Mustafa, i cili nuk e konteston të drejtën e AAK-së për t`u marrë me këtë çështje, në aspektin ligjor, sqaron se ky biznes është fiktiv dhe ka zero qarkullim dhe ka ngelur i tillë, për shkak se dy nga gjashtë bashkëthemeluesit gjenden jashtë vendit dhe nuk kanë mundur ta shuajnë edhe ligjërisht kompaninë “Frutta Viva”, që është regjistruar më 14.09.2006, atëherë kur ai dhe PDK-ja kanë qenë opozitë.
Për më tepër, ai ka thënë se për shkak të tërheqjes të katër bashkëthemeluesve, kjo kompani nuk ka funksionuar asnjëherë dhe më pas, më 2006, ai dhe pronari i Kompakt Group, Mustafa Shala, kanë themeluar biznesin tjetër “Viva Frutta”, i cili funksion dhe i kryen të gjitha obligimet ndaj shtetit, gjë që mundtë verifikohet edhe në ATK.
Në biznesin “Viva Frutta”, Mustafa ka thënë se ai nuk është person i autorizuar, por është njëri nga dy aksionarët, me 15 për qind dhe kjo nuk paraqet konflikt interesi sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, duke rikujtuar se aksione në biznese të ndryshme kanë zyrtarë tjerë, madje ka edhe njëri nga zëvendëskryeministrat.
Mustafa kritikoi AKK-në, e cila, siç tha ai “e ka bërë mizën buall”, duke u marrë me imtësi, ndërsa shtoi se sqarimi i tij, më tepër i dedikohet opinionit publik, i cili ka nevojë ta dijë të vërtetën, për të mos krijuar përshtypje të gabuar për ne.
Megjithatë, Mustafa e ka vlerësuar të dëmshme komunikatën e AAK-së. “Ky është një dëm i madh për mua si kryetar Komune dhe partinë time”, tha ai, duke sqaruar se edhe AAK-së i kishte kërkuar që ta verifikojë gjendjen, gjë të cilën nuk e ka bërë, prandaj ka krijuar një zhurmë të panevojshme në opinion.
Kryetari i Qemajl Mustafa tha se AKK-ja duhet të edukohet më mirë dhe duhet të merret me gjera më serioze dhe të mos bëj gabime të tilla, duke penguar ecjen përpara të shoqërisë sonë. Ndryshe, sipas tij, kompania “Viva Frutta”, që është një biznes legal, merret me ruajtjen dhe pjekjen e bananeve, të cilat më pas i plason në tregun kosovar.
Mustafa ka thënë se të gjitha këto fakte do t`i ofrojë në gjykatën për kundërvajtje, ku është dërguar kërkesa e AAK-së për fillimin e një procedure kundërvajtëse dhe është i bindur se e vërteta do të dalë në shesh.