PDK s’di nga t’ia mbajë

Partia e kryeministrit Hashim Thaçi gjendet në dilema të mëdha dhe as vetë nuk e ka të qartë se si do të veprojë në seancën e sotme plenare të Kuvendit, me mocionin e aprovuar ditë më parë për çështjen e fatit të të pagjeturve, i cili obligon qeverinë që t’i kushtëzojë bisedimet me Beogradin.

Miratimi i rekomandimeve nga Kuvendi i Kosovës për qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi, që të kushtëzohet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ka futur në “qorrsokak” partinë në pushtet, njofton “Zëri”.
Vetëm pak orë pasi deputetët aprovuan javën e kaluar mocionin për të zhdukurit, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Graboci kishte kërkuar rivotimin e tij. Sipas tij, e gjithë kjo për faktin se Kuvendi ka votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm. Ai madje, ishte arsyetuar se nevojitej një harmonizim i tekstit dhe miratim i një dokumenti të vetëm.
“I propozojmë seancës që të bëjë harmonizimin e këtyre dy dokumenteve që i kemi, pra dy palë rekomandimeve, që njëra ka dalë në emër të komisionit, e tjera në emër të deputetes Hikmete Bajraktari. I kisha lutur të gjithë deputetët që ta bëjmë harmonizimin dhe të dalim me një dokument unik”, u është drejtuar deputetëve Grabovci javën e kaluar.
Pika kontestuese e mocionit nga partia e kryeministrit Thaçi, është kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, deri në zbardhjen e fatit të pagjeturve. Gazeta ka bërë përpjekje që të kontaktojë me shefin e GP të PDK-së, Grabovci por kontakti me të ishte i pamundur.
Pikërisht mocioni i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës për të pagjetur ka shtyrë GP të PDK që të mblidhet ditën hënë në përpjekje për harmonizimin e qëndrimit se si të procedohet tuje me mocion e kontestuar. Por, takimi nuk ka rezultuar i frytshëm, pasi nuk është arritur që të merret ndonjë vendim.