Kryesuesi i delegacionit nga Kongresi Amerikan, David Dreir gjatë takimit me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi ka përkujtuar historinë e dhimbshme nëpër të cilën ka kaluar Kosova, duke vlerësuar se populli i Kosovës, sidomos rinia e saj, të cilën e ka vlerësuar të shëndoshë, të fuqishme dhe të bukur, meriton perspektivë më të mirë zhvillimi dhe përfaqësim sa më cilësor në institucione.
Dreir, ka vlerësuar të arriturat demokratike dhe shtetndërtuese të popullit të Kosovës, kurse është shprehur se ndihet krenar për marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe për ndihmën e madhe të vendit të tij për popullin e Kosovës.
Në njoftimin për media të Kuvendit të Kosovës thuhet se ligjvënësit amerikanë kanë përcjellë përshëndetjet e presidentit Obama dhe të sekretares Clinton për kuvendin dhe popullin e Kosovës.
Kongresisti tjetër, David Price, ka theksuar rëndësinë që i japin SHBA-ja zhvillimeve të demokracive në vendet e Evropës Qendrore dhe të asaj Juglindore dhe mbështetjen amerikane për proceset pozitive në këto vende.
Ndërkaq, në takimin me kongresistët amerikanë, kryeparlamentari Kransiqi i ka njoftuar ata se Beogradi nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ai ka folur për funksionimin e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës dhe arrestimin ditë më parë të dy policëve brenda territorit të vendit të Kosovës. Pavarësisht këtyre, Krasniqi ka thënë se “Kosova ia ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Serbisë, e cila dorën e saj e bën grusht për të na goditur sa herë i krijohet rasti”.
Krasniqi ka folur edhe për sfidat e brendshme me të cilat ballafaqohet Kosova, si: zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik të vendit, papunësinë e madhe, sundimin e rendit dhe të ligjit etj, kurse në planin e jashtëm ka veçuar mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së, çështjen e liberalizimit të vizave, dhe sidomos problemet e shkaktuar nga Serbia në veri të Kosovës.