Kosova ka shtrirë dorën, Serbia ofron grushtin

“Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një takim që zhvilloi të mërkurën me kongresistët amerikanë.

Krasniqi i ka njoftuar ligjvënësit amerikanë se Beogradi nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij për problemet e shkaktuar nga Serbia në veri të Kosovës.
Në këtë kuadër, Krasniqi, sipas një komunikate, ka thënë “ka përmendur funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës dhe arrestimin ditë më parë të dy policëve të Kosovës brenda territorit të vendit”.
Duke i falënderuar Shtetet e Bashkuara për “mbështetjen për shtetin dhe popullin e Kosovës”, para delegacionit të kongresistëve amerikanë në përbërjen e të cilit janë David Dreir, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Conelly, Krasniqi ka folur edhe “për vështirësitë dhe sfidat e brendshme me të cilat ballafaqohet Kosova, si: zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të vendit, papunësinë e madhe, sundimin e rendit dhe të ligjit etj, kurse në planin e jashtëm ka veçuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave”.