“Dhjetëshja e dobët” e pretendentëve për ambasadorë

Po të varej nga Albin Kurti, Sylejman Selimi do të ishte i vetmi kandidat në mesin e dhjetë të propozuarve të Ministrisë së Punëve të Jashtme që do ta merrte dekretin për ambasador të ri të shtetit.

Vlerësimin pozitiv për ish-komandantin e FSK-së Kurti e ka shpërfaqur në raportin vlerësues për kandidatët, me të cilët Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme ka zhvilluar seanca dëgjimore më 6 janar.
Ky raport “konfidencial”, një kopje të të cilit ka arritur ta sigurojë “Koha Ditore”, aktualisht është në zyrën e presidentes, Atifete Jahjaga. Edhe pse “vlerësimi” i parlamentarëve nuk është obligues për të, nga ajo pritet që të vendosë se kush nga kandidatët mund të emërohet në shtetin pranues.
Ajo çka vërehet qartë në raport është se anëtarët e Komisionit funksional nuk kanë qenë në gjendje që të japin vlerësim të përbashkët për kandidatët, por secili nga ta, me përjashtim të deputetit Skënderi Hyseni, e ka dhënë vlerësimin personal. Në kushte anonimiteti, së paku tre anëtarë të Komisionit që janë kontaktuar nga KD-ja, e kanë thënë prerazi se shumica e kandidatëve nuk janë të denjë për postin e ambasadorit.
Ndërsa Kurti, si kryetar komisioni, ka shkuar në “ekstrem”, duke thënë se vetëm njëri nga dhjetë të propozuarit e MPJ-së - Sylejman Serlimi - e meriton ta marrë dekretin e presidentes Jahjaga.