Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka deklaruar të mërkurën se aktet e fundit të kryera nga Qeveria e Serbisë (kidnapimi i dy policëve kosovarë në brendësi të territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmeria e Serbisë), janë cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe standardet evropiane për fqinjësi të mirë dhe paqe të qëndrueshme të mbarë rajonit.
Zëvendëskryeministrja Tahiri i bëri këto komente gjatë takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Ernest Reichel. Ajo tha se institucionet e Kosovës i janë përgjigjur me maturi shtetërore këtyre provokimeve të rënda të Serbisë. Sipas saj, Kosova edhe një herë e dëshmoi se është një vend ku mbizotëron fryma evropiane.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, Tahiri tha se zbatimin e plotë të marrëveshjeve pala serbe është duke e prolonguar, kjo edhe për faktin se ende nuk e ka nënshkruar protokollin teknik për marrëveshjen e integruar të kufijve, i cili ishte kusht i BE-së për marrjen e statusit të kandidatit.
Në anën tjetër, ambasadori Reichel tha se shteti i tij është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen politike në vend, e sidomos zbatimin e marrëveshjeve, gjë të cilin Gjermania e konsideron si kyç për proceset e mëtejme të stabilizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht për avancimin e të dyja vendeve drejtë BE-së.
Reichel tha se e çmon lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për angazhim konstruktiv në këtë proces, dhe se përkrahja e Gjermanisë për Kosovën do të jetë e vazhdueshme. Ai tha se mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe zhbërja e strukturave paralele, janë domosdoshmëri dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të cilën Serbia patjetër se duhet ta respektojë.