SHBA do ta ndihmojë Kosovën të anëtarësohet në NATO dhe BE

Sekretarja amerikane Shtetit, Hillary Clinton, pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Washington DC, ka deklaruar se beson fuqimisht në pavarësinë, integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta ndihmojnë Kosovën që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Clinton i ka bërë këto komente para pak minutash në një konferencë të përbashkët për media që kishte me kryeministrin Thaci në Departamentin e Shtetit. Ajo ka dhënë vlerësim pozitiv për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke thënë se të dyja vendet duhet të shtojnë përpjekjet për të ndërtuar një fqinjësi të mirë.
Nga ana e tij, kryeministri Thaçi falënderoi sekretaren Clinton për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhënë Kosovës. Ai tha se ndjehet krenar me marrëdhëniet midis dy kombeve, të cilat sipas tij, do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë në nivelin e duhur.
Kryeministri i Kosovës tha se me sekretaren e Shtetit ka diskutuar për disa çështje dypalëshe, ndërsa marrëveshjet në dialog me Serbinë i ka vlerësuar si kapituj të rinj mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri ka deklaruar se liria, pavarësia dhe integriteti nuk do të ndryshoj kurrë. “Vizioni ynë është që Kosova të ketë të ardhme dhe fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se “Kosova do të vazhdojë me përkushtim përpjekjet për integrim në strukturat euroatlantike.
Thaçi, i cili ndodhte për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara, të enjten do të takohet me nënpresidentin amerikan, Joe Biden, ndërsa të premten është paraparë një takim me presidentin Barack Obama.