Dy persona janë shoqëruar nga policia, pasi kanë tentuar të prishin aktivitetin e komunitetit LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë), në ditën botërore kundër homofobisë. Mësohet se në nisje të garës dy persona, kanë hedhur në drejtim të tyre dy tymuese duke shkaktuar panik dhe bllokim qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Rreth 30 forca policie që e kanë mbikëqyrur këtë, manifestim të parin të kësaj natyre në Tiranë, kanë identifikuar dhe më pas kanë shoqëruar dy “provokuesit”.
"Patëm disa tentativa nga disa agresorë që nuk e përkrahën lëvizjen tonë. Por dua t'u them atyre që është vetëm fillimi. Përveç mentalitetit që ekziston në Shqipëri arritëm të sfidonim edhe motin e keq", citon BalkanWeb fjalët e aktivistit, Kristi Pinderi.
Të hënën paradite, rreth 20 persona të komunitetit LGBT në kryeqytetin shqiptar kanë nisur aktivitetet sensibilizuese në kuadër të Ditës Botërore kundër homofobisë.
Marshimi i përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", me sloganin "Flije Mendjen! Disa njerëz janë Gay", do të pasohet me aktivitete të tjera në ditët në vijim. Në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizje theksohet se "në të gjitha eventet në kuadër të 17 Majit, ne do tregojmë se historia e LGBT nuk është vetëm ajo historia e shtypjes, e diskriminimit dhe e dehumanizimit të natyrës njerëzore, por është mbi të gjitha një histori e përjetshme dashurie".