Marnhac: Do të bëhen kërkime në 30 lokacione

Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, në ditën e të pagjeturve përmes një deklarate për media theksoi se ende ka shumë sfida, por sipas tij EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Departamentin për Mjekësi Ligjore në përpjekjet për të zbardhur fatin e atyre që nuk janë gjetur ende.

Ai thekson se këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale. Përveç kësaj,thuhet se do t’i fillojnë hetimet e tyre për rastet e mundshme të identifikimeve të gabuara si dhe operacionet në terren, të ndihmuara nga ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore.
“Edhe 1781 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur nga konflikti në Kosovë. Prandaj, kjo është arsyeja pse EULEX-i po e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Veç kësaj, lidhur me këtë çështje DML/EULEX po bashkërendon në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, familjet veç e veç dhe me disa palë të tjera të interesit”, thekson Marnhac.
Ai njoftoi se deri më sot, familjeve u janë kthyer mbetjet mortore të rreth 300 personave.
Marnhac thekson se mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë vendorët në strukturimin e një departamenti modern të mjekësisë ligjore.
EULEX-i ka përgatitur një dokumentar 30 minutash lidhur me Departamentin për Mjekësi Ligjore (DML) dhe punën e tij në terren, i cili do të transmetohet të premten (27.04.2012).