SKV: Pushteti po uzurpon Universitetin e Prishtinës

“Vendosmëria e pushtetit të korruptuar që ta kapë Universitetin e Prishtinës, nuk po zgjedh më metoda. Publikisht dhe duke shkelë në mënyrë flagrante çdo normë morale e ligjore, po e shtrinë dhunshëm ndikimin e tij politik me qëllim të përfitimit” thuhet në një reagim të Lëvizja Studentore për Barazi – Studim Kritikë Veprim (SKV).

“Në mbledhjen e sotme të Senatit të UP-së, u aprovua lista e kandidatëve për personel akademik, ndër të tjerë edhe Bekim Haxhiu - Kamishi, për të cilin u bë e ditur se nuk i plotëson kriteret e përcaktuara” thuhet në reagimin e kësaj lëvizje.
“Këshilli Drejtues si përfaqësues i pushtetit dhe Rektori si zgjatim i tij të cilët kanë kompetenca absolute në Universitetin e Prishtinës, duke pasur mundësinë të shpërbëjnë e të krijojnë njësi e nënnjësi të Universitetit, të ngarkojnë e të shkarkojnë nga puna këdo, kanë arritur që ta shtrijë ndikimin në Senat përmes shantazhit dhe korrupsionit”.
“Mbushja e Universitetit me personel akademik për qëllim të shtrirjes së pushtetit brenda UP-së e cila po bëhet ditëve të sotme hapur, është një katastrofë sociale. Ata që kanë votuar në favor të listës së sotme të kandidatëve për personelin akademik mbajnë përgjegjësi intelektuale dhe institucionale për shoqërinë. Vota e tyre, nuk përbënë përfaqësim të interesit të shoqërisë, por përfaqësim të interesit të pushtetit të korruptuar”.
“Ne i bëjmë thirrje profesorëve, studentëve,intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit që të vihen ne mbrojtje të Universitetit të Prishtinës, kështu, në mbrojtje të shëndetit të shoqërisë, i cili sot po sulmohet nga pushteti i korruptuar. Heshtja është ajo çka i konvenon pushtetit, reagimi dhe veprimi janë nevoja e shoqërisë sot” thuhet ndër të tjera në reagim.