Krasniqi: Serbia sulmoi hapësirën e Kosovës

Ajo që është parë në media, me rastin e arrestimit të dy policëve kosovarë, është një sulm i shtetit serb në hapësirën e Kosovës, tha kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai ka kërkuar informacione më të detajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa ka thënë se është në dorën e shefave të grupeve parlamentare nëse dëshirojnë të mbajnë një seancë për këtë çështje apo jo.

Duke folur për këtë akt të Serbisë, Krasniqi ka thënë se kjo po tregon se politika e Serbisë esencialisht nuk ka ndryshuar.
“Duhet të themi se ishte një akt që tregon edhe njëherë se në politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar asgjë esencialisht dhe kjo sigurisht nuk është problem vetëm i institucioneve të Kosovës, ky është një problem që i kalon përmasat e institucioneve të Kosovës dhe me këtë duhet të merret edhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë sot Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, transmeton Kosovapress.
Nesër pritet të mbajë edhe një mbledhje tjetër kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe është në dorën e shefave të grupeve parlamentare, nëse dëshirojnë të mbajnë një seancë për të diskutuar për këtë çështje.