Gjunkshi: Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e nismave rajonale

Shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral-Major, Xhemal Gjunkshi, shprehu vendosmërinë që Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e nismave rajonale, të jetë pjesë aktive e të gjitha tavolinave të bisedimeve siç janë takimet në kuadrin e “Adriatic Charter,” të “A5-sws”.

Në një intervistë për Kosovapress gjenerali Gjunkshi , marrëdhëniet me Ushtrinë e Kosovës i ka cilësuar të shkëlqyera.
“Gjatë muajit të kaluar isha për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pata rastin të takohem me gjeneral Kastratin dhe ministrin e Mbrojtjes gjeneral Çekun, si dhe komandantin e KFOR-it gjeneralin Drews. Po për sa i përket bashkëpunimit me Kosovën ne e konsiderojmë se është i shkëlqyer. Ne jemi të gatshëm, i kemi ndihmuar dhe vazhdojmë t`iu ndihmojmë nëpërmjet trajnimit dhe edukimit dhe nëpërmjet materialeve që ne u japim për gjithçka që Ushtria e Kosovës ka nevojë”, tha ai.
Gjenerali Gjunkshi tha se “jemi të vendosur që Ushtria e Kosovës të jetë pjesë e nismave rajonale, të jetë pjesë aktive e të gjitha tavolinave të bisedimeve, siç janë takimet në kuadrin e “Adriatic Charter,” të “A5-sws”, ku marrin pjesë përveç 5 shteteve, siç është Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia, të jenë edhe Kosova dhe Serbia në tavolinën e bisedimeve që të jemi të gjithë së bashku për të vazhduar bisedimet dhe për të bashkëpunuar me qëllim që siguria dhe paqja në rajon të jenë të palëkundura”.
Ai gjithashtu tha se me vëmendje po ndjekin zhvillimet që po ndodhin në Maqedoni, ku kishte incidente ndër etnike kohët e fundit.

“Unë besoj se atje nuk do të ketë asnjë problem për t`u shqetësuar. Nuk do të ndikohemi nga momentet e çastit, ajo që është e rëndësishme është se të dyja ministritë e mbrojtjes, pra ajo e Maqedonisë dhe kjo e jona, janë të angazhuara për të vazhduar komunikimin dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet veti, me qëllim që Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, ku do të bëhej e mundur plotësisht heqja e kufijve dhe të gëzojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka thënë Gjunkshi, gjatë qëndrimit të tij në SHBA.