Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto nuk është përfshirë në debatin se kush ka më shumë merita për njohjen e 90-të që Kosovës i ka ardhur të mërkurën. Ai nuk ia atribuoi vetes ndonjë meritë për njohjen që i erdhi Kosovës nga Sulltanati i Bruneit, edhe pse kishte lobuar personalisht në këtë vend aziatik.
Në një bisedë për “Express”, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se njohja nga Brunei ka ardhur në radhë të parë si rezultat i argumenteve të Kosovës për shtetësi dhe pavarësi.
Por, në ditën kur erdhi njohja, Ministria e Jashtme e Kosovës ia atribuoi të gjitha meritat për njohje ministrit Hoxhaj, duke mos e përmendur asnjë kontribuues tjetër të kësaj njohjeje.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Zyrës së zëvendëskryeministrit të parë, Behgjet Pacolli, të cilët thanë se meritat për njohje nga vendi aziatik i ka Behgjet Pacolli.
Asnjë dikaster qeveritar i Kosovës nuk kishte përmendur kontributin e Shqipërisë në këtë njohje, ndonëse ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Haxhinasto para një muaji kishte thënë se njohja nga Brunei do të ndodhë shumë shpejt.
Për dallim prej homologëve të tij të Kosovës, Haxhinasto thotë se meritat për njohjen nga Sulltanati i Bruneit i kanë të gjithë.
“Mendoj se para se gjithash, ky është një rezultat e vetë Kosovës, i realitetit atje, i përpjekjeve të saj, të drejtave të saj legjitime për pavarësi dhe sigurisht për proceset të njohjeve ndërkombëtare që unë kam kënaqësinë ta shikoj që zhvillohet dhe progreson më tej”, ka thënë Haxhinasto.
Ky zyrtar i Shqipërisë nuk ka dashur të komentojë përvetësimin e meritave të MPJ-së dhe Zyrës së zëvendëskryeministrit Pacolli, po ka thënë se si Hoxhaj ashtu edhe Pacolli kanë merita për Brunein.
Ndryshe, në Kosovë janë paralajmëruar njohje të reja për Kosovën gjatë ditëve të ardhshme, derisa zyrtari i Qeverisë së Shqipërisë thotë se shumë vende janë afër vendimit pozitiv për Kosovën.