Jeremic: Marrëveshjet duhet t’i respektojmë

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic ka porositur liderin e opozitës, Tomislav Nikolic, se marrëveshjet e arritura me Kosovën duhet të respektohen, në të kundërtën, Serbia mund të përballet me pasoja të rënda. Nikolic kishte thënë se nëse ai vjen në pushtet, nuk është i obliguar t’i implementojë marrëveshjet e arritura me Kosovën.

Beogradi duhet të respektojë marrëveshjet e arritura me Prishtinën, ka thënë Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic.
Deklaratat e Jeremicit vijnë pas komenteve të bëra nga lideri i Partisë Progresive Serbe, Tomislav Nikolic, i cili kishte thënë se nëse ai vjen në pushtet, nuk do të jetë i obliguar të implementojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, shkruan “e-novine”.
Tomislav Nikolic kishte folur për marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një mitingu në veri tw Mitrovicës, pak para zgjedhjeve lokale serbe, të cilat tashmë edhe zyrtarisht janë anuluar nga Beogradi në pjesën veriore të Kosovës.
Ai kishte thënë që nuk e di se për se për çka është negociuar dhe se një njeri, Boris Tadic, ka vendosur për fatin e Serbisë në Kosovë dhe ai tash është i obliguar të tregojë se deri ku ka arritur”.
"Pavarësisht se deri ku ka arritur, më tutje asnjë hap nuk guxon të bëhet... Çkado që do të ketë nënshkruar, por që është në dëm të Serbisë, ajo mua nuk më obligon”, kishte thënë Nikolic.
Ministri i Jashtëm serb ka porositur Nikolicin se Serbia duhet që të respektojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Prishtinën, përndryshe ky do të ishte një sinjal shumë i keq që Serbia e dërgon te bashkësia ndërkombëtare.
“Deklarata të tilla si ajo e dhënë nga lideri i Partisë Progresive Serbe, Tomislav Nikolic, i cili ka thënë se ai nuk është i obliguar ndaj marrëveshjeve të tilla, dërgojnë një sinjal të keq te bashkësia ndërkombëtare, e që mund të nënkuptojë pasoja të mëdha për procesin e mëtutjeshëm të negociatave dhe vetë reputacionit të Serbisë”, ka thënë Jeremic.
Për më shumë, Jeremic ka thënë se Serbia nuk guxon të izolohet dhe se duhet të pranojë ligjet dhe standardet evropiane sa më shpejt që është e mundur.