LDK: Disa struktura të Policisë me militantë të PDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerësoi të mërkurën se në vazhdën e punës së keqe dhe dështimeve të vazhdueshme të Qeverisë, ishte edhe dështimi në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit juridik. LDK ka kritikuar kryeministrin Thaçi se po favorizon korrupsionin nëpërmjet strukturave të shtetit.

LDK theksoi se sundimi i ligjit në Kosovë po përballet me sfida të shumta, të cilat si pasojë i paaftësisë së Qeverisë së Kosovës po shndërrohen në defekte serioze sistemore.
“Po t’i shtohen kësaj edhe problemet, të cilat janë evidente në fushën e drejtësisë nga ndërhyrja e Qeverisë, me militantë politikë, me emërime politike dhe partiake të zyrtarëve të lartë në organet e shtetit kjo përbën shkeljen tjetër të rëndë dhe kërcënim për të ardhmen e shtetit të së drejtës. Rastet më të rënda janë në policinë e Kosovës, në njësitë speciale, si në drejtorinë për krimet ekonomike, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimeve të rënda, luftën kundër terrorizmit dhe të tjera, përveçse të gjitha këto janë të koncentruara në një drejtori në Policinë e Kosovës, që përbën organizmin jofunksional”, vlerësojnë zyrtarë të LDK-së.
Sipas kësaj partie, disa nga strukturat e Policisë së Kosovës janë mbushur me militantë partiakë dhe të strukturave ilegale partiake të PDK-se, të cilat veprojnë në interes të partisë (PDK) dhe të grupeve kriminale.
Për LDK-në, këta individë partiakë të futur në strukturat speciale të shtetit, shpesh përdorin institucionet e shtetit për shantazhe politike.
“Po ashtu, shumë shqetësuese mbetet gjendja në fushën e drejtësisë, ku ditëve të fundit ka ndodhur edhe arrestimi i shefit të njësisë speciale (Task Force) për luftimin e korrupsionit të krijuar nga Kryeministri Thaçi dhe të proklamuar nga ana e tij si një angazhim personal në luftën kundër korrupsionit. Task Force ishte një angazhim personal i z.Thaçi në luftën kundër korrupsionit dhe sot shihet se sa rezultate ka kjo njësi speciale e formuar nga ai. Sot shefi i kësaj njësie speciale rezulton i arrestuar për zhvatje, shantazh dhe përfshirje në afera korruptive, të cilat e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo është një dëshmi e angazhimeve të Qeverisë për korrupsion e jo për luftën kudër korrupsionit”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.