BQE i reziston Gjermanisë, norma në 1 %

Banka Qendrore Europiane ruajti të pandryshuar normën bazë të interesit në 1 për qind dhe i rezistoi kërkesës së lobit gjerman në bordin drejtues të saj për të dalë nga statusi i emergjencës. Vendimi pason qëndrueshmërinë e brishtësisë ekonomike në bllokun e monedhës së përbashkët dhe rritjen e presionit të tregjeve ndaj Spanjës, që ka gjasa të jetë shënjestra e radhës për investitorët e shqetësuar nga pamundësia e saj për të kontrolluar financat publike. Në bordin drejtues, gjermanët kanë kërkuar të shtrëngohen kushtet e kreditimit të Bankës Qendrore, duke argumentuar se injektimi i më shumë se 1 trilion euro në sistem ka krijuar kushtet për inflacion në terma afatgjatë.

Në muajin mars, inflacioni në Eurozonë ra në 2.6 për qind vlerë më e lartë se kufiri 2 për qind që synon banka, por ajo nuk ka luksin për të dalë nga statusi i politikës liberale-monetare për shkak të situatës ekonomie në Spanjë dhe vendet e tjera. Të premten e kaluar, Spanja prezantoi një buxhet me kursime të shpenzimeve sa 2.5 për qind e totalit të ekonomisë.
Banka Qendrore Europiane deklaron se ka luajtur pjesën e saj në lojën e krizës së borxheve sovrane dhe thotë se tashmë janë qeveritë ato që duhet të kryejnë detyrat e tyre për të qetësuar tregjet. Një veprim i tillë ka qenë vendimi i një jave më parë për të rritur fondet në funksion të stabiliteti financiar në 840 miliardë euro.
Paralelisht, zyrtarët europianë po punojnë për të shuar në zero varësinë e sistemit bankar nga fondet e Bankës Qendrore Europiane. Ndërkohë, Mario Dragi në fundin e muajit të kaluar deklaroi se kriza europiane e borxheve ka kaluar pjesën më të vështirë të saj, por të dhënat ekonomike të Eurozonës flasin për dobësi në nivel të lartë. Në mars statistika tregoi për infektim të aktivitetit të prodhimit në Gjermani dhe Francë, si pasojë e dobësisë në Eurozonë. Për pasojë politika liberale-monetare e Bankës së Europës do vijojë të jetë prezent në muajt në vijim.