Zgjedhjet në veri rrezikojnë sigurinë në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e parë të vizitës zyrtare në Itali, ka thënë se nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri, duke vlerësuar se kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan

Në një ligjëratë para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve në Universitetin “La Sapienza” në Romë, Hoxhaj ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dinamikën e integrimeve evropiane.
Duke shpjeguar rrugën e gjatë që ka bërë populli i Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ministri i Jashtëm ka theksuar se dëbimi i më se një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra të vrarë dhe spastrimi etnik, kishte për qëllim ndryshimin e shifrave demografike në Kosovë.
“Serbia asnjëherë nuk e ka qarë kokën për popullatën në Kosovë. Asaj i ka interesuar gjithmonë vetëm territori. Kjo politikë e spastrimit etnik është ndaluar, me intervenimin humanitar të NATO-së dhe ka sjell paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ministri.
Hoxhaj ka falënderuar kontributin e Italisë për shtetndërtimin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e madhe të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it.
“Shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi gjitha është storie evropiane e suksesit”, ka theksuar Hoxhaj, duke folur edhe për drejtat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, të cilat rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit.
“Republika e Kosovës, në katër vjetët pas pavarësisë ka arritur të akomodojë komunitetet në nivel qendror dhe lokal. Sot, komunitetet në Kosovë kanë të drejta më të avancuara se çdo komunitet tjetër në Evropë”, ka shtuar Hoxhaj.
Duke folur për paralajmërimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se mbajtja e tyre do të rrezikonte sigurinë në Ballkan.
“Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri. Kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për perspektivën evropiane, duke theksuar se fillimi i studimit të fizibilitetit për Republikën e Kosovës, shënon hapin më të rëndësishëm drejt aspiratës së dy milionë kosovarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në Universitetin “La Sapienza”, ministri Enver Hoxhaj ka zhvilluar edhe një takim me Antonello Biagini, zëvendësrektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe shumë profesorë të këtij Universiteti, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.
Pas dite, ministri Hoxhaj do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi.