Pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë janë dy nga pikat kufitare ku më së shumti tentohet të bëhet kontrabanda, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës. Kontrabanduesit, sipas tyre, tentojnë t’i fusin mallrat e kontrabanduara përmes rrugëve tjera alternative, në pamundësi që këtë ta bëjnë përmes pikave kufitare.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thekson se në ato pjesë të pikave kufitare ku kontrolli është më i ulët, aty edhe tentohet të futen mallra në mënyrë ilegale.
“Në pjesën veriore ka kontroll më të ulët dhe ka kontrabandë më shumë. Por, që prej marrjes së dy pikave në kontroll, kemi parë një zvogëlim të kontrabandës”, thekson Stavileci për Radio Evropa e Lirë
Autoritetet e Doganave të Kosovës bëjnë të ditur se artikujt që më së shumti kanë peshuar në ekonominë joformale janë ato me akcizë, si nafta dhe derivatet e saj, pijet alkoolike dhe duhani.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës thekson se përveç pikave kufitare me Serbinë, kontrabanda tentohet të bëhet edhe në pikat tjera kufitare me Shqipërinë.
Konsiderohet se me vite të tëra kur pikat kufitare në veri kanë qenë jashtë kontrollit, janë kontrabaduar mallra me vlerë deri në 50 milionë euro, mallra këto të cilat kanë hyrë në tregun e Kosovës pa paguar asnjë obligim dhe që e kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.
Nga niveli i lartë i kontrabandës, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, buxheti i Kosovës dhe ekonomia kosovare në përgjithësi ka pësuar humbje të mëdha.
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ekonomia jofomale në Kosovë është deri në 30 për qind e bruto produktit të brendshëm.
“Tani ka një nivel më të vogël të kontrabandës, që bëhet në masë më të vogël dhe me automjete më të vogla. Por, prapëseprapë është një vrimë e zezë... shqetësuese për ekonominë e vendit”, thekson Rukiqi.
Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014. Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se ky prioritet i Qeverisë nuk duhet mbetur vetëm në letër, por të zbatohet.