Grupi Punues, në kuadër të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka heq nga lista e votuesve dhe regjistri civil rreth 15 mijë persona të vdekur. Po ashtu, Grupi i ka identifikuar rreth 60 mijë votues me kode të gabuara, të cilët janë përmirësuar, dhe në të njëjtën kohë ka identifikuar dhe fshirë nga listat rreth 10 mijë persona të cilat kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka shqyrtuar raportin e Grupit Punues të KQZ-së, lidhur me strategjinë për përmirësimin e listës së votuesve, raporton Kosovapress.
Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, njëherë kryesues i Grupit Punues të KQZ-së, ka thënë se pastrimi i listave ka qenë një ndër sfidat kryesore, pasi që “ata të cilët kanë dashur të manipulojnë me procesin, kanë pasur një hapësirë apo një derë përmes të cilës janë futur te emrat të cilët tashmë janë të vdekur, personat të cilët jetojnë jashtë vendit dhe te disa gabimeve teknike në kodet të cilat i ka përmbajtur regjistri civil”.
Blerim Burjani, nga AAK, ka kërkuar që në këtë Grup Punues të mos jenë anëtarët e KQZ-së, pasi që “përfaqësojnë subjektet politike”.
Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ka thënë se përmirësimi i listës së votuesve është rezultat i vullnetit të përgjithshëm të KQZ-së.
Grupi Punues gjithashtu ka identifikuar numrin e gjithë qytetarëve të cilët janë pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Ky numër është 1.2 milionë, ndërsa rreth 450 mijë posedojnë ende letërnjoftim të UNMIK-ut, 63 mijë nga të cilat janë valide në bazë të afatit kohor.