Në planin katërpikësh të kryetarit të Serbisë, Boris Tadic, mund të gjenden disa aspekte të cilat përputhen me dispozitat e Dokumentit të Ahtisaarit, në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj.
Plani i kryetarit serb Tadiq, përfshin një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në enklava, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës.
“Tri pikat që i përfshin plani i Tadicit, objektivisht janë pjesë në Planin e Ahtisaarit, përkatësisht në Kushtetutën e Kosovës. E vetmja çështje që, sipas mendimit tim, me të vërtetë është politikisht diskutabile, është nëse krijohet një parlament specifik i veriut dhe një qeveri specifike e veriut. Ajo është një bombë e kurdisur, e cila do ta defunksionalizojë Kosovën sa herë të ketë nevojë pushteti në Serbi dhe sa herë që kanë nevojë serbët që janë krijues apo sajues të atij entiteti”, thotë për Radio Evropa e Lirë, analisti Behlul Beqaj.
Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Arben Qirezi. Ai thotë se brenda planit të Tadicit ka propozime “me qasje diskriminuese”.
“Nëse (plani i Tadicit) do të mund të kuptohej si një propozim për autonomi territoriale, Pakoja e Ahtisarit këtë e përjashton në mënyrë decidive. Po ashtu, është mjaft e pakuptueshme çështja e mbrojtjes së pronësisë serbe. Pronësia e serbëve të Kosovës nuk është nën ndonjë atak, nga askush", thotë Qirezi.
"Kjo mbase i ngjanë shumë periudhës së politikës së Milosevicit, kur shitblerjet e pronësisë ndërmjet etnive të ndryshme në Kosovë kanë qenë të ndaluara me ligj dhe është dashur që të merrej leje e posaçme nga autoritetet e Serbisë që të bëhej çfarëdo transaksioni pronësor ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.
Përfaqësuesit e pozitës dhje të opozitës në Kosovë, e kanë kundërshtuar planin e kryetarit serb, duke thënë se janë të papranueshme propozimet që mëtojnë zgjidhje jashtë Dokumentit të Ahtisaarit. Megjithëkëtë, Beqaj vlerëson se duhet shqyrtuar ngjashmëritë që plani i Tadicit mund t’i ketë me Dokumentin e Ahtisaarit.
“Ka shumë elemente që i ngërthen Plani i Ahtisarit... Nuk është mirë që apriori të hidhet”, thotë Beqaj.
Qirezi mendon se “këto bomba”, të cilat hidhen herë nga Beogradi, nuk duhet të kenë vëmendje të veçantë.
“Nuk bën të lejojmë që Beogradi ta ditojë agjendën politike kosovare. Mendoj se, tani për tani, Qeveria e Kosovës dhe partitë politike kanë partnerë brenda pakicave të Kosovës, duke përfshirë edhe pakicën serbe. Mendoj se është zëri i saj ai që duhet të dëgjohet në Kosovë”.
Sidoqoftë, Dokumenti i Ahtisaarit mbetet oferta e vetme që institucionet e Kosovës ofrojnë për zgjidhjen e çështjes së veriut.