivalin “Çelësi Muzikor 6”.
Kënga mban titullin “Forever” me muzikë nga Chipsi dhe orkestrim nga Gramoz Kozeli dhe është një këngë shumë ritmike.