Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar ministrat se nuk do t’i shpëtojnë riformatimit nëse rezulton se resori i tyre nuk ka arritur të përmbushë obligimet që kushtëzojnë ecjen përpara të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Këto komente kreu i Qeverisë i bëri sot gjatë një takimi që zhvilloi me ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm të ministrive, ku temë e vetme ishte pyetësori i Studimit të Fizibilitetit, raporton KosovaOnline.
Kryeministri ua ka dorëzuar të gjithë ministrave më shumë se 450 pyetje, të cilave duhet t’u përgjigjen në afat rekord, në mënyrë që në mesin e qershorit t’i dorëzohen BE-së para se ata të bëjnë raportin e fizibilitetit për Kosovën.
Thaçi ka kërkuar nga ministrat që të respektojnë afatet kohore, në mënyrë që të kalohet edhe kjo sfidë për vendin. Ai është shprehur i befasuar me veprimet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, “vonesat që po i bënë BE-ja karshi Kosovës, janë të pajustifikueshme”.
Ai ka theksuar se Kosova në kohë rekorde po i “përmbush të gjitha kërkesat që po i vijnë nga BE-ja”, si për liberalizimin e vizave, e po ashtu edhe për procesin e Stabilizim Asociimit. Gjithashtu, Thaçi ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se “Kosova ka një të ardhme të sigurt evropiane”, por që, sipas tij edhe BE-ja duhet të nisë ta shohë Kosovën me syrin e suksesit.
Burime qeveritare kanë bërë të ditur se brenda këtij muaji një komision i KE-së arrin në Kosovë për të verifikuar nëse gjendja në terren përputhet me përgjigjet që Ministritë përkatëse kanë dhënë në pyetësorin e dërguar më herët nga Brukseli.
Ndryshe, vlerësimi i Brukselit lidhur me përmbushjen e reformave të caktuara pritet të jenë arsyeja kryesore që do të determinojë lëvizjet në kabinetin qeveritar të Thaçit, që pritet të ndodhin në fillim të kesaj vere.