Haradinaj: Me forcë në Veri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka thënë se duhet përdorur edhe forcën për zgjidhjen e çështjes së Veriut. E për këtë, sipas deputetit të AAK-së, Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare është në anën e institucioneve të Kosovës.

Në një intervistë për “Express”, Haradinaj flet edhe për raportet e partisë së tij me PDK-në. Thotë se do ta mbështesin Qeverinë në agjendat nacionale, derisa pohon se AAK-ja dhe PDK-ja nuk janë në armiqësi me njëra-tjetrën.
Mirëpo, pse asnjë deputet i AAK-së nuk e përkrahu nismën e Vetëvendosjes për një seancë të jashtëzakonshme, kurse të paktën një deputet i AAK-së ka dhënë nënshkrimin për nismën e PDK-së, Haradinaj tha “Ne e kemi mbajtur qëndrimin tonë, kemi thënë se nuk është koha për folklorizëm, por është koha për veprime. Ne kemi thënë se do t’i mbështesim institucionet për të vepruar në Veri, ndërsa nuk jemi ithtarë shumë të debateve, sepse mendoj se janë shterur debatet dhe kërkohet më shumë veprim”.
Deklaratat e shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë se po afrohen për çdo ditë me AAK-në, deputeti Haradinaj tha se Aleanca e ka programin e vet, platformën e vet edhe është duke u përgatitur për t’i fituar zgjedhjet nacionale.
Mirëpo, megjithatë se kohëve të fundit janë parë nëpër tubime publike me zyrtarët e PDK-së, Haradinaj deklaroi “Ne nuk jemi armiq dhe ne i respektojmë dhe i vlerësojmë institucionet e Kosovës, ndërsa jo figurat e partive politike. Çdokush që nderon dëshmorët dhe heronjtë, e ka për obligim aq më tepër kur janë përgjegjës të institucioneve. Ne nuk jemi armiq, por jemi rivalë politikë”.