Me operacionin e Kërkim Shpëtimit në ujëra u përmbush skenari i paraparë prej 40 intervenimesh gjatë 5 ditëve të Ushtrimit Fushor “Shqiponja 1” të FSK-së.
Ushtrimi “Shqiponja 1”, i cili u krye nga Komanda e Forcave Tokësore (KFT) në nivel brigade të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), filloi nga 20 prilli dhe do të zgjasë deri më 30 prill 2012.
Në ditën e fundit të Ushtrimit, venddislokimin e njësive të FSK-së, në Xerxë, si edhe operacionin te Ura e Shenjtë, vizituan ministri i FSK-së, Agim Çeku, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, shefi i Divizionit Këshillues Ushtarako-Civil të NATO-s, gjeneral brigade Francesco Diella, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si edhe oficerë të lartë të FSK-ë dhe KFOR-it.
Pas intervenimit të njësive të FSK-së, ministri i FSK-së, Agim Çeku vlerësoi se FSK-ja me këtë ushtrim demonstroi lartë profesionalizmin, përkushtimin dhe motivimin. Ai tha po ashtu se me këtë ushtrim u dëshmua qëndrueshmëria e lartë e njësive të FSK-së jashtë kampeve.
Ministri Çeku pwrseriti se FSK-ja edhe një here dëshmoi se ka përmbushur në plotni Kapacitetet e saj Operacionale dhe se është e gatshme të marrë edhe detyra shtesë.
Gjithashtu edhe gjenerali i NATO-s, Diella, u shpreh shumë i entuziazmuar me operacionet e zhvilluara nga FSK-ja gjatë Ushtrimit fushorë “Shqiponja 1”. Ai tha se FSK-ja përmbushi edhe një detyre të rëndësishme dhe e kaloi me sukses atë.
“FSK-ja i demonstroi dhe i konfirmoj kapacitetet e saja operacionale dhe se është e gatshme ta ndihmojë popullin e Kosovës ashtu siç e ka dëshmuar edhe me rastin e fatkeqësisë në Restelicë”.
“Gjatë këtyre operacioneve tw FSK-sw kam parw me sytë e mi motivimin e lartë që dëshmuan pjesëtarët e FSK-së dhe rikonfirmimin se FSK është institucioni më i rëndësishëm në Kosovë”.
Edhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kastrati, tha se 40 operacione të realizuara me sukses për 4 ditë nga njësitet e FSK-së, ditën dhe natën, në terrene dhe lami të ndryshme, dëshmojnë se Ushtrimi “Shqiponja 1” po i afrohet përfundimit me rezultate të shkëlqyeshme.