Rënia e temperaturave në dy ditët e fundit ka shtuar numrin e pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë emergjente në QKUK.
Sipas drejtuesve të kësaj qendre, vetëm në 24 orët e fundit ndihmë emergjente kanë kërkuar mbi 130 pacientë. Mjekët këshillojnë pacientët me sëmundje kronike që t’i shtojnë vizitat tek mjeku specialist, kjo për faktin se rastet duhet të trajtohen sipas specifikave dhe problemeve që shfaqin.
Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK, ka bërë të ditur për Kosovapress se çdo ndryshim i temperaturave shton numrin e pacientëve në këtë qendër. Ai ka shtuar se rënia e temperaturave nga 27 në 13 gradë celsius, ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin e të sëmurëve kronikë, duke thënë se me këtë rast krijohet jo baraspeshë në mes kërkesave dhe nevojave të organizmit të njeriut.
“Në këto dy ditët e fundit në Qendrën Emergjente është shtuar numri i të sëmurëve të cilët kërkojnë ndihmën emergjente si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të temperaturave ditore të cilat para 3-4 ditëve ndjeshmëria e këtyre temperaturave arriti deri ne shkallën 27 gradë celsius dhe në këtë mënyrë u krijua një disbalancë e gjendjes shëndetësore të të sëmurëve, të të lënduarve dhe të helmuarve dhe në këtë mënyrë është krijuar një jobaraspeshë në mes kërkesave dhe nevojave të organizmit të njeriut”, ka thënë ai.
Lenjani tregon se vetëm gjatë 24 orëve të fundit në qendrën Emergjente në QKUK kanë kërkuar ndihmë mbi 130 pacientë.
Ndërkaq, edhe në kardiologji ka pasur pacientë me probleme kardiake, të tensionit apo shqetësime me frymëmarrjen.
Sipas tij, kategoritë e njerëzve më të rrezikuar nga ndryshimi i temperaturave tek të cilët në mënyrë të drejtpërdrejt mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore, janë ata pacientë që vuajnë nga sëmundjet kronike, si dhe ata me probleme kardio-vaskulare, pulmologjike, të enëve të gjakut etj.
“Është detyrë e çdo të sëmuri që ka nevojë për shërbime emergjente që së pari të paraqitet te mjeku familjar për të bërë një ekzaminim parësor, gjegjësisht të marrë informatë bazike elementare mbi gjendjen e tyre shëndetësore. Kërkesa jonë si mjek është që të sëmurit më parë që kanë vuajtur nga sëmundjet e sistemit vaskular, neurologjik, pulmologjik, apo nga sëmundjet metabolike, detyrimisht nëse iu paraqiten ndonjë ankesë madhore menjëherë të paraqiten tek mjeku familjar, gjegjësisht në qendrën emergjente për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.
E në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se në ditët në vazhdim temperaturat do të fillojnë të ngriten dhe do të arrijnë deri në 21 gradë celsius.