Klima e keqe e bërjes së biznesit dhe bilanci negativ në tërheqjen e investimeve të huaja kanë shtyrë Qeverinë që të gjejë zgjidhje. Asnjë institucion qeveritar nuk është treguar i aftë që të gjejë ilaçin e përmirësimit të radhitjes që del nga raporti i Bankës Botërore, në të cilin Kosova radhitet nga fundi. E po ashtu dështime janë shënuar edhe në aspektin e tërheqjes së investimeve të jashtme.
Në fillim të janarit, Qeveria ka shpallur shprehjen e interesit për të kontraktuar një kompani private, e cila do të merret me hartimin e një plani strategjik të sektorëve më të lakmueshëm dhe që ofrojnë potenciale të kërkuara nga investitorët e jashtëm. Dokumenti për shprehjen e interesit që është shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik në emër të Qeverisë, nxjerr në pah kërkesën reale qeveritare për kontraktimin e kompanisë konsulente.
Sipas dokumentit, Qeveria është duke kërkuar një kompani konsulente për përgatitjen e një plani të plotë për zhvillimin e sektorit ekonomik, i cili plan do të përdoret si udhëzues për tërheqjen e kompanive të fuqishme ndërkombëtare. Qëllimi i shprehjes së interesit gjithashtu është që nëpërmjet të njëjtit plan të futë Kosovën si vend me potenciale të mirëfillta investuese si për kompanitë e tregut të jashtëm, ashtu edhe për ato vendëse, shkruan Koha Ditore.
“Qëllimi kryesor i kësaj detyre është i dyfishtë: një për të siguruar një analizë solide të sektorit dhe konkurrencën e saj, duke përfshirë rekomandimet e politikave se si të përmirësohet dhe të rritet më tej konkurrenca, dhe dy, të sigurojë bazën për nxitjen e sektorit të investitorëve të huaj, duke përfshirë një plan marketingu, mesazhet kryesore të marketingut dhe të materialeve promovuese”, thuhet në dokumentin të Qeverisë për shprehjen e interesit në kontraktimin e një kompani konsulent.