‘Drejt sovranitetit të plotë’

Kosova po ndërmerr hapa të rinj drejt sovranitetit të plotë, por njëkohësisht realizon të gjitha përgjegjësitë që ka për të konkluduar një proces dialogu me Serbinë me gjithë tërësinë e çështjeve që mbeten akoma për t’u zgjidhur- ka deklaruar zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, pas një takimi me përfaqësuesit e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, Riza Halimi dhe Galip Beqiri.
Haxhinasto është pyetur nga gazetarët se a mund të lexohet si një tërheqje e palës kosovare në negociatat me Serbinë, nisur nga fakti që kryenegociatorja Edita Tahiri ka rënë dakord për heqjen e termit “Republikë”, ndërsa përgjigja ishte si vijon:
“Ky është një vendim sovran i përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës dhe pyetja u duhet bërë atyre. Por kam besimin e plotë që ata kanë të gjithë aftësinë, maturinë, përgjegjësinë e caktuar politike për të realizuar marrëveshjen në kuadër të dialogut - marrëveshje të cilat do të zgjidhin çështje praktike që ekzistojnë midis dy vendeve”.
Ministri i Jashtëm shqiptar ka pohuar se “ajo që është e rëndësishme është që Kosova po ndërmerr hapa të rinj drejt sovranitetit të saj, drejt sovranitetit të plotë dhe kjo duhet përshëndetur. Por ndërkohë ajo realizon të gjitha përgjegjësitë që ka për të konkluduar një proces dialogu me Serbinë me gjithë tërësinë e çështjeve që mbeten akoma për t’u zgjidhur”.