UGK reagon ndaj zyrtares së MTI-së

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) me shqetësim ka pranuar lajmin për pengimin në punë të ekipit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe gazetarit Faton Salihu, nga ana e Lirije Karaxhës, drejtoreshë e organit inspektues “KPU Inspekt”, të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

 Përmes një letre dërguar UGK-së, Salihu sqaron që Karaxha ka penguar në punën e ekipit të RTK-së duke mos i dhënë deklaratë zyrtare në lidhje me temën e trajtuar, por duke reaguar në mënyrë të vrazhdë dhe më pastaj duke përzënë ekipin nga zyrat e saja.
“Zonja në fjalë ka shkuar edhe në zyrat e RTK-së, duke kërcënuar dhe fyer recepsionisten dhe personat e sigurimit me fjalë tejet të vrazhda që nuk përkojnë me nivelin intelektual”, thuhet në letrën e Salihut.
UGK e konsideron të papranueshëm sjelljen e zonjës Karaxha ndaj ekipit të RTK-së dhe kërkon nga ajo që të kërkojë falje publike ndaj këtij televizioni.