Në Gllogjan janë përkujtuar sot dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkelzen e Enver Haradinaj , Fatmir e Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj.
Në manifestimin përkujtimor të organizuar me këtë rast, Rexhep Selimi tha se si bashkëluftëtarë i shumë prej atyre që sot nuk janë më, ndihet aq sa krenar, që ishte pjesë e rreshtimit të tyre në luftë, po aq edhe i obligueshëm që ta vazhdojë rrugën ku ata e lanë dhe për të cilën ata ranë.
Duke bërë kritika në adresë të pushtetit për mostrajtim të duhur të dëshmorëve të kombit.
“Nga populli heronjtë janë duke u trajtuar siç e meritojnë, sepse populli i lindi, populli i do dhe populli i ruan ata në gjirin e vet. Ndërsa institucionet e vendit, të cilat dolën si rezultat i këtyre dëshmorëve, nuk janë duke i trajtuar as nga përafërsisht ata për çfarë edhe ranë”, tha Selimi.
Ndërsa Daut Haradinaj, ditën e përkujtimit për ta, e ka vlerësuar si një ditë të veçantë. Siç u shpreh ai, në këtë ditë ranë djemtë më të mirë që i kishte Dukagjini, “jo pse Shkelzeni ishte në mesin e tyre, por pse ishin djemtë më të zotë dhe më të mirë, të cilët i dolën përballë pushtuesit, armikut”.
Kurse Xhavit Nimanaj, në emër të familjes Nimanaj, e cila i dha tre djem në luftën e UÇK-së, vlerësoi se përkujtimi dhe përvjetorët përjetohen si krenari e mbarë kombit shqiptar dhe jo vetëm e familjeve të dëshmorëve.