“Fëmija breshkë” kthehet në jetën normale

“Fëmija breshkë”, emër të cilin e mori për shkak të dregëzës gjigante që i kishte përfshirë të gjithë kurrizin, tashmë është shëruar plotësisht pas një ndërhyrjeje të suksesshme kirurgjikale.

Sëmundja “Congenital melanocytic nevus” e shfaqur te gjashtëvjeçari nga Kolumbia, Didier Montalvo, e pengonte atë në kalimin e një fëmijërie normale.
Ndërsa familja e cila ishte në dijeni të mundësisë së kthimit të dregëzës gjigante në kancer nuk kishte arritur të gjente paratë për ndërhyrjen kirurgjikale. Komshinjtë dhe banorët përreth ndërprenë të gjitha hyrje-daljet me familjen Montalvo, duke e interpretuar sëmundjen e djalit si “prekje e djallit”.
Pasi dëgjoi historinë e familjes së pafat, kirurgu anglez, Neil Bulstrode, mori përsipër ndërhyrjen dhe kurimin e sëmundjes. Me ndihmën e kësaj ndërhyrjeje, Didier Montalvo tashmë do të bëjë një jetë normale.