Taksa për Durrës - Kukës pas tetorit

Ministria e Transporteve e Shqipërisë ka vendosur të shtyjë afatin për pagimin e taksës për autostradën. Edhe për këtë sezon veror turistët që do të qarkullojnë në autostradën Durrës - Kukës për t’iu drejtuar bregdetit shqiptar nuk do të paguajnë asnjë taksë. Ministria e Transporteve ka vendosur që t’u lërë kohë deri në tetor kompanive të parakualifikuara që do të fitojnë tenderin për mirëmbajtjen e autostradës.
Gjatë kësaj kohe këto kompani do të kenë mundësi të vëzhgojnë terrenin, rrugët, nevojat që ajo ka si për shtimin e kryqëzimeve, ndërtimin e një tuneli të vogël apo një ure kryesore mbi liqen në hyrje të Kukësit. Koncesionari që do të fitojë tenderin ka një detyrim prej 80 milionë eurosh investime dhe përgjegjësinë për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës si dhe tunelit të Thirrës, shkruan gazeta Start.

Sipas burimeve nga MT-ja, pritet që kompania koncesionare të krijojë të ardhura nga mirëmbajtja e rrugës, minimalisht 350 milionë euro gjatë 35 viteve të ardhshme, që është edhe periudha koncesionare. Kompania koncesionare që do të fitojë tenderin do të ndërtojë një tra doganor te tuneli i Thirrës dhe parashikohet t’i marrë 5 euro çdo automjeti personal dhe 10 euro çdo kamioni, si taksë për mirëmbajtjen e rrugës. Në të njëjtën kohë kompania fituese duhet të ndërtojë të gjithë sistemin e gardhit metalik gjatë gjithë autostradës, sistemin e ndriçimit në të gjitha mbikalimet, përmirësimin e tri lidhjeve në segmentin e rrugës nga Kukësi në kufi, ndërtimin nga e para të mbikalimit në Kalimash.

Gjithashtu, dublimin e gjithë segmentit të rrugës nga Miloti deri në Rrëshen dhe ndërtimin e një ure apo një tuneli në Kukës sipas zgjidhjes që do t’i japë ministria. Pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, kanë paraqitur interes për pjesëmarrjen në tender 5 kompani të mëdha ndërkombëtare. Pas muajit tetor të këtij viti, çdokush që do të kalojë në rrugën Durrës - Kukës do të paguajë një taksë, e cila do të përcaktohet në varësi të ofertave më të mira.