KDI kundër miratimit të ligjeve me procedurë të shpejtë

Instituti Demokratik i Kosovës, që monitorin punën e Kuvendit të Kosovës, e arsyeton deri diku bojkotin e opozitës në seancën e së enjtes dhe së premtes. Por zyrtarë të këtij instituti thonë se nuk ka pasur shkelje të proceduarave siç është arsyetuar opozita, por ka qenë një shmangie nga rregullorja e punës së Kuvendit.

Driton Selmanaj, tha se edhe KDI ka tërhequr vërejtjen vazhdimisht që mos të miratohen ligjet me procedurë të shpejtë për shkak të pasojave që reflektohen më pas. Mirëpo njësoj ndodhi edhe kur u procedua ligji për bankat.
“Realisht çështja e ligjit për bankat dhe organizatat mikro-financiare ka bërë një shmangie të rregullores meqë rregullorja e lejon por sipas meje tërësisht e pa nevojshme, d.m.th e ka bërë një shmangie dhe nuk i ka dhënë kohë asnjërit nga komisioneve funksionale përveç komisionit për buxhet që me e trajtuar objektivisht se çfarë duhet apo çfarë nuk duhet të përmbajë ky ligj”, tha ai.
Selmanaj theksoi se për këtë ligj duhet të ketë debat gjithëpërfshirës e pastaj të kalojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Madje ai përmendi shembuj të këqij të parlamenteve të disa vendeve që procedojnë ligjet në këtë formë.
Sipas analizave të KDI-së , Kamboxhia, Peru dhe Kenia përmenden si të vetmet shtete të cilat kanë pasur përvojën e njëjtë me Kosovën rreth ligjit për bankat dhe organizatat mikro-financiare. Kjo nuk i kontribuon demokracisë dhe punës parlamentare tha Selmanaj.