Opozita siriane mëson nga përvoja e UÇK-së

Disidenti sirian thotë se opozita i drejtohet ish kryengritësve të Kosovës, për të marrë këshilla se si ta rrëzojnë regjimin e Bashar al-Assad në Damask.

Ammar Abdulhamid, aktivisti anti-Assad në mërgim, tha se mënyra se si Kosova ka dalë nga makthi për t’u për shtet, mund të jetë frymëzuese për disidentët sirianë.
Qeveria e Assadit po e lufton kryengritjen 13 mujore në Siri, duke lënë më shumë se nëntë mijë të vdekur.
"Ne jemi këtu për të mësuar," tha Abdulhamid gjatë një intervistë për AP. "Kosova ka kaluar nëpër një eksperiencë që unë mendoj se do të jetë shumë e dobishme për ne - në aspektin se si grupet e ndryshme të armatosura që formuan UÇK-së (Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës), e kanë organizuar veten."
Abdulhamid është një nga tre aktivistëve e opozitës siriane që viziton Kosovën. Ata janë takuar me ish ushtarët që kanë luftuar kundër Serbisë në vitet 1998-99. Por, nuk janë dhënë detaje shtesë për takimet në Prishtinë e as nuk dihen emrat e ish pjesëtarëve të UÇK-së me të cilët ata janë takuar.
"Ne me të vërtetë kemi nevojë të veprojmë së bashku si koalicion opozitar”, ka thënë Abdulhamid.
Disidenti i cili jeton në SHBA që nga viti 2005, krahason mungesën e unitetit të opozitës siriane me ndarjet politike në Kosovë në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar, “në mes të pacifistëve të Rugovës dhe rebelëve të UÇK-së”.
"Disi ata ia dalën të punojnë bashkë, kështu që kjo na jep shpresë se mund të ngrihemi mbi dallimet dhe ta bëjmë të qëndrueshme tranzicionin e demokracisë në Siri”, tha Abdulhamid.
AP përkujton se Ushtria Çlirimtare e Kosovës filloi kryengritjen kundër regjimit të presidentit serb Slobodan Milloshevic, në vitin 1997. Reagimi i Serbisë provokoi dënimin ndërkombëtar që çoi në bombardimin 78-ditësh të NATO-s në vitin 1999, kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, që i dha fund luftës dhe e solli Kosovën nën administrimin e OKB-së. Mbi 10 mijë njerëz vdiqën në konfliktin e Kosovës, transmeton foxnews.
Rusia mbështet Serbinë dhe refuzon shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë pranuar SHBA-të dhe shumica e shteteve evropiane.