Moti me borë e sqotë dhe rrugët e rrëpirëta të Arbërisë - lagje kodrinore në perëndim të Prishtinës në të cilën gjenden disa prej ambasadave të huaja në Kosovë - as sot nuk ishin pengesë për qytetarët të cilët kishin ardhur nga anë të ndryshme për të vazhduar procedurën për marrjen e vizave.
Ndër ta është edhe Isak Rexha, 68 vjeç nga Ponasheci i komunës së Gjakovës, i cila ka kaluar 120 kilometra me shpresën se sot do të marrë vizën për Gjermani.
“Kjo na mori n´qafë se po duhet me u end. 60 euro veç benzin m´kanë shku e mandej edhe dokumentet: çertifikatë e lindjes, e martesës, e familjes, tatimi në pronë. E n´fund, a ma japin-a s´ma japin?!”, thotë Rexhaj për DW, të cilin e gjejmë në një kafene pranë ambasadës, teksa pret orën 14-të për të marr përgjigjen për vizën.
Sipas Zyrës së Shtypit të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, me seli në Berlin “dokumentet të cilat duhet kompletuar secili aplikant për vizë drejt Gjermanisë, janë jo vetëm të dhënat e qëllimit të udhëtimit, por buxheti i mjaftueshëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të jetesës, si dhe gatishmërinë për të lënë territorin e shteteve të Shengenit para skadimit të vlefshmërisë së vizës”.
Ismet Kryeziu, 39 vjeçar, taksist nga Kamenica, qe disa herë kalon rrugën 60 kilometërshe, me dëshirën që ta vizitoj motrën në Gjermani. Por, duke pasur parasysh moshën e tij, ai është i përgatitur edhe për refuzimin e vizës nga ambasada gjermane.
“Jam ardhë qe tri-katër herë se m´u deshën disa dokumente. Ato që u deshën i bëra gati, motra atje i plotëson kushtet edhe unë punoj këtu qe 18-të vjet e shpresoj më lëshojnë vizën. Po, nëse jo, unë kthehem e kurrgja kurrkujt. Jo, nuk provoj më, se shpenzime, e larg e ftohtë”, thotë Kryeziu.
Procedura e gjatë e regjimit të vizave dhe kostoja e shumëfishtë për sigurimin e dokumenteve dhe udhëtimet, janë arsye e mjaftueshme që shumica e qytetarëve të Kosovës të mos provojnë të udhëtojnë jashtë shtetit. Artani, 32 vjeçar, megjithëse i ri, po për këto arsye nuk ka provuar të vizitojë vëllezër e motra të shkapërderdhur nëpër disa shtete të Evropës.
“Jo, asnjëherë nuk kam qenë diku tjetër, veç n´Turqi e n´Shqipëri, se s´po na i japin vizat. Para tri vjetëve kam provu për Zvicër e s´ma kanë dhanë. Pas kësaj s´kam provuar ma se edhe po shpenzojmë, edhe s´po na i japin vizat. Keq për ne...”, thotë Artani. Përderisa Hyseni, 40 vjeçar, pas një tentimi të kotë për të udhëtuar për në Amerikë, s´ka provuar më kurrë.
Qytetarët e Kosovës ndjehen të izoluar dhe të diskriminuar karshi fqinjëve të shteteve të rajonit.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor i cili i nënshtrohet regjimit të vizave. Pas hapjes së dialogut për viza me Kosovën, pritet udhërrëfyesi me kushtet që Kosova duhet plotësuar, si: siguria e dokumenteve, lufta kundër emigrimit, sigurimi i rendit dhe ligjit dhe i sigurisë publike, mbrojtja e pakicave, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar.
Deri në përmbushjen e këtyre kërkesave, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mblidhen para dyerve të ambasadave, me shpresën që si evropianët më të rinj, së shpejti do të mund të lëvizin lirshëm si qytetarët tjerë të botës së qytetëruar.