Qeveria e Kosovës e ka pranuar më në fund se ka dështuar në privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës gjatë këtij viti. Procesi i privatizimit të PTK-së, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, mund të përmbyllet vetëm në vitin 2013. Këtë e ka thënë në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku pranon se privatizimi i PTK-së ka dështuar për këtë vit.
“Transaksioni financiar në lidhje me privatizimin e PTK-së nuk do të mbyllet deri në fund të vitit 2012”, thuhet në letrën e Thaçit drejtuar FMN-së. Arsyet e dështimit të këtij privatizimi, sipas tij, janë, rëniet e papritura të investimeve të huaja direkte në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
“Arsyeja kryesore e dështimit të privatizimit të kompanisë së telekomunikacionit (PTK-së), në vitin 2011, siç ishte planifikuar, është tërheqja e njërit nga të dy ofertuesit e parakualifikuar. Procesi duhej të rifillonte dhe tani nuk ka gjasa të përfundojë përpara vitit 2013”, thuhet në Raportin e FMN-së, të lëshuar pas arritjes së marrëveshjes “Stand By”. Privatizimi i PTK-së pritej të gjeneronte të paktën 300 milionë euro për arkën e buxhetit.