Zhvlerëson Spanjën

Agjencia e vlerësimit të kreditit Standard & Poor's zhvlerësoi me 2 nyje në 3B plus me këndvështrim negativ Spanjën dhe argumentoi vendimin me pritshmërinë për përkeqësim të situatës së financave kombëtare më shumë nga parashikimet si rezultat i tkurrjes në ekonomi dhe dobësisë në sistemin bankar. Në ndryshim nga zhvlerësimet e ndodhura në dy vitet e fundit për herë të parë agjencia përmend në rastin e Spanjës nevojën që kjo çështje të zgjidhet në rang europian me plane ambicioze.

Moody's vlerëson Spanjën në A3 me këndvështrim negativ ndërsa Fitch e vlerëson me notën A sigurisht në këndvështrim negativ. Ky është zhvlerësimi i parë për Spanjën që nga momenti kur drejtimin e vendit e mori kryeministri Mariano Rahoj. Një zëdhënës i ministrisë spanjolle të ekonomisë tha se zhvlerësimi nuk reflekton ndikimin e reformave që ka publikuar dhe po zbaton qeveria, për të riaktivizuar ekonominë që ka hyrë në recesionin e dytë në 3 vitet e fundit.
Qeveria në Spanjë premton të ulë këtë vit deficitin në 5.3 për qind të ekonomisë dhe në vitin e ardhshëm në 3 për qind . Në fund të vitit të kaluar deficiti në Spanjë u mbyll në 8.5 për qind. Por analistët parashikojnë qeverinë të pamundur për të realizuar këto premtime duke i cilësuar ato si një mision i pamundur.
Ndërsa agjencia e vlerësimit të kreditit në raportin që argumentoi zhvlerësimin parashikon që në këtë vit deficiti në Spanjë të jetë 6.2 për qind, dhe në vitin 2013 në 4.8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. ndërsa analistët paralajmërojnë se ky nuk është zhvlerësimi i vetëm për Spanjën në këtë vit dhe do të ketë zhvlerësime edhe për vendet e tjera të Eurozonës.